Obama,këshilla nga gjysmë milion njerëz

Më shumë se gjysmë milioni persona iu përgjigjën një sondazhi që kishte të bënte me prioritetet e administratës së ardhshme të presidentit të zgjedhur amerikan, Barak Obama. Lajmi u bë i ditur nga drejtuesi i fushatës së presidentit të zgjedhur, David Pluf. "Përgjigjja ishte e jashtëzakonshme, pasi 550 000 persona iu përgjigjën këtij sondazhi të zhvilluar nga ekipi që drejtoi fushatën elektorale të presidentit të zgjedhur amerikan, Barak Obama", konfirmoi Pluf në një postë elektronike dërguar personave që kishin mbështetur presidentin Obama. "Tashmë, ju do të ndihmoni për të përkufizuar se si kjo lëvizje të mbështesë programin e presidentit të zgjedhur Obama dhe do të vazhdoni të sillni ndryshimet për të cilat kemi nevojë", shprehet ai në postën elektronike. "Nga rezultatet e marra shihet se njerëzit janë të prirur të bëjnë pyetje mbi çështjet kryesore si arsimi, mjedisi, shëndeti, varfëria dhe ekonomia", tha Pluf. Drejtuesi i fushatës së presidentit Obama konfirmoi se 86 përqind e personave ishin të mendimit se ishte e rëndësishme të ndihmoje administratën e Obamës.