Obe, Berishës: Britania, mbështetje për në BE
TIRANË- Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nicholas Canon Obe ka theksuar mbështetjen e vendit të tij për integrimin e Shqipërisë në BE.
Në takimin e zhvilluar sot me kryeministrin Berisha u rikonfirmua vullneti dhe angazhimi i plotë i të dy vendeve dhe qeverive për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në veçanti në ato prioritare si integrimi Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe marrja sa më shpejt e statusit kandidat, por edhe në fusha të tjera si në atë të sigurisë, të mbrojtjes, në bashkëpunimin në shërbim të konsolidimit të stabilitetit e miqësisë në rajon, në thithjen e investimeve të rëndësishme britanike në Shqipëri, etj.
Berisha pohoi edhe një herë se për qeverinë shqiptare anëtarësimi sa më i shpejtë i vendit në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekt madhor kombëtar dhe qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë çdo masë, të kryejë çdo reformë për ecjen me shpejtësi përpara në këtë proces, të cilin e konsiderojmë një proces të bazuar në meritë.
Obe u shpreh i kënaqur që e merr këtë detyrë në një vit jubilar për historinë e shtetit shqiptar dhe të mbarë kombit shqiptar dhe e garantoi Kryeministrin për angazhimin e tij e të ambasadës së Britanisë së Madhe për bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare, për të promovuar më tej imazhin e mirë të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe për të afruar më pranë dy popujt e konsoliduar miqësinë midis tyre dhe dy vendeve.