E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oborret, rreth 1 500 kalojnë në pronësi

24/07/2009  Drejtori i AKKP-së vendos kalimin e pronësisë 10 ditë nga paraqitja e mandatit të pagesës

Çobaj: Procesi është i hapur. Agjencitë rajonale marrin një vendim për 30 ditë

Të gjithë ata persona që kanë oborre në përdorim mund t’i kalojnë në pronësi. Kreu i Agjencisë rajonale të Kthimit të Pronave, Patriot Çobaj, bën të ditur se ky proces nuk ka afat. Deri më tani në kryeqytet ka pasur një fluks të kërkesave që ka rezultuar me përfundimin e rreth 30 dosjeve për të cilat AKKP-ja ka dhënë vlerësim ligjor për njohje, drejtuar zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndërsa në total, në të gjithë vendin ky numër ka arritur në rreth 1 500 dosje.

Oborret në përdorim

Natyra e dosjeve për oborret që kërkohet të kalojnë nga përdorimin në pronësi është e ndryshme. Sipas kreut të Agjencisë rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ato variojnë që nga sipërfaqet e matura, apo të pamatura, që nga sipërfaqet e dhuruara apo të zëna në mënyrë të paligjshme. Deri më tani pranë këtij institucioni janë depozituar rreth 250 dosje që kërkojnë kalimin në pronësi të sipërfaqeve të oborreve në përdorim, sipas ligjit. Nga këto 130 dosje janë të mbartura nga viti i kaluar, prej të cilave 85 janë riaktivizuar me kërkesë të pronarëve të tyre. Zoti Çobaj bën të ditur për gazetën “Metropol” se ky proces është i hapur në çdo kohë për të gjithë të interesuarit që duhet të paraqiten me dosjet e tyre, sipas kritereve të përcaktuara me vendimin e Këshillit të Ministrave pranë zyrës rajonale të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave. “Fluksi i atyre që kërkojnë të kalojnë oborret nga përdorim në pronësi ka rënë në krahasim me dy muajt e parë kur hyri në fuqi vendimi. Tashmë janë në shqyrtim dosjet që janë depozituar pranë agjencisë sonë. Si procedurë verifikohet përputhshmëria e kritereve të vendosura në vendimin e qeverisë e dokumentacionin që paraqesin të interesuarit”,- thekson zoti Çobaj.

Procedura

Vendimi, i cili është miratuar në shkurt të këtij viti, parashikon që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si institucioni shtetëror ngarkohet me detyrën për të kaluar pronësinë në favor të personave privatë që kanë oborret në përdorim. Sipas kreut të Agjencisë rajonale të Kthimit të Pronave, për ato dosje që nuk plotësojnë kriteret, sipas vendimit, duhet që të kthehet një përgjigje brenda 30 ditëve për kërkuesin. “Ka raste të veçanta për të cilat ne kemi vendosur që të kthejmë përgjigje negative, por këto janë shumë të rralla. Përgjithësisht ka vijuar puna me verifikimin e dokumentacionit dhe verifikimin në terren. Konsultimi i dokumentacionit bëhet me dy institucione të përcaktuara edhe në VKM, që janë Bashkia dhe zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, - thekson Çobaj. Verifikimi nga hipoteka, sa i përket këtyre dokumentacioneve edhe pse ka qenë i vazhdueshëm, nuk ka qenë i mirëstrukturuar. Sipas kreut të Agjencisë rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për Tiranën është e nevojshme që të ketë më tepër angazhim për këtë bashkëpunim, pasi konfirmimi nga hipoteka duhet të jetë më i shpejtë dhe njëkohësisht më korrekt. Procedura vijon me sigurimin e informacionit në këto zyra dhe vlerësimi i dokumentacionit ligjor, por edhe verifikimi në terren i sipërfaqeve të deklaruara.

Pagesa

Sa i përket pagesës, janë punonjësit e zyrës rajonale ata që bëjnë konfirmimin e 2 kategorive me kundërshpërblim ose jo, sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e qeverisë.

“Atyre që u vërtetohet pronësia ose e kanë siguruar me dokumente të rregullta ligjore blerjen e truallit, bëhet dokumentacioni përkatës për kalimin në pronësi të sipërfaqes pa kundërshpërblim. Për pjesën tjetër bëhet dokumentacioni për kalimin në pronësi me kundërshpërblim. “Pagesa është e diferencuar sipas sipërfaqes që kanë aplikantët. Procedura ligjore e vlerësimit bashkë me propozimin e agjencisë rajonale kalon në Agjencinë Qendrore për vendimmarrje”, - thekson Çobaj. Gjatë kësaj kohe është e nevojshme që objekti kërkues të bëjë pagesën për sipërfaqen brenda 10 ditësh, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Pas kësaj periudhe Agjencia Qendrore e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave del me vendim për kalimin në pronësi të sipërfaqes së deklaruar. Pagesa kalon për llogari të buxhetit dhe fondit të kompensimit financiar të AKKP-së.

II. Kushtet

1. Oborret në përdorim tjetërsohen sipas këtij vendimi nëse:

a) Brenda tyre ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim:

- i regjistruar në regjistrat e ZRPP-së në pronësi të kërkuesit;

- i ngritur para datës 10.08.1991.

b) Janë në pronësi të shtetit, ndonëse të paregjistruara si të tilla, por të patransferuara në inventarin e pronave të organeve të qeverisjes vendore, në përputhje me ligjin nr. 8744, datë 22.02.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore” të ndryshuar.

2. Oborret në përdorim tjetërsohen sipas këtij vendimi:

a) Pa kundërshpërblim, në rastin kur e drejta e pronësisë mbi këto sipërfaqe është hequr pa kompensim për shkak të ligjeve të kohës.

b) Me kundërshpërblim, në rastet e tjera. Në këto raste çmimi do të përcaktohet me vlera përkatëse të përcaktuara në vendim.

3. Oborret në përdorim që do të tjetërsohen, sipas këtij vendimi, nuk duhet të kenë qenë më parë objekt kthimi nga AKKP-ja ose ish-komisionet vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave.

4. Sipas këtij vendimi, nuk janë objekt shqyrtimi nga AKKP-ja oborret në përdorim brenda të cilave ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim informal. Ato do të trajtohen në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.

Dosja e rregullt

Nëse dosja juaj është e rregullt, atëherë AKKP-ja i çon ZRPP-së kërkesën për regjistrim, pasi ju të keni bërë pagesën sipas këtij vendimi. Oborri juaj do të regjistrohet si i tillë ligjërisht dhe ju mund të merrni certifikatën e pronësisë. Gjithsesi nga ky vendim nuk përfitojnë ato oborre që janë në përdorim, brenda të cilave ose në lidhje funksionale me to gjendet vetëm ndërtim pa leje, si dhe nuk duhet të kenë qenë më parë objekt kthimi nga AKKP-ja ose ish-komisionet vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Pasi merret njoftimi për pagesën, afati i pagesës është jo më vonë se 30 ditë nga data e marrjes së njoftimit prej Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Shkelja e këtij afati përbën shkak për mospranimin nga AKKP-ja të kërkesës për tjetërsim.

Refuzimi i kërkesës

Nëse Agjencia e Pronave e kthen pas kërkesën tuaj për kalimin e oborrit nga përdorim në pronësi do të thotë se dosja juaj nuk është e plotë, ose ka mangësi të tjera. Një prej tyre mund të jetë fakti që nuk keni bërë pagesën sipas ligjit. “Në rast se AKKP-ja ka vendosur mospranimin e kërkesës për tjetërsim, për shkak të mospagimit të çmimit nga kërkuesi, atëherë kërkuesi mund t’i drejtohet AKKP-së me kërkesë të re, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi”, - thekson vendimi i Këshillit të Ministrave.

Kërkesa e re

Kërkuesi mund t’i drejtohet AKKP-së me kërkesë të re edhe nëse ka paraqitur një kërkesë pranë AKKP-së më parë, por për të AKKP-ja nuk ka dhënë ende vendim, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Këta persona duhet të paraqesin një kërkese të re për tjetërsim, të shoqëruar me dokumentet, që nuk i kanë paraqitur, apo nëpërmjet tërheqjes me shkrim të kërkesës së parë. “Në rast të tërheqjes së kërkesës, AKKP-ja vendos mospranimin e saj për këtë shkak”, - thekson vendimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›