E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëllon me kallash te konviktet për të kërcënuar të dashurën

Një 23-vjeçar është arrestuar ndërsa në gjendje të dehur ka qëlluar me armë në ajër pranë konviktit të studentëve në Elbasan. Policia: Donte të frikësonte të dashurën që e kishte lënë

E ka lënë e dashura dhe një 23-vjeçar nga Elbasani duket se nuk është pajtuar dot me vendimin për t’u ndarë nga vajza studente, ndërsa ka tentuar që me një veprim të dëshpëruar ta binde atë për të vazhduar lidhjen. Dje paradite, pasi ka konsumuar alkool që në mëngjes, Kostandin Dedja i arrestuar tashmë nga policia, ka marrë një armë që e mbante pa leje dhe për të kërcënuar vajzën ka qëlluar në ajër në ambientet e konvikteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Policia që ka ndërhyrë menjëherë dhe ka bllokuar veprimet e tjera të tij, dyshon se ai mund të kishte shkuar në një krim më të rëndë, por i ndaluari nuk ka mundur të shohë vajzën që e kishte braktisur.

Ngjarja

Studentët që banojnë në konviktet shtetërore të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, janë shokuar dje paradite ndërsa kanë parë të riun të armatosur pranë hyrjes së godinës duke shtënë në ajër me kallashnikov. Dëshmitarë të ngjarjes thanë se kanë pikasur që ai ishte i dehur dhe se me të shtënat po kërcënonte vajzën që sipas tij e ka braktisur. “Shërbimet e policisë në Elbasan kanë identifikuar dhe kapur në pak minuta Kostandin Dedjan 23 vjeç, me banim në lagjen ‘Haxhias’ të Elbasanit, pasi gjatë paradites së djeshme ka lëshuar breshëri automatiku në ajër para konvikteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, njoftoi policia. Krismat kanë shkaktuar panik dhe frikë në zonën përreth. Për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar.

Motivi

Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor, i cili ka marrë në pyetje autorin dhe dëshmitarë okularë. Sipas të dhënave paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur në kohën kur 23-vjeçari Dedja ka qenë nën efektin e alkoolit. Duket se gjithçka ka ndodhur për një vajzë. Burime hetimore pohuan se i riu ka kaluar një gjendje jo të mirë shpirtërore për shkak të marrëdhënieve me të dashurën, dhe ka abuzuar me alkoolin. Më pas ka dashur t’i përcjellë asaj mesazhe kërcënimi që të rikthehej sërish tek ai. Kostandin Dedja ka qëlluar disa herë me automatik në mënyrë që krismat të dëgjoheshin në dhomat e konviktit. Ndërhyrja e shpejtë e policisë ka bërë që të parandalohen fatkeqësi të mundshme. Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar armën. Ndërkohë, ndaj autorit është ngritur akuza e “armëmbajtjes pa leje”, si dhe “prishje e rendit dhe qetësisë publike”. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›