E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oferta hileqare e një grabitësi

Nga Altin Ketro

Grabitësi i mandatit të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, ka deklaruar se do bashkëqeverisë me disa anëtarë të stafit të Ramës. Nuk do kishte asgjë të keqe kur një kryetar qeverie, bashkie, komune, etj, pasi ka ardhur në pushtet me zgjedhje të ndershme e të pakontestuara, si dhe kur vetë është një figurë e pastër dhe paimplikuar në afera korruptive, të mbajë anëtarë të stafit të kundërshtarit të tij dhe ata të vazhdojnë të punojnë me atë. Kjo, në vetvete është edhe një vlerësim për kundërshtarin që ka ditur të përzgjedhë njerëz të aftë profesionalisht. Por situata nuk është e njëjtë me atë të përshkruar më lart. Personi që po merr detyrën e ka të grabitur atë. Nëse në 2009-ën, grabitjen e justifikuan se opozita nuk kishte fakte, kësaj radhe faktet janë sheshit, por kaluan afatet e kësisoj faktet e grabitjes nuk marrin vlerë ndëshkuese. Në këtë këndvështrim, kushdo drejtor apo pjesëtar i stafit të Ramës, nuk duhet tia lejojë vetes të punojë me një grabitës. Secili prej tyre ka një bashkëpunim disavjeçar me Ramën dhe ka marrë mbi shpatulla të gjithë akuzat që i janë bërë liderit të opozitës. Rama ka udhëhequr në staf dhe çdo e mirë apo e keqe në punën e tij është pjesë e historisë së tij dhe e stafit që ka drejtuar. Është e kuptueshme që secili ka nevojë për një rrogë, me të cilën do ushqeje familjen, fëmijët e tij. Por, sa të sigurt janë ata pjesëtarë të stafit të Ramës? Basha, domosdo që nuk mund ti heqë në bllok të gjithë, jo vetëm se pjesa më e madhe janë me status nëpunësi, por të ndërrosh personelin e ta zëvendësosh atë brenda një dite/jave është njësoj si ta lësh peshkun pa ujë. Ky staf ka një eksperiencë disa vjeçare, që do të thotë se e di ku pikon çatia, di çdo të plasaritur të shtëpisë. Me të tillë staf di si ta nisësh punën, di ku janë projektet, di sesi ti çosh përpara ato. U pa mjaft qartë gjatë tri javëve të fundit të fushatës sesi nën/Kryetarja, Dhimitri dhe Administratori i Përgjithshëm, Agolli, shpalosën projekte shumë ambicioze të bashkisë për Tiranën e së nesërmes, një pjesë e të cilave do ishin zbatuar qysh 4-vjeçarin e kaluar, por u bllokuan nga  Këshilli Bashkiak, i cili për tri vite rresht nuk miratonte buxhetin e bashkisë. E pra, ky staf, që Basha premton se do e ruajë e do bashkëqeverisë, është thjesht i përkohshëm. Edhe sikur Basha ta ketë seriozisht atë që mendon, nuk do e lënë të tjerët. Një njeri si Basha, i cili është në atë detyrë të grabitur për meritë të të tjerëve, domosdo do zbatojë urdhrat e mirëbërësve të tij dhe kurrë nuk do jetë vetvetja. Ky staf me kalimin e javëve do fillojë tua lërë vendin atyre që sakrifikuan gjatë fushatës. Pra, ky staf do jetë thjesht tranzitor dhe në fund do flaken si limonë të shtrydhur. Babëzia e kontributorëve në grabitje nuk do lejojë që të ketë dëshmitarë nga kundërshtari në punë e tyre të pista që planifikojnë.   Kësisoj, stafi i Ramës nuk duhet të pranojë të bashkëpunojnë me një grabitës, që jo vetëm nuk duhet ta njohin për kryetar, por me dinjitet të japin në mënyrë kolektive dorëheqje. Të pranosh ofertën hileqare të një grabitësi, do të thotë të marrësh mbi vete edhe turpet e tij. Është një moment për të parë sesa e kanë vlerësuar besimin që Rama u ka dhënë gjithë këto vite.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›