E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasan Kostreci, në një pasqyrim të gjallë të jetës nën diktaturë

12-07-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Jeta nën diktaturë është thuajse e panjohur për brezin tonë të ri. Ajo ngjall emocione edhe te brezi që e njeh atë kohë për shkak të moshës kur ankthi për pasigurinë e ditës ishte i pranishëm tek ajo pjesë e popullsisë që gjykonte me pastërtinë e shpirtit, jo me llogaritë e përdhosura që do paguheshin me haraçe të papërballueshme për njerëzit me karakter. Pjesa përfituese ishte, natyrisht, ajo më e vogla, më e pakta në numër. Më e vogla, pó, veçse më e fuqishmja. Ajo të bënte  të pabërën. “Jeta nën diktaturë” është libri i sapobotuar i rrëfimeve të Hasan Kostrecit, që është bërë tepër i njohur, veçanërisht pas promovimit të tij në sallën e madhe të Institutit të Historisë. Autori i “Jetës në diktaturë” , nëpërmjet kujtimesh të trishtuara, të shkruara me ndjenjë e me vërtetësi, bëhet tërheqës për lexuesin qysh në faqet e para “për të nxjerrë në pah atë realitet të hidhur, ku ka qenë e përfshirë edhe jeta e tij”. Nga kjo vepër rinia do të mësojë një copëz jete nën ankth të njerëzve të ndershëm, të cilën e njeh në mënyrë tepër të përciptë. Njerëzit e ndershëm do të ripërtërijnë në kujtesë një periudhë që s’duhet të harrohet, sepse harresa do të ndihmonte jetëgjatësinë e asaj mendësie perverse që kërkohet të gjallojë për interesat e saj të mbrapshta të ruajtjes së privilegjeve të dikurshme, interesa të përftuara në mënyrë meskine. Narracioni i natyrshëm, pa ndërlikime të panevojshme, mbresëlënës në zgjimin e interesit për pamjet  nga më çnjerëzoret e luftës së klasave, janë cilësi shprehëse të autorit me talent letrar, por që i kishte të mbyllura dyert e të shkruarit për publikun e gjerë, me që  ishte shpallur si i padëshirueshëm nga regjimi i diferencimeve klasore. F.Slatina shkruan për ata që nuk mund të shprehnin dot mendimet e tyre të lira, në kohën kur vetë “Realizmi Socialist u hapte rrugën veprave standarde dhe pa vlerë, në më të shumtën e rasteve. Ai vërén në shkrimin e tij se Hasan Kostreci heshti dhe priti një kohë tjetër për të shpalosur kujtimet e hidhura. Ky libër i Hasan Kostrecit përmban një numër të madh, shumë të madh, personazhesh të vërtetë: solidaritetin dhe shpirtmadhësinë e atyre që kishin pas qenë në gjendje dhe u katandisën varfanjakë. Por edhe të atyre grabitqarëve të paskrupullt që krijuan komoditet vetjak, duke u rënë më qafë të pambrojturve. Të gjithë dalin me emër si personazhe dytësorë, por të spikatur në portretizimin që iu bën autori. Në qendër të rrëfimit janë njerëzit e familjes: i ati Fuati dhe e ëma Nuko;  motra e babait; i vëllai, Urani, i burgosur me dënime në burg dhe gruaja Flutura. Në punën e mësuesit të fshatrave, në brigadën ushtarake të punës, në punën si motorrist, dalin një varg personash të pabesueshëm nga regjimi, të kërcënuar, të provokuar dhe të rrezikuar nga një befasi tronditëse që s’dihej se kur do të plaste, si një fatkeqësi e ré. E keqja si një dukuri e një të shkuare që duhet çrrënjosur, në kuptimin e një mendësie rrënimtare për fatet e demokracisë, duhet reflektuar jo për hakmarrje, por për të shëruar pasojat e saj. Libri i Hasan Kostrecit ka vlera të veçanta, në këtë këndvështrim. Se është një pasqyrim i një pene letrare të mirëfilltë, pavarësisht se në mungesë të përvojës së munguar shkrimore, jo për faj të tij. Është thuajse një përjashtim letrar që një individ i talentuar në lëmën e letrave, të  nisë  sprovat e tij në mënyrë të suksesshme, pas daljes në pension, në “Jetë në Diktaturë”, që është, në të vërtetë, një ndriçim i fuqishëm për jetën shoqërore dhe politike të atij regjimi që na zvarriti në prapambetje të përzishme, në krahasim édhe me vendet homologe në Europën ish-komuniste. Nuk po flas për veprën e tij të parë me tregime “Dimër në Luginën e Dimrit” që s’e kam lexuar, por që më nxitet dëshira për lexim, pas entuziazmit që më dhuroi “Jeta në Diktaturë”. Sa për sasinë e librave të shkruar, më ka zgjuar vëmendjen qysh në vogëlí sesi disa shkrimtarë mbetën të shquar vetëm me një libër. Për shembull, Abé Prevói me Manon Leskonë, që përfshiu libretet e mjaft kompozitorëve të famshëm. Ndërsa Rasinit, gjysmë shekulli më parë (sh. XVII) nga romani i Manonit, ç’t’i përmendësh më përpara:  Andromakën, Britanikusin, Ifigjeninë, apo Fedrën, Esterin, Atalinë! Urojmë, megjithatë, që të ndjekë shembullin e këtij të dytit. Le të kemi parasysh Reshat Kripën, që, ndonëse me vonesë për shkak se u arrestua adoleshent për shkak të ngjitjes së trakteve kundër atij regjimi barbar, po e shpërfaq talentin e tij me libra të njëpasnjëshëm të pëlqyer nga publiku ynë. Me sa duket, edhe talentet e ndrydhura shpërthejnë sapo t’u ofrohet mundësia. Duke folur për librin e Hasanit, Reshati përmend ngjarjen kur Kristina, pasi mori vesh lajmin e hidhur të vdekjes së të atit, ua shpërndau ushqimet që kishte prurë, të tjerëve, që kishin ardhur në Burrel për të takuar të afërmit e tyre. Dhe i kujtohet e ëma që u nis nga Vlora për në Bulqizë për ta takuar dhe nuk e lejuan, pasi ai, kohë më parë, kishte lexuar një poezi të një të burgosuri politik që i kushtohej Luftës së Vlorës më 1920 dhe ishte dënuar të mos kishte  takim për tre muaj. “Atëhere nëna, ashtu si Kristina, ia dha ushqimet që kishte prurë për mua, një nëne dibrane”. E pra, ngjarje të tilla në libër ka plot dhe ato të shkaktojnë emocione të forta. “E si të mos emocionohesh kur shikon dy fëmijë, ende të vegjël, si Urani dhe Hasani që janë të detyruar të punojnë në mullirin e fshatit, për një copë bukë misri? Si të mos emocionohesh kur mëson se Uranit i duhej të përballonte në tmerrin e burgut dy lajmet më të hidhura, mbi humbjen e dy njerëzve më të shtrenjtë, babait dhe nënës? Si të mos emocionohesh kur Uranin, pasi e kanë dënuar njëherë e dënojnë për së dyti brenda në burg dhe, kur lirohet, nuk vonon shumë dhe e internojnë në një fshat të shkretë, madje e arrestojnë përsëri?”.
Duket se çdo lexues i moshuar, tashmë,  që ka qenë larg hatëreve me spec të diktaturës, ka pas jetuar episode të tilla si ato që i kujtohen Reshatit. Në vitin 1947 im vëlla, Muzaka, u sëmur rëndë nga meningjiti tuberkular. Ishte një vit më i vogël se unë, por i kishim kaluar vitet e shkollës gjithmonë në një klasë, se prindët atë e çuan në klasë të parë të fillores, 6 vjeç (kur unë isha shtatë). Banonim familjarisht në Tiranë. Në verë ishim vullnetarë pranë Golemit, pasi kishim mbarur vitin e parë të shkollës së mesme. Ishte java revolucionare për nder të shokut Tito, kur më erdhi haberi se Zaka ishte në ditët e fundit. Banderola kudo. Kërkohej të ngrihej norma ndërsa manifestimet e përditshme, pas punës, përfundonin me ovacione për Titon. U orvata të kërkoja leje për disa ditë. Nuk ma dhanë. Më bënë edhe një qortim të rëndë për simulim. S’kaluan as tri ditë kur një veturë me një arkivol të lidhur përsipër makinës, ndaloi në qendrën e Golemit, ku një pjesë e shokëve të mi të klasës vinin traversat e shinave. Skuadra ime dhe unë ishim pranë detit, për ngarkesë rëre. Prindërve të mi u kishte dalë shpërngulja dhe qe e pamundur të shtyhej kjo, qoftë édhe për shkak të vdekjes së djalit. Varrimi do të bëhej në Fier. Kur u ktheva nga vendi i punës, pashë shokët e mi të klasës, që kishin mbetur aty pranë traversave, me lot në sy. E kuptova ç’kishte ndodhur. Atë ditë u betova në veten time se do të isha i papajtueshëm me komunistët, por edhe me ata që bënin lojën e tyre. Kastriot Devishi ka bërë një shkrim për këtë ngjarje.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›