E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arroganca ndaj drejtësisë dhe parcelizimi i saj

Nga Blerina Gjoka

Ilir Meta sulmoi dje, pa iu dridhur qerpiku,  prokurorinë shqiptare duke e quajtur  sigurim shteti, celulë politike, esktremiste, etj. Një fjalor me tepër se arrogant, i frikshëm. Me këtë arrogancë Ilir Meta pretendon se flet në emër të qytetarëve që sipas tij na vuakan aq shumë nga drejtësia e mangët që vjen prej paaftësisë së prokurorisë.  Por ai nuk flet e ska si të flasë në emër të qytetarëve që vuajnë nga mungesa e drejtësisë që vjen jo si pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të prokurorisë por të gjyqësorit. Që ka qytetarë si ato të Gërdecit që enden prej vitesh në salla gjyqesh, sallë nga e cila Ilir Meta ska frikë se është i sigurt që do dalë fitimtar, e nuk marrin drejtësi, por fyhen në ligjshmërinë e dhimbjes së tyre. Fjalori me të cilin kreu i LSI-së, të cilit iu desh që të jepte dorëheqjen nga detyra e zv/kryeministrit disa muaj më parë, i drejtohej prokurorisë ishte i frikshëm dhe paralajmërues.  Ai e paralajmëronte institucionin e pavarur të akuzës për reforma. Në të kundërt e falenderonte dhe e vlerësonte vendimin e Gjykatës së Lartë për rrëzimin e ekspertizës së video-skandalin, ku Meta shfaqej duke ofruar ryshfet e duke kërkuar ndere e pazare me tenderat nga ish vartësi i tij ministër, Dritan Prifti. Është e lehtë të kuptohet se arroganca dhe fjalori frikësues i tij buronte nga karrigia e pushtetit që ai po e gëzon në bashkëqeverisje me PD-në por që pritet ta rifitojë edhe formalisht duke u bërë sërish pjesë e kabinetit qeveritar.  Po ashtu mund të nuhatet fundi i kësaj historie, kur zotëria që u pa me zë e figurë nga të gjithë shqiptarët duke i kryer ato veprime për të cilat akuzohet, duket i qetë për përfundimin e gjykimit. Për të etapa më e fortë e vështirë është fituar. Gjykata ka rrëzuar ekspertizën e bërë nga prokuroria për videon duke kërkuar një ekspertizë të re, dhe këtë herë duket se do të jetë një ekspert i rekomanduar nga avokatët mbrojtës të Metës.  Ndaj politikani Meta, për të cilin nuk besoj se ekziston akoma ndokush në vend që beson se është i pakorruptuar  (për fatin tonë të keq korrupsioni në shoqërinë shqiptare është i institucionalizuar)  u shfaq dje i qetë që do të gjykohej  nga një gjykatë kryetarja e së cilës është në një konflikt të hapur interesi në këtë çështje.  Shpresa Breçaj përmendet nga Meta në videon në fjalë i cili thotë se me Shpresën e kemi rregulluar se i kam çuar vajzën në ambasadë. Kjo frazë e implikon Brecajn dhe gjithë Gjykatën e Lartë në gjykimin e kësaj çështje duke mos dhënë asnjë shpresë për një gjykim të paanshëm e të drejtë. E ndërkohë Ilir Meta me akuzën ndaj prokurorisë vetëm sa ka theksuar më shumë parcelizimin e drejtësisë në Shqipëri. Prokuroria padit, gjykata liron.  Prokuroria heton, gjykata e rrëzon për tejkalim afatesh dhe më keq prokuroria arreston, gjykata liron. Drejtësia tek ne nuk është një, është dy, që në vend që të bashkëpunojnë për qëllim e madh të vendosjes së drejtësisë, shfaqet si dy anë të kundërta të së njëjtës medalje. Në këtë rast skemi pse të mos jemi dakord me Metën kur thotë se duhet reformë në drejtësi, por sigurisht këtë reformë smund të bëjnë njerëz si Meta e përbërja e parlamentit shqiptar. Që të kemi një drejtësi të paanshme e të drejtë së pari duhet të kemi një klasë politike vizionare që të pranojë e të respektojë pavarësinë e drejtësisë duke mos e sulmuar atë, duke mos e frikësuar atë me presione, por duke iu nënshtruar verdiktit të saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›