E Diel, 1 Nëntor 2026

Oficeri i SHISH, 20 minuta në zyrë para vdekjes, dosja “sekrete” që mori me vete

SHKRUAN: Habjon Hasani 26-10-2011 11:46

Vdekja misterioze e shefit të Kundërzbulimit të SHISH hetohet mes pistave të vrasjes dhe vetëvrasjes. Zbardhen orët e fundit të Isa Çopës, biseda me mbesën për bidonin bosh, refuzimi për të ngrënë drekë në shtëpi dhe rikthimi në zyrë për 20 minuta, ku dyshohet se ka marrë dokumente. Makina e shkrumbuar me trupin e pajetë u gjend nga antena e celularit

Durrës Një ekzekutim i kamufluar apo vetëvrasje? Hetues të policisë, Prokurorisë dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilët po hetojnë rrethanat misterioze të vdekjes së kryetarit të Degës së Kundërzbulimit, Isa Çopa nuk kanë përjashtuar asnjë nga versionet. Gjatë gjithë ditës së djeshme është punuar për të zbardhur orët e fundit të jetës së oficerit dhe itinerarin e ndjekur prej tij, në bazë të dëshmive dhe provave të mbledhura. Sipas hetimit të bërë nga policia, Isa Çopa ka kaluar një ditë normale pune, deri në orën 17:15 minuta të së hënës. Më pas ka lënë zyrën e është drejtuar për në shtëpi. Fillimisht ka shkuar tek shtëpia e mbesës, e cila ndodhej ngjitur me të tijën dhe i ka kërkuar asaj një bidon 5-kilësh bosh. Më pas është përshëndetur me familjarët e tij dhe u ka thënë se do ikte, pasi kishte punë. Sipas burimeve nga policia, e shoqja e oficerit të SHISH-it, Arta Çopa ka këmbëngulur që të qëndronte dhe të hante drekë, por ai nuk ka pranuar. “Ky version është dëshmuar në polici nga mbesa e Çopës, e cila i kishte dhënë atij bidonin”, -pohojnë burime të policisë për “MAPO”-n.

Misteri i dokumenteve

Më pas, 49- vjeçari është kthyer sërish drejt zyrës së tij, në godinën e Shërbimit Informativ të Durrësit. Kolegë të tij e kanë konfirmuar këtë fakt, duke pohuar se oficeri i lartë ka qëndruar rreth 20 minuta në zyrë dhe më pas ka dalë sërish që aty. Hyrja dhe dalja e tij në këtë institucion konfirmohet dhe nëpërmjet librit të prezencës së SHISH në Durrës. Policia ka të dhëna se në zyrë ai ka marrë disa dokumente me vete, këtë gjë e kanë dyshuar dhe kolegët e tij. E megjithatë, pritet një konfirmim zyrtar i këtij fakti nga SHISH në ditët në vazhdim, pasi të analizohet protokolli i institucionit dhe skrivania e tij. Pasi ka dalë nga zyra, Isa Çopa është nisur në drejtim të Currilave, në zonën e quajtur “Plazhi i Gjermanit”. Të dhënat e policisë tregojnë se ai ka udhëtuar i vetëm me automjetin e tij.

Mesazhi për të birin

Rreth orës 17:50 minuta, nga njëri prej telefonave të tij është dërguar një sms në drejtim të telefonit të të birit 16-vjeçar. Teksti ishte shqetësues për të afërmit, e reagimi i 49-vjeçarit gjithashtu. “Bëhu i fortë, ji gjithmonë krenar, mbështetu tek nëna jote. Çaje të ardhmen vetë”. Zyrtarë të policisë së Durrësit konfirmojnë se nga analiza që u është bërë antenave të kompanisë celulare rezulton se në momentin kur ka dërguar mesazhin, telefoni i oficerit të SHISH ndodhej në zonën pranë “Plazhit të Gjermanit”, pranë vendit ku u gjend trupi i tij. Pasi i ka dërguar këtë mesazh të birit, ky i fundit e ka marrë menjëherë në telefon, por thirrja është refuzuar në krahun tjetër dhe më pas telefonat e Çopës janë fikur. Në këtë moment, familjarët janë vënë në lëvizje dhe kanë kërkuar ndihmë në polici. Policia ka nisur gjurmimin e mesazhit telefonik nëpërmjet qelizave të antenave të kompanisë celulare dhe në orën 23:10 të së martës policia mundi të lokalizonte automjetin e shkrumbuar tërësisht dhe brenda tij, në sediljen e pasme oficerin Çopa.

Si u gjend trupi i shkrumbuar

“Qelizat e antenave mundësuan gjetjen e vendit dhe të trupit të viktimës. Të njëjtat qeliza konfirmojnë se aty është dhe vendi ku u dërgua mesazhi. Ajo zonë, sidomos tani në dimër është krejtësisht e pabanuar dhe ka pranë vetëm një repart ushtarak. Nga dëshmia që na ka dhënë një roje pranë repartit, na është thënë se rreth orës 19:00 është dëgjuar një shpërthim. Ne mendojmë se ky është momenti kur flakët kanë shkaktuar shpërthimin e serbatorit të makinës’, - u shpreh dje një zyrtar i policisë së Durrësit. Fillimisht, hetuesit e policisë, pasi kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar dëshminë e mbesës për marrjen e bidonit, kanë menduar se bëhej fjalë për një vetëvrasje. Por pas daljes së rezultateve të autopsisë dhe rrethanave të tjera të pashpjegueshme, pista e vrasjen së oficerit 49-vjeçar është gjithashtu zyrtare.

Dilemat e hetimit

“Në fillim, kur kemi këqyrur vendin e ngjarjes, pamë trupin tërësisht të karbonizuar dhe disa plagë në kokë. Në ekipin tonë në Durrës është dhe një nga ekspertët më të mirë të kriminalistikës që ka ekzaminuar shumë raste të djegies. Pasi pa plagët në kokë dhe karbonizimin e lartë të trupit, ai u shpreh se ishte një ndër rastet klasike të djegies. Sipas tij, viktima pasi nis të ndjejë djegien, nga reflekset e pakushtëzuara lëviz me forcë, ç’ka mund të krijohen plagë dhe fraktura të ndryshme. Por ky është vetëm njëri opsion i mundshëm i shpjegimit të plagëve në kokë”, - u shpreh dje për MAPO-n një zyrtar i policisë së Durrësit. Në vendngjarje, policia ka gjetur pistoletën e djegur të viktimës brenda në makinë, dy telefonat e tij të shkrirë si dhe një gëzhojë, plumbi i së cilës nuk ka goditur viktimën. “Ka mundësi që fisheku të ketë plasur nga nxehtësia”, - shpjegojnë ekspertët, që megjithatë nuk lënë mënjanë asnjërën prej pistave. Sipas hetuesve të policisë së Durrësit, dy janë momentet të cilat e bëjnë të dyshimtë skenën e krimit. Së pari, vajtja në zyrë e viktimës pak minuta përpara se të shkonte në një zonë të shkretë dhe dyshimi mbi vetëvrasjen e kryer me djegie me benzinë, nga një oficer në karrierë i SHISH-it që mbante në brez një pistoletë…

Vrasje apo vetëvrasje? Pritet testi i asfiksisë

Hetimet për zbardhjen e vdekjes misterioze të oficerit të SHISH, Isa Çopa po zhvillohen nga policia e Durrësit, Shërbimi Informativ dhe Mjekësia Ligjore.

“Përshkrimi i Mjekësisë Ligjore është një rezultat orientues për ne. Megjithatë, mjekët na kanë thënë se në orët në vazhdim do të bëjnë dhe ekzaminimin e organeve të brendshme jetësore. Kjo do të bëhet për të përcaktuar shkencërisht nëse plagët janë shkaktuar për shkak të përpëlitjeve apo si pasojë e një goditjeje nga persona të tjerë. Këtë mund ta përcaktojë shkencërisht, nëse zbulohet momenti i asfiksisë së trupit. Pra, nëse plaga në kokë është shkaktuar përpara momentit të asfiksisë, atëherë është shkencërisht e vërtetuar se mbi të është ushtruar dhunë”, - thanë dje burime nga policia e Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›