E Diel, 1 Nëntor 2026

Pista e vetëvrasjes zemëron të afërmit: E dogjën si mos më keq

SHKRUAN: Habjon Hasani 26-10-2011 11:56

Të afërmit e oficerit të SHISH-it, Isa Çopa, hedhin poshtë dyshimet e policisë për një vetëvrasje të mundshme. Bashkëshortja: Nuk kam asnjë koment. Ne kemi humbur, na ndodhi e keqja

Durrës Në ceremoninë mortore të oficerit të SHISH-it, Isa Çopa dhe në shtëpinë e tij ka dhimbje për vdekjen e beftë, po aq sa zemërim. Me gjithë dyshimet e policisë për një vetëvrasje të mundshme, asnjë dilemë nuk dallon tek të afërmit e oficerit 49-vjeçar, të cilët kërkojnë një autor për ngjarjen. “Lëreni more, çfarë dëgjoni se janë turp këto! Aty s’do shumë mend që është vrasje. E kanë djegur si mos më keq. Sikur të ishte kafshë, jo njeri”, - thotë një i afërm i oficerit të vrarë në ceremoninë e varrimit, ndërsa komenton ngjarjen shokuese me miq dhe të afërm të tij. I irrituar me versionin zyrtar të policisë, familjari i shefit të degës së kundër-zbulimit që u gjend i shkrumbuar në makinën e tij ,thotë me bindje se kjo histori nuk do të mbyllet me aq. “Ne kemi për t’i shkuar deri në fund këtij muhabeti dhe nuk do gjejmë rehat pa e zbardhur”, - shton ai, ndërsa komenton versionin paraprak të hetimeve, të publikuar në media. I njëjti qëndrim e zemërim lexohet edhe tek rrethi i ngushtë familjar i Isa Çopës, të cilët kanë preferuar të vuajnë në heshtje, larg pranisë së medias. Bashkëshortja e oficerit të vrarë, Arta Çopa, e kontaktuar nga MAPO u shpreh fillimisht se nuk kishte asnjë koment për ngjarjen. Ajo bëri të qartë se familja kishte marrë vendimin për të mos folur për mediat, e motra e saj u shpreh se “jemi shumë të habitur nga ajo që kemi dëgjuar për vetëvrasjen, me kaq siguri! A nuk u është dukur dhe juve kështu?”. Bashkëshortja e oficerit të ndjerë dhe e motra e saj janë shprehur se vendimi i familjes ishte i prerë, nuk do të komentonin atë që ndodhi. “Do të ndryshonte ndonjë gjë nëse do flisnim? Ne kemi humbur, sot ne kemi humbur, na ndodhi e keqja”, - thotë Arta Çopa, e cila tërhiqet më pas në mjediset e brendshme të shtëpisë, përkrah së motrës. Dyshimet për një vetëvrasje të mundshme nuk “kapërdihen” as nga fqinjët e 49-vjeçarit, të cilët e njohin mirë oficerin që punonte prej 12 vitesh në Shërbimin Informativ Shtetëror. “Unë e njoh që të vogël, jemi fqinjë prej vitesh. Janë rritur me vështirësi ekonomike në kohën e komunizmit dhe këto 15 vitet e fundit ata kishin nisur të jetonin në normalitet. Isai ka mbaruar Shkollën e Bashkuar, punoi në polici deri nga viti 1998 dhe më pas nisi në Shërbimin Informativ”, - thotë fqinji i tij i moshuar, i cili shton se e njeh prej disa dekadash e nuk ka njohur një njeri të vetëm të ketë pasur shqetësim prej Isa Çopës. “Ndoshta diku ka shkelur në kallo, për shkak të punës, nuk e di ç’të them. Ne jemi shumë të shokuar’, - është shprehur dje fqinji i oficerit të SHISH-it. Befasia e vdekjes së tmerrshme të Isa Çopës është komentuar dje jo vetëm nga të afërmit, por edhe dhjetëra njerëz që merrnin pjesë në ceremoninë mortore të tij. Varrimi i zyrtarit të SHISH-it të Durrësit u zhvillua dje me ngut, për shkak të djegieve të rënda të trupit të tij. Qindra qytetarë të Durrësit, të njohur të oficerit, të afërm por edhe punonjës të Shërbimit Informativ dhe të strukturave të sigurisë shtetërore kanë nderuar kolegun Çopa dhe pakkush prej tyre ka preferuar të flasë mbi motivet e mundshme të kësaj vdekjeje, e cila ende lëkundet mes dilemës së vrasjes dhe vetëvrasjes. Isa Çopa 49 vjeç, la pas djalin e tij të vetëm, Redianin,16 vjeç. Bashkëshortja e tij, Arta punon si mësuese matematike në një shkollë të qytetit, ndërsa djali është në vitin e parë të gjimnazit.

Autopsia: Fraktura në kokën e Çopës, asnjë shenjë plumbi

Mjekësia Ligjore ka hedhur poshtë dyshimet se Isa Çopa ka goditur veten me plumb në kokë. Gjenden fraktura dhe dëmtime në pjesën e pasme të kafkës

Fraktura dhe dëmtime të dukshme, por asnjë shenjë plumbi në kokën e oficerit të SHISH-it, Isa Çopa. Ky është përfundimi i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, të cilët udhëtuan dje drejt Durrësit për të kryer autopsinë e trupit të pajetë, të shkrumbuar brenda makinës. Të pyetur nga MAPO, burime nga Mjekësia Ligjore thanë se mbetet e papërcaktueshme një goditje me plumb në trup, për shkak të djegieve të rënda të viktimës. “Ndërsa në kafkë nuk ka asnjë shenjë të penetrimit të plumbit, por ka fraktura dhe dëmtime të dukshme”, - thanë burime nga Mjekësia Ligjore. Të pyetur për shkakun e këtyre frakturave, ekspertët pohojnë se mundësia më e madhe është përdorimi i dhunës, burimi i së cilës mbetet ende mister. “Nga këqyrja e plagës në kokë, forma dhe thellësia e saj paraprakisht të favorizon si shkak dhunën”, - shtojnë më tej burimet. E ndërsa këqyrja e trupit të shkrumbuar të oficerit të SHISH-it nuk i ka dhënë zgjidhje dilemës mbi një vrasje apo vetëvrasje të tij, një tjetër test pritet me interes nga hetuesit e çështjes. Burime nga grupi hetimor i thanë “MAPO”-s se sot pritet të realizohet testi i asfiksisë, për të përcaktuar nëse vdekja ka ardhur nga djegiet apo nga shkaqe të tjera. Rezultatet e Mjekësisë Ligjore pritet të jenë përcaktuese për zbardhjen e vdekjes së Isa Çopës, shef i degës së kundër-zbulimit në SHISH-in e Durrësit. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ekspertët e policisë i fokusuan hetimet si në pistën e vetëvrasjes, ashtu edhe në atë të vrasjes, ndërsa versioni i saktë i kësaj ngjarjeje pritet të zbardhet në ditët e ardhshme.

Policia: Vetëvrasja, pista kryesore

Policia e Durrësit, përmes një deklarate për shtyp të zëdhënëses ka mbështetur pistën e vetëvrasjes së Isa Çopës, pa përjashtuar ende atë të vrasjes. “Në orën 00:30 të së martës, në vendin e quajtur ish-reparti ushtarak në Currila u konstatua një automjet tip “Opel Corsa”, ngjyrë vishnje, me targa të Tiranës, në gjendje të djegur, brenda të cilit ndodhej trupi i pajetë i shtetasit Isa Çopa. Nga këqyrja rezultoi se mjeti ishte i djegur tërësisht, brenda tij u gjetën gjithashtu në cilësinë e provës materiale një armë zjarri, një pistoletë “Makarov”, që rezultoi të jetë arma e tij, si dhe një gëzhojë. Rreth orës 16:30 të së hënës, Isa Çopa ka shkuar në banesën e motrës së tij, ku ka marrë një bidon plastik 5 litërsh, që dyshohet se ka transportuar me të lëndën djegëse që shërbeu më pas prej tij. Rreth orës 18:30, ky shtetas i ka dërguar një sms lamtumire djalit të tij me telefon dhe më pas ka humbur kontaktet me familjarët e tij. Tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme çon në konkluzionin se kemi të bëjmë me një vetëvrasje. Hetimet po vazhdojnë në të gjitha pistat, por pista kryesore mbetet ajo e vetëvrasjes. Edhe pista e vrasjes është një ndër pistat në të cilat hetohet”, - tha dje zëdhënësja e Policisë së Durrësit.

SMS për djalin

“Bëhu i fortë, ji gjithmonë krenar, mbështetu tek nëna jote. Çaje të ardhmen vetë”. Ky mesazh tekst ka mbërritur në telefonin e djalit të Isa Çopës, Redianit, në orën 18:30 të së hënës. Më pas, oficeri i SHISH-it ka fikur telefonin. Familjarët janë alarmuar pas mesnate, kur Isai nuk po kthehej në shtëpi dhe kanë sinjalizuar policinë, e cila e gjeti 49-vjeçarin të karbonizuar në makinën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›