E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ohër, dita e dytë e takimit të katër presidentëve

OHER- Në Ohër zhvillohet dita e dytë e takimit rajonal të presidentëve të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Në ditën e dytë të këtij takimi Samiti i Ohrit 2011, presidentët Gjorgje Ivanov, Bamir Topi i Shqipërisë, Atifete Jahjaga e Kosovës dhe Filip Vujanoviq i Malit të Zi pritet të dalin me nisma për projekte të përbashkëta rajonale, sidomos në sferën e infrastrukturës dhe lidhjeve energjetike.

Ky është takimi i tretë i presidentëve në këtë përbërje shtetesh, pas atyre në Vlorë në vitin 2009 dhe në Prizren në vitin 2010.

Presidenti Ivanov do të propozojë një listë të mundësive për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe do të apelojë për tu përcaktuar prioritetet ku do të fokusohet bashkëpunimi. Ivanov gjithashtu do të kërkojë që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të rajonit të takohen më shpesh dhe jo vetëm një herë gjatë vitit.

Organizatorët e takimit kanë organizuar shëtitje me anije me presidentët në Liqenin e Ohrit, pjesëmarrje në hapjen solemne të edicionit të 51 të Festivalit Vera e Ohrit 2011 si dhe një drekë pune.

Presidentët Topi, Jahjaga dhe Vujanoviq janë të akomoduar në hotelin Ineks-Gorica, në afërsi të rezidencës së presidentit Gjorgje Ivanov në vilën Biljana.

Qyteti i Ohrit, për shkak të këtij takimi rajonal, është nën masat e një regjimi të posaçëm të komunikacionit dhe me lëvizje të kufizuara në disa drejtime. (INA)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›