Ohër, tre vjet nga tragjedia e anijes “Ilinden”

Sot mbushen tre vjet nga tragjedia që ndodhi në ujërat e Liqenit të Ohrit, kur si pasojë e fundosjes së anijes “Ilinden”, vetëm 200 metra nga bregu, humbën jetën 15 turistë bullgarë ndërsa u shpëtuan 38 të tjerë.
Gjykata e Ohrit dënoi me 1 vit kapitenin e anijes “Ilinden” Sotir Fileski dhe përfaqsuesit të kompanisë së sigurimeve “Llojd” nga Gjermania, Branko Bajiç, që kishte dhënë certifikatën e sigurisë dhe të kontrollit teknik të anijes.
Tre vjetori i kësaj tragjedie ujore, që është tragjedia më e madhe në ujërat e Liqenit të Ohrit, mbase edhe në këtë pjesë të rajonit, do të shënohet sot në Ohër, në organizim të Shoqatës së qytetarëve “5 Shtatori” nga Ohri, duke vënë lule në monumentin përkujtimor dhe me aktivitete tjera.
Aktivitetet për shënimin e kësaj date, kanë filluar që ditën e djeshme, kur kryetari i komunës së Ohrit, u dorëzoi Mirënjohjen edhe dy mjekëve nga Beogradi, Zhaklina Spasiç dhe Gordana Dimitriç, që atë ditë-5 shtator 2009, kanë qëlluar aty në plazhin “Eleshec” dhe kanë ndihmuar në shpëtimin e të aksidentuarve dhe kanë dhënë ndihmën e duhur mjekësore së bashku me shumë të tjerë.
Nga ana tjetër, 32 turistët bullgar që kanë mbijetuar këtë tragjedi, kanë paralajmëruar se do të ngrejnë kallëzim penal ndaj kompanisë së sigurimeve ndërsa kërkojnë kompensimin e dëmit me gjysëm milioni euro.