E Diel, 1 Nëntor 2026

Ohri, si "contradictio in adjectivo"

Ballkani nuk mund të jetë një njollë e zezë

Sapo përfundoi Samiti i 15-të i Kryetarëve të Shteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore, në Ohër të Maqedonisë. Tema kryesore e këtij samiti, kanë qenë "Integrimi, mundësia për një ekonomi më të fortë dhe më konkurruese, si dhe perspektiva energjetike dhe sfidat e saj". Presidenti i Sllovenisë, Danillo Turk, vendi i të cilit kryeson BE-në, deklaroi në samit se nuk mund të mendohet që Ballkani të mbetet një "njollë e zezë" në hartën e Evropës.

Në fund të takimit, përfaqësuesit e 17 vendeve firmosën një rezolutë, në të cilën theksohet se: "Rajoni nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç integrimit në Bashkimin Evropian". Dhe se, "vendet duhet të zbatojnë reformat deri në fund, ndërsa BE-ja duhet të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e tyre", apo akoma, se "një furnizim konstant me energji elektrike, transporti cilësor dhe infrastruktura e telekomunikacionit në nivel lokal dhe rajonal, janë premisa për rritje ekonomike të vendeve të rajonit". Madje, procesi i integrimit Euroatlantik nuk mund të jetë i suksesshëm pa anëtarësimin e plotë të vendeve ballkanike në NATO dhe BE. Siç shihet, në thelbin e vet, ky samit, krahas ruajtjes së "reminishencave", nuk solli ndonjë gjë të re, veçse ritheksoi atë që dihej e pranohej nga të gjithë (përveç krahut nacionalist e radikal në Serbi!). Pra, që Evropa të jetë e hapur për vendet e Ballkanit, se pa një perspektivë të qartë evropiane do t'i mungonte e ardhmja politike dhe ekonomike Ballkanit Perëndimor.

Krahas fjalëve të hapjes të presidentit maqedonas, Branko Cërvenkovski, të kryeministri Nikolla Gruevski dhe të ftuarit të posaçëm, presidentit turk, Abdullah Gyl, në samit e morën fjalën të gjithë kryetarët e shteteve të pranishme (Shqipëria, Kroacia, Moldavia, Bullgaria, Republika Çeke, Mali i Zi, Serbia, Austria, Ukraina, Polonia dhe Bosnjë-Hercegovina). Rumania dhe Italia u përfaqësuan aty në nivel ambasadorësh, ndërsa një simbolikë të veçante mbështetëse kishte dhe pjesëmarrja e presidentin gjerman, Horst Këler (Köhler).

Pse Kosova u pa si "njollë e zezë" nga pala organizatore?

Por, a mund të shpjegohet mungesa e përfaqësimit të Kosovës në këtë samit? Justifikimi gjoja "diplomatik" i palës maqedonase me kohën konkrete të paracaktuar për samitin shumë më parë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk mund të konsiderohet fare i mbështetur. Në fakt, para samitit, ka pasur debate nëse duhej të ftohej aty presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Madje, për këtë duket se dhe është "manipuluar" praktika e 15 viteve të fundit, sikur gjoja, në samite të tilla, procedurat e takimit të kryetarëve të shteteve janë zhvilluar gjithmonë në bazë të mirëkuptimit apo vendimeve të përbashkëta. Me fjalë të tjera, në këtë rast, me që një pjesë e vendeve pjesëmarrëse nuk e kanë njohur ende Kosovën, nuk mund t'i dërgohej ftesë dhe asaj! Por, këtu qëndron dhe "paradoksi" sidomos në lidhje me tematikën qendrore të samitit. Prandaj duhej këmbëngulej fort nga pala shqiptare, duke shfrytëzuar dhe mbështetjen e shteteve, që e kanë njohur tashmë Kosovën si shtet i pavarur.

Një këmbëngulje e tillë bëri që në një samit të kësaj natyre, të organizuar në Tiranë afro 6 vjet më parë, të ftoheshin si administratori Shtajner (Steiner), ashtu dhe presidenti Rugova (i cili, për arsye të pashpjeguara, nuk erdhi në samit). Bile, Shtajnerit, me kërkesë të përsëritur të tij, iu dha fjala për t'u shprehur në emër të Kosovës, përpara përfaqësuesit të Serbisë...

Me mungesën e kësaj këmbënguljeje, por dhe me një veprimtari diplomatike të kohëve të fundit, sa euforike (në lidhje me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO), po aq të zbehtë (në lidhje me shtrirjen e njohjes në vazhdimësi të pavarësisë së Kosovës), mund të shpjegohet dhe deklarata jo miqësore e presidentit Cervenkovski, sipas të cilës: "Republika e Maqedonisë nuk është pozicionuar ende përfundimisht lidhur me pavarësinë e Kosovës. Për këtë arsye, Maqedonia si vend mikpritës nuk mund të ftojë në samit asnjë vend, kundrejt të cilit ne nuk jemi pozicionuar qartë, nëse bëhet fjalë për një shtet të pavarur". Apo pohimi i tij se një Kosovë e pavarur paraqet kërcënim për stabilitetin e Ballkanit, pohim që nga qeveria e Kosovës u vlerësua thjesht si një deklaratë elektorale, ndërsa blloku opozitar e konsideroi atë si një dyfytyrësi të politikës maqedonase, që nuk kontribuon në formimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve. Po kështu, presidenti serb Boris Tadiç, në samit, u shpreh se Beogradi nuk do të pranojë asnjë marrëveshje mes Shkupit dhe Prishtinës, pa praninë e autoriteteve të Beogradit...

Kështu, samiti, në mungesë të përfaqësimit të Kosovës, debatoi për Kosovën. Madje, ajo ishte pjesë kryesore e debateve dhe e kundërshtive të shfaqura apo të pashfaqura, si brenda samitit, ashtu dhe para kamerave. Por, a mund të kishte kuptim një gjë e tillë?! A mund të integrohet realisht Ballkani Perëndimor në BE duke lënë akoma një "njollë të zezë" në hartën e tij? Pra, a mund të zhduket një njollë e zezë si Ballkani Perëndimor përkundrejt BE-së, duke mbajtur një të ngjashme si Kosova brenda tij? A mund të ketë një infrastrukturë të përbashkët, një bashkëpunim e shkëmbim të gjithanshëm për "një furnizim konstant me energji elektrike, transport cilësor dhe infrastrukturë telekomunikacioni në nivel lokal dhe rajonal", si " premisa për rritje ekonomike të vendeve të rajonit", pa përfshirë Kosovën dhe mundësitë konkrete të saj? Veçanërisht pozicionin e saj dhe rezervat energjetike.

Në këtë optikë konkrete, pavarësisht fjalëve të përsëritura dhe të stërdëgjuara me shumicë, shpesh të lodhshme për shpeshtësinë e tyre, samiti nuk ndihmoi në mbylljen e procesit të analizës për t'i hapur dyert sinqerisht sintezës (integrimit) rajonal- si stimul për integrimin euro-atlantik dhe evropian. Sepse pa Kosovën si shtet i pavarur dhe pranimin e saj, bashkëpunimin e plotë me të, gjithçka mbetet në nivel retorike, diku më pamje elektorale, diku me konkretizim nacionalist. Por më e keqja është se ajo reflektohet dhe në mjaft aspekte të tjera! Ndoshta, duke e kuptuar një thelb të tillë, presidenti çek, Vaclav Klaus synoi me të drejtë ndërtimin e një "ure". Ai, në fjalimin e tij, kërkoi miratimin e një deklaratë, sipas të cilës Kosova të konsiderohej si një rast unik, dhe se modeli i Kosovës nuk mund të përdoret në asnjë vend tjetër të Evropë...

Ballkani dhe procesi i integrimit

Ballkani është pjesë e Evropës jo vetëm nga ana gjeografike, por edhe nga ana gjeopolitike e historiko-kulturore. Për të qenë të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrueshëm dhe të integruar në Evropë, pa dyshim që dy objektiva mbeten kryesorë: anëtarësimi në NATO e integrimi në BE. Në përputhje me këto dy orientime madhore të rajonit tonë dhe në shërbim të tyre, ne duhet të bashkëpunojmë me këdo dhe me çfarëdo strukture vendore, rajonale e ndërkombëtare, që i shërben këtij pikësynimi. Por dhe të reagojmë me forcë e kurajë kur diçka nuk shkon. Në këtë kuptim mos përfaqësimi i Kosovës në samit ishte një rast i tillë mungese force.

Nga ana tjetër, çdo përpjekje apo ndikim për t'iu kundërvënë apo larguar këtyre dy objektivave e orientimeve të qarta, si p.sh, nga një pjesë e politikës në Beograd, nuk mund të përcaktojë më zhvillimet në rrethana tashmë krejtësisht të reja. Për më tepër, që një pozicionim i tillë, detyrimisht, është e destinuar të dështojë. Edhe në se jo sot e nesër, patjetër pasnesër.

Tashmë po kuptohet gjithnjë e më mirë, më shumë nga njerëzit e thjeshtë sesa nga politika aktuale ballkanike, se integrimi ynë i vërtetë rajonal i shërben më së miri objektivit madhor të integrimit evropian e euroatlantik. Pa harruar dhe faktin që për vendet tona tani është e qartë, ndryshe nga euforia fillestare, se rregullat e ekonomisë së tregut dhe ato të sistemeve të hapura politike ndryshojnë krejtësisht prej atyre të ekonomive të mëparshme të centralizuara e të komanduara, dhe nga ato të sistemeve politike të mbyllura e autoritare të mëparshme. Por, në të njëjtën kohë duket si e vështirë që të përfytyrohet se, në mënyrë automatike, rregullat dhe kërkesat për ekonomitë e dobëta të tregut, akoma jo vetë-gjeneruese, apo ato për sistemet politike të sapo hapura, mund të bëhen menjëherë të ngjashme me ato të vendeve anëtare të BE-së, të stabilizuara prej kohësh ekonomikisht e politikisht. Ky është një parakusht i fortë, që mund të krijojë, nga njëra anë, një vonesë të panevojshme për vendet e Ballkanit Perëndimor për t'iu bashkuar sa më shpejt familjes evropiane, por nga ana tjetër dhe një hendek me prirje thellimi midis vetë këtij rajoni dhe BE-së. Për të kapërcyer këtë situatë, në thelb, sa nxitëse, po aq dhe kontradiktore, kërkohet edhe më shumë vizion, më tepër shikim perspektiv, jo vetëm udhëheqje e vendosur e këmbëngulje e qartë, rajonale e evropiane, por dhe më shumë solidaritet e humanizëm, sepse proceset e anëtarësimit në BE apo NATO, janë më shumë se thjesht statistikë shifrash, më tepër se një bashkësi rregullash të palëvizshme, më shumë se "ushtrime" me karakter institucional-social e ekonomiko-financiar. Dhe, për fat të mirë, realiteti aktual politiko-ekonomik i Evropës është ende i favorshëm për ta realizuar një gjë të tillë. Nesër mund të jetë dhe vonë. Pikërisht, kjo vlen të theksohet...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›