Aksidenti i Oketës
Çfarë ishte Gërdeci? Faktet dhe të dhënat e publikuara këto shtatë javë, pas tragjedisë në fabrikën e vdekjes, tregojnë se ishte një krim i mbështetur fuqimisht nga qeveria. Ajo e kishte vendosur kapanonin në mes të fshatit me 4000 shtëpi dhe afër autostradës, aty rreth 40 kamionë të ushtrisë sillnin çdo ditë predhat për t'u çmontuar, aty shkonin për inspektim edhe zyrtarët më të lartë të ushtrisë, të cilët pastaj ia raportonin këto edhe kryeministrit Sali Berisha. Shkurt, aty bëhej trafiku i municioneve, i barutit dhe skrapit, nga i cili përfitonin: privatët e "Albademil", shteti i "MEICO"-s, dhe të gjithë ata të kishin pranuar të bëheshin palë në krim.
Por qeveria, vetëm dy ditë pas krimit të kryer në Gërdec, e përkufizoi atë "aksident teknologjik". Në çdo shkresë, në çdo vendim qeverie dhe konference shtypi, ky është përkufizimi që qeveria ka vendosur për krimin që bëri.
Por nuk është i këtij mendimi, ministri i ri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Pasi nderoi Dëshmorët e Atdheut, me rastin e 5 Majit, ministri rikujtoi Gërdecin, por shumë ndryshe nga qeveria, tamam ashtu siç e mendon opinioni publik: "Tragjedia e ndodhur në Gërdec të Vorës nuk duhej të trajtohej si aksident i zakonshëm",- u shpreh dje Oketa.
Një shuplakë jo vetëm për shefin e qeverisë ku bën pjesë, por edhe ndaj paraardhësit, Mediu, i cili thotë se Gërdeci ishte jo vetëm një aksident, por fajtorë për këtë janë vetëm drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm dhe ata para të cilët përgjigjej shtabi, pra Kryeministri.