E Diel, 1 Nëntor 2026

Oketa: Mbështes hetimet e Ina Ramës

 

Kundrejt qëndrimit jopozitiv të Mediut, Oketa mbështet punën e organit të akuzës. Së shpejti, furtunë shkarkimesh

TIRANË- Ndryshe nga qëndrimi i deritanishëm i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me hetimet e deritanishme, pasardhësi i këtij të fundit, Gazmend Oketa shprehet i sigurt për të mbështetur Prokurorinë e Përgjithshme. Në një deklarim publik për mediat, Oketa shprehet se do të mbështesë të gjitha hetimet që do të çojnë në zbardhjen e së vërtetës. "Arrestimet janë kryer nga organet përkatëse dhe si ministër i Mbrojtjes, mund të deklaroj se do të mbështes të gjitha ato hetime të cilat ndihmojnë në zbardhjen e çdo të vërtete, qoftë për tragjedinë e Gërdecit, apo për ngjarje të ndryshme",- tha ai, duke shtuar se Ministria e Mbrojtjes, do të jetë transparente në maksimum për çdo lloj procesi. Në këto kushte, Oketa ka paralajmëruar edhe një reformë të thellë në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila vjen si domosdoshmëri e strukturave paralele që janë ngritur në këtë dikaster. "Do të ketë një ristrukturim të Ministrisë së Mbrojtjes për shumë arsye, jo thjesht për faktin se ajo që ka ndodhur në Gërdec do të shërbejë si një pikënisje për të korrigjuar gjërat që nuk kanë funksionuar, por edhe për arsye të tjera. Kjo pasi është një strukturë pak e fryrë, me dy struktura paralele, në sensin se në Shtabin e Përgjithshëm dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ka persona dhe Drejtori që kryejnë pak a shumë të njëjtat funksione", tha Oketa. Ai u shpreh sërish se tragjedia e Gërdecit nuk mund të konsiderohet si një ngjarje aksidentale, edhe pse vuri theksin se fjalën e fundit do ta thotë pikërisht organi i akuzës. "Ashtu siç kam deklaruar më parë, kjo është një ngjarje e rëndë, e cila nuk duhet të emërtohet thjesht si një aksident banal, si një aksident i thjeshtë rrugor",- tha ai. Pak ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa nënshkroi edhe marrëveshjen për pastrimin e zonës së Gërdecit, me Zëvendësambasadorin Amerikan në Tiranë, Stephen Christina. Marrëveshja e nënshkruar midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-ve konsiston në dhënien e asistencës së specializuar në procesin e identifikimit, mbledhjes dhe rilëvizjes së municioneve e predhave të pashpërthyera për demilitarizim nga zona e Gërdecit. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Forcat e Armatosura Shqiptare në bashkëpunim të ngushtë me specialistët amerikanë të kësaj fushe do të realizojnë pastrimin e zonës nga municionet e plasura e të paplasura, si dhe mbeturinat e skrapit të mbetura në vendngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›