E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, Evropa dhe Shkenca

Genc Pollo

Është një ditë e rëndësishme sot për komunitetin shqiptar të kërkuesve dhe studiuesve për t’u njohur me zhvillimet më të reja dhe mundësitë që ofrohen nga programet dhe institucionet kryesore evropiane të shkencës e të kërkimit si dhe me perspektivën e integrimit të tyre në Hapësirën Evropiane të Kërkimit.
Ajo bëhet e mundur sot, kur Shqipëria, siç e dini, ka bërë një hap të rëndësishëm në këtë fushë, duke përfituar statusin e vendit të asociuar në Programin e 7-të Kuadër të Kërkimit Shkencor dhe Zhvillimit Teknologjik, apo siç njihet shkurt, FP7.
Praktikisht, ky antarësim do të thotë të drejta të njëjta të kërkuesve e studiuesve shqiptarë me ata evropianë, për të aplikuar për projekte në këtë program, për të bashkëpunuar mbi bazë barazie e reciprociteti me ta, duke ndërtuar konsorciume, duke ndarë angazhimin, dijet, eksperiencat, mundësitë financiare si dhe rezultatet. Duke i uruar gjithë kërkuesve shqiptarë suksese në aplikimet e tyre, vërej se shuma që Qeveria paguan për t’u asociuar në këtë program, është kontributi më i rëndësishëm, jo thjesht financiar, që është dhënë për shkencën shqiptare në këto 17 vitet e fundit. Krahas Komisionit Evropian dhe DG Research, dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë Komisionerin Potocnik, për ofertën me interes e angazhimin e tij personal. Kjo i ka dhënë shtytje të rëndësishme përfshirjes së Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në FP7. Prania e tij sot këtu, në këtë aktivitet, në kuadrin e vizitës zyrtare në vendin tonë, na jep mundësinë të diskutojmë gjerësisht  nevojën për reforma e iniciativa të sektorit e të arrijmë  konkluzione të rëndësishme për zhvillimin e shkencës e të kërkimit, si dhe shndërrimin e tyre në promotorë të zhvillimit ekonomik e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dëshiroj të shpreh angazhimin tonë maksimal që politikat e kërkimit shkencor për vetë rëndësinë që ato kanë, të shndërrohen në politika prioritare për ne, dhe do të kemi gjithë mbështetjen e duhur për të arritur objektivat tona në këtë fushë. Gati një vit më parë ne deklaruam publikisht se synonim t’i bashkoheshim Programit FP7, programit më të madh të BE-së në këtë fushë dhe një nga programet më të mëdha komunitare. Bashkëpunuam me Ministrinë e Integrimit dhe DG Research-in dhe prej 1 janarit të këtij viti, ne tashmë nuk jemi më një vend i tretë, por një vend i asociuar në raport me këtë program. Përpara nesh dhe gjithë komunitetit tonë të kërkuesve e studiuesve është sfida për të përfituar maksimalisht nga mundësitë e jashtëzakonshme që ofron FP7; i pari program komunitar ku Shqipëria merr pjesë. Ne duhet ta bëjmë atë një histori suksesi, një model për gjithë programet e tjera komunitare në të cilat vendi ynë është duke aplikuar. Të marrësh pjesë me sukses në FP7, do të thotë të mos matesh më me veten, por me standardet evropiane, do të thotë që me meritë të bëhesh pjesë e grupeve të kërkuesve evropianë, do të thotë të integrohesh me ta jo thjesht si individ, por edhe si institucione. Dhe është e natyrshme që hapin e parë drejt integrimit në Evropë, i takon dhe duhet ta hedhin kërkuesit, studiuesit, profesorët e studentët tanë, i takon universiteteve  tona, qendrave kërkimore pranë tyre. Komisioni Evropian e ka shpallur kërkimin shkencor si fushë prioritare për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi shkenca mund të jetë edhe më efektive se vetë politika, duke sjellë pranë njerëzit dhe institucionet e vendeve dhe kulturave të ndryshme. Ne duhet t’i përgjigjemi kësaj nisme me shpejtësi dhe seriozitet, duke i riparë dhe organizuar prioritetet tona kombëtare, pasi është provuar gjerësisht se investimi për shkencën kthehet në përfitim të shumëfishtë, më shumë se investimi në mjaft sektorë të tjerë.  Në një botë gjithnjë e më tepër globale, ku burimet natyrore dhe fuqia punëtore me kosto të lirë nuk janë më aset real zhvillimi, aq më pak aset konkurrues zhvillimi, ne duhet t’i kushtojmë gjithnjë e më shumë vëmendje potencialit të dijes dhe aftësive krijuese të njerëzve tanë si një urë drejt një ekonomie që krijon vlerë të shtuar dhe mbete inovative. Shteti dhe familjet shqiptare, mbarë shoqëria jonë në vite, ka bërë investime të mëdha për pajisjen me dije të brezave të të rinjve tanë, një pjesë e madhe e të cilëve të shkolluar brenda apo jashtë vendit, aktualisht punojnë dhe japin kontributin e tyre në universitetet dhe institucionet e huaja. Kjo humbje e burimeve njerëzore cilësore dhe e potencialit të dijes, është një realitet të cilin  ne po e ndryshojmë për hir të së ardhmes. Programi Brain Gain dhe Fondi i Ekselencës, të shpallura dhe aktivizuara nga qeveria, janë dy instrumente shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Ne duhet të marrim masat e duhura, në mënyrë që potenciali i të rinjve që do të kthehen e punojnë këtu të shndërrohet në vlerën shtesë që shkenca dhe dija i japin produkteve dhe shërbimeve. Ne kemi realizuar në dy vitet e fundit një nga reformat më të rëndësishme e të domosdoshme: atë të integrimit të institucioneve të Kërkimit Shkencor në ato të Arsimit të Lartë, duke kapërcyer handikapin e një sistemi të vjetër e të tejkaluar. Institucionet e Arsimit të Lartë përfituan asete fizike të vlefshme dhe sidomos personel veçanërisht të kualifikuar, ndërkohë që kërkuesit e sotëm që do të punojnë me studentët e doktorantë do të bashkëgjenerojnë brezat e ardhshëm të shoqërisë së dijes. Tani ne kemi optimizuar resurset në këtë fushë dhe mund të investojmë  seriozisht për modernizimin e saj, duke forcuar kapacitetet institucionale dhe të infrastrukturës së kërkimit. Projekti UNILAB 2007 ishte një investim madhor në laboratorët mësimore- shkencore; Ne po hartojmë projekte të tjera, por njësitë shkencore kanë një potencial të madh për të tërhequr vetë, nga shumë burime të tjera, fonde për projektet e tyre. Mbi këtë bazë kemi nisur punën për hartimin e strategjisë së kërkimit shkencor, një strategji e domosdoshme për të përcaktuar drejt rolin që duhet të luajë shkenca dhe dija në zhvillimin tonë të ardhshëm. Vëmendje do t’i kushtohet vendosjes së statistikave e indikatorëve të Kërkimit e Zhvillimit, pa të cilët nuk mund të ketë politika rezultative e vlerësim objektiv në këtë sektor. Këto përpjekje nuk do të ishin të suksesshme nëse nuk do përfshinim në lojë një nga aktorët më të rëndësishëm në këtë fushë, komunitetin e biznesit. Të dhënat nga vendet e zhvilluara tregojnë se shumica e shpenzimeve për R&D (Research and Developement, Kërkim dhe Zhvillim) bëhen me fonde jopublike. Ne jemi ende në fillime, por Shqipëria është një vend me rritje të shpejtë ekonomike, ku shumë kompani të huaja dhe vendase kanë bërë dhe po bëjnë investime në R&D. Ne duhet t’i evidentojmë dhe t’i nxisim ato. Ligji për Arsimin e Lartë i miratuar vjet ofron lehtësi dhe incentiva për këto investime. Mbetet një sfidë e madhe për MASH, Ministrinë e Ekonomisë dhe ministri të tjera të linjës, hartimi i programeve për përfshirjen në rritje të biznesit të huaj e vendas në Kërkim e Zhvillim. Këtyre perspektivave që po hapim, tashmë iu kemi paraprirë edhe me reforma të rëndësishme të sistemit arsimor. Këto kanë synuar forcimin e sistemit, përafrimin e tij me standardet evropiane, kthimin e besimit të publikut te sistemi. Në fushën e arsimit të lartë, gjithashtu kemi zhvillime të rëndësishme, me synim rritjen e standardeve të universiteteve shqiptare dhe përmbushjen e kushteve të procesit të Bolonjës. Ne do të vazhdojmë të perfeksionojmë masat në gjithë spektrin e arsimit, pasi edukimi cilësor është garancia dhe çelësi i krijimtarisë dhe inovacionit tek të rinjtë që i futen rrugës së shkencës. Zbatimi i këtyre politikave dhe arritja e objektivave, padyshim që kërkon burime financiare dhe kapacitete të reja. Këto ditë ne finalizuam si ministri, planin afatmesëm buxhetor për periudhën 2009-2011. Me përparësi kemi reflektuar në këtë plan ngritjen e instrumenteve që do ndihmojnë në tërheqjen e fondeve të programeve evropiane të R&D, si FP7, COST, Eureka etj., për të integruar më shpejt vendin në Hapësirën Evropiane të Kërkimit. Kam parasysh Qendrën për Nxitjen e Programeve Evropiane, tek e cila do të punësonim me përparësi të rinj shqiptarë që kanë studiuar e punojnë në universitete perëndimore, të mbështetur nga programi Brain Gain. Do të kërkonim bashkëpunimin dhe asistencën e DG Research në këtë drejtim. Gjithashtu ne kemi planifikuar zgjerimin e Programit Kombëtar për Shkencën, si dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja bilaterale. Planifikojmë të bëjmë efektive marrëveshjet tashmë të nënshkruara me Austrinë dhe Turqinë. Do zgjerojmë marrëveshjet bilaterale me Italinë, Greqinë, Slloveninë, Maqedoninë e Kroacinë. Gjithashtu po përgatitemi të fillojmë së shpejti negociatat me Kosovën dhe Malin e Zi. Në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, ne e konsiderojmë të suksesshme punën e “Steering Committee on Research of Western Balkan Countries”, për ngritjen e të cilit Komisioneri Potocnik ka qenë ndër nismëtarët. Mendojmë se ky organizim duhet mbështetur edhe më tej për t’u shndërruar në një platformë të fuqishme, që do orientonte dhe bashkërendonte politikat e kërkimit në nivel rajonal dhe do harmonizonte më mirë mozaikun e politikave që vendet e këtij rajoni po zhvillojnë në këtë fushë. Gjithashtu, mendojmë se anëtarësimi i Bosnje-Hercegovinës dhe i Republikës së Kosovës në FP7, si vende të asociuara, do t’i jepte një nxitje të mëtejshme bashkëpunimit rajonal në këtë fushë e më gjerë, duke përshpejtuar ritmin e integrimit të të gjitha vendeve të rajonit në BE. Vendet e këtij rajoni, për arsye të njohura, kanë diferenca në raport me vendet evropiane në fushën e kërkimit, ndaj dhe ne besojmë se Komisioni Evropian dhe DG Research që ju drejtoni, do të vazhdojnë të tregojnë vëmendjen e duhur dhe do të sigurojnë financime e thirrje të reja për këto vende, në kuadër të FP7, për të bërë të mundur zvogëlimin e diferencave dhe eliminimin e barrierave. Me bindjen e thellë që bashkëpunimi jonë do të njohë zhvillim intensiv, më lejoni t’ju siguroj, se nga ana jonë do të bëjmë të gjitha përpjekjet që Kërkimi Shkencor të bëhet fusha në të cilën shqiptarët, do të ndjehen më herët dhe më shpejt, qytetarë të Europës së Bashkuar.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›