E Shtunë, 31 Tetor 2026

Okazion – likuidim total!

Instalacion-performancë nga Lume Blloshmi në Zenit, Tiranë, 20 dhjetor 2010, ora 18:00

Një shkëputje, vetëm një shkëputje çasti nga jeta në të cilën të gjitha ndjenjat u shitën për bukë dhe për pare.

Migjeni

Një performancë artistike mbi imazhin e spektaklit si ekuivalenti dhe totaliteti i shpërfaqjes abstrakte të botës së mallrave, mbart këtu një valencë të dyfishtë:

Postmodernizmi, përdorim ironik i imazhit në kontekst të ri kuptimor, në këtë instalacion shfaqet edhe si një imazh që kërkon të kontestojë një botë imazhi të përkundërt, atë të “ikonologjisë” së mallrave dhe hegjemonisë që synohet përmes betejave publicitare të letrave dhe lavazhit të trurit të atij që i adresohen.

Si gjithë betejat e luftërat, edhe kjo soj kacafytjeje përfshin fitoren, humbjen, triumfin, eliminimin, dinakërinë, vetëlavdërimin dhe lavdinë.

Mbi spektaklin si vizion i botës së objektivizuar dhe raport i vështirë mes përmbajtjes dhe dukjes, do të na lypset këtu një sqarim terminologjie falë së cilës jemi duke rënë në një konstatim: emërtimi spektakël, i cili në gjuhën e përditshme konotohet më së shumti me shfaqjen artistike, është mbase vetë paudhësia e shoqërisë së spektaklit - kolektivitet i mallrave - për të fshehur veten dhe shëmtinë në labirintet e gjuhës dhe për t’i ngrehur kurthin mundësisë për ta parë atë qartësisht e lakuriq.

Ashtu siç e pa për një çast denoncuesi më i parë, De Bor, në veprën “Shoqëria e spektaklit”, njëherit si qëllimi dhe mjeti, projekti dhe rezultati i mënyrës së prodhimit. Për ta perceptuar, pra, jo si shtojcë dekorimi, por bash zemra e irrealizmit të shoqërisë reale; nën postulatin: ajo që duket është e mirë, ajo që është e mirë duket, si një princip themelor i Spektaklit në luftë të përhershme opiumi për të bërë të pranosh, në betejën për identifikimin e të Mirës me mallrat.

Informacion – propagandë – publicitet! ky trekëndësh deborian që mund të përkthehet artistikisht ble-ble-ble, shfaqet shpesh edhe si një trakt që apelon refuzimin: mos e merr, mos e bli, mos e prek me dorë askund tjetër një produkt si ky, përveçse këtij këtu të prodhuar prej meje!

Edhe vetë Borgesi, i cili prej hapësirave të mendimit që rrok erudicioni i vet e pat humbur sensin e çudisë, shkroi se kish mbetur i habitur sesi në erën e re të tregut të pafre mallrabërësi e mburr pa fre mallin që ka sajuar, pa e ndjerë asfare turpin prej britmash mendjemadhësie.

Ndërsa reagimi performativ dhe abstragimi i artit të Blloshmit na ofron thjesht trakte të bardha. Letra e pashkruar, bardhësia dhe pashprehshmëria e së cilës implikon hiçin dhe absurdin, lë të kuptosh se nuk ka rëndësi e thëna mbi produktin, por veçse tërheqja e shqisave mbi këmbënguljen ekzistenciale të tij, jetëgjatësia e të cilit mbetet e varur nga shitjet, dhe kjo e fundit nga përsëritja psalmoide mbi emrin e mallit. Sa më insistuese e mediatike të jetë thirrja e emrit, kudo dhe vazhdimisht duke e bërë vazhdë, aq më tepër realizohet lavazhi neurotik e aq më shumë konsolidohet hegjemonia e mallit në tregun e shoqërisë së spektaklit. Mbyllur nga të katër anët brenda mureve ku ushtria e mercenarëve, shfaqur këtu si dishepuj të pagojë të këtij malli, ta lënë ofertën në dorë pa asnjë shpjegim, mjafton që prania e produktit në perceptimin e kandidatit blerës të mos reshtë deri sa të besohet e të krijojë statusin e firmës, si shenjë identitare e atashimit të rekrutit rishtar të saj në aradhën e mirëqenies, shijes, lavdisë.

Bodleri, veç të tjerash, edhe këtë rrezik mediatik të lindjes së shoqërisë së spektaklit do të ketë parandjenjë kur qesëndiste sesi lavdia është rezultat i përshtatjes me klimën e budallallëkut kombëtar. Tashmë e aktualisht edhe si një profeci mbi triumfin global të trimërisë imperiale të mallit në rang ndërkombëtar.

Okazion-Likuidim Total! Tautologjia dhe paradoksi paraprijnë emërtesën e ekspozesë së Blloshmit. Dy pjesët e titullit janë vendosur si palë ndërluftuese, në pritje të dorëzimit e në prag ngritjes së flamurit të bardhë. Por jo pa kushte... pse mandej me paratë - rezultat i grackës apeluese “okazion”, do të riciklohet iluzioni i radhës dhe përsëritja e vijueshme, me pasojë diku shumëfishin e shitjeve diku rrënimin total. Prej antinomisë qysh në titull, arti performativ nis angazhimin, sipas karakterit të vet edhe misionar, për të na vëmendësuar mbi atë princip mortal që mbjell tregu i garës mes mallrave: “ Vdekja jote - Jeta ime”. Por edhe me thirrmën e kurthit ndaj blerësit:

“ Vdekja ime - Jeta jote”, parim i cili gjithë e më tepër mbizotëron vitrinat.

Jashtë tyre tunden traktet e ofertave që fashitin mëdyshjen e kalimtarëve të rastit dhe cysin fatin kah okazionit prej rasti fatal. Përbrenda, tejdukshmëria nxit tundimin nga prania e njerëzisë gjatë aktit tribal, teksa rrëmon tezgat e likuidimit total. Në një shoqërizim spektakolar “ku malli vetësoditet në një botë që ai vetë ka krijuar”. Apo si në një savanë ku era shpërhap duhmën e kërmës… dhe kjo, natyrshëm, thërret hienat.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›