E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacientët me leucemi, bar të ri në listën e rimbursimit

Propozimi nga shërbimi i Hematologjisë në QSUT. Mjekët: Pacientët me leucemi, shpresa për barin e ri

Në kohën kur lista e barnave të rimbursueshme për vitin 2011 është ende në proces hartimi, shërbimi i Hematologjisë propozon që pjesë e saj të jetë edhe një ilaç i ri për pacientët që vuajnë nga leucemia kronike. Sipas këtij shërbimi, deri më sot pacientët janë trajtuar me barin aktual Glivec, i cili ka dhënë rezultatet, por, sipas tyre, rreth 50 për qind e pacientëve nuk kanë një përfitim maksimal nga ky mjekim. Për këtë ata kërkojnë që të zëvendësohet me një barë të ri, i cili ka të njëjtën kosto me barin aktual dhe quhet Tasigna. Aktualisht, lista është ende në proces hartimi dhe pritet të miratohet brenda muajit dhjetor dhe pritet që pjesë e saj të jetë edhe ky bar, i cili ndez kështu dritën jeshile, duke u dhënë shpresë pacientëve që vuajnë nga leucemia.

Kërkesa

Shërbimi i Hematologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor dhe drejtorisë së QSUT-së për rimbursimin e këtij bari, nga i cili do të përfitojnë të sëmurët me leucemi kronike.

Sipas tyre, medikamenti i ri është më efikas se medikamenti aktual dhe se ka një targetim shume specifik përkundrejt shkaktarit të leukozës mieloide kronike.

“Mjafton të përmendim se në një studim të fundit ndërkombëtar (ENESTnd) një përqindje e caktuar e pacientëve pas 24 muajsh të trajtimit me Tasigma 600 mg në ditë arriti nivele të ngarkesës leucemike të padetektueshme nga laboratorët më të mirë të botës. Pra, për laboratorin molekular ky pacient nuk dallohet si një I sëmurë me leucemi”, - pohojnë mjekët e shërbimit të Hematologjisë në QSUT duke shtuar se studimet klinike tregojnë se pas arritjes së nivelit të mësipërm të ngarkesës luecemike të padetektueshme që ndryshe quhet (përgjigja molekulare complete) një pjesë e pacientëve mund të ndërpresin mjekimin për një periudhë të pacaktuar dhe luecemia nuk është rishfaqur.

Ilaçi

Ndërkohë, në propozimin e shërbimit të Hematologjisë thuhet se medikamenti i ri ka më pak efektet anësore se mjekimi aktual që marrin pacientët me leucemi mieloide kronike.

Ndërkohë edhe Shoqata për Mbështetjen e Pacientëve me Leucemi ka kërkuar rimbursimin e këtij medikamenti. “Kam humbur gruan para pak kohësh pikërisht nga leukoza mieloide kronike sepse nuk kisha mundësi ta mjekoja me medikamentin Tasigna shpresojmë që të mos humbasim më jetë njerëzish për shkak të mungesës së këtij medikamenti”, - pohon kryetari i Shoqatës për Mbështetjen e Pacientëve me Leucemi Kronike, Shpëtim Xhafa.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›