E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIFF ul siparin, çmime për më të mirët

“Footsteps in the sand”, filmi bullgar fiction me metrazh të gjatë  i skenaristit Ivailo Hristov, u shpall “Filmi më i mirë i TIFF”. Filmi rrëfën historinë e trishtueshme të një djali dhe një vajze të cilët në moshën 6-vjeçare i premtuan njëri-tjetrit se do të martoheshin.

Për filmat me metrazh të gjatë u ndanë dhe çmime të tjera, si “Aktori më i mirë” (Enver Petrovci në filmin “Gomerët e kufirit”), dhe “Aktorja më e mirë” (Sandrine Bonnaire në filmin gjerman “Queen to play”). Me çmimin “Regjisori më i mirë” u nderua iraniani Mohammad Reza Vatandoost për filmin “When the lemon turned yellow”, ndërsa “Çmimi i publikut” i shkoi filmit italian “Late summer”, një fiction nga De Angelis dhe Di Trapani.

Filmi korean “Sky and sea” nga Oh Dal-kyun fitoi “Çmimin e medias”, i përzgjedhur nga juria me Besnik Ajazin, Flora Nikollën dhe Rajmonda Shimën. Në garën e filmave shqiptarë, të shfaqur gjatë ditës së djeshme, çmimi “Filmi i shkurtër më i mirë shqiptar” shkoi për filmin kosovar “Tri dritare”, nga Fatjon Bajraktari.

Për filmat me metrazh të shkurtër u ndanë çmimet “Filmi më i mirë eksperimental”, që i shkoi “Family Portrait” nga Finlanda, dhe “Çmimi special”, që e mori filmi shqiptar “Reflected life” i Gentian Kurtit. “Filmi më i mirë i animuar” ishte prodhimi francez “Venus de Rabo” i Francois Bertin.

“Filmi më i mirë dokumentar” u përzgjodh produksioni belg “Out of love” i Brigitta Stromae, ndërsa për kategorinë fiction u dhanë dy çmime: “Filmi më i mirë fiction”, që iu akordua filmit “Death by suffocation”, dhe “Çmimi special” nga juria, që e mori filmi nga Danimarka, “Beast”. Në këtë edicion të 8-të u ndanë dhe çmimet homazh për artistët e ndarë nga jeta pak muaj më parë, Bekim Fehmiu dhe Llazi Sërbo. Dy nga filmat ku ata kanë interpretuar u shfaqën gjatë festivalit.

                                                                                             2010-12-19 10:46
  [ 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›