Oketa: Konsulli grek të shpallet “non grata”
Deputeti i Partisë Demokratike Gazmend Oketa ka kërkuar në komisionin e jashtëm parlamentar që konsulli grek në Korçë, Theodhoro Ikonomus të shpallet person “non grata” në Shqipëri.
Duke reaguar për deklaratat e konsullit grek Ikonomus se në Korçë ka grekë, deputeti i PD-së Oketa kërkoi nga ministria e jashtme të marrë masa.
Ndërsa kreu i komisionit të jashtëm parlamentar Fatos Beja ka theksuar se duhet të bëhet kujdes me deklaratat pasi duhet të ruhen edhe marrëdhëniet me shtetin grek.
Në fjalën e tij përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Gazmend Turdiu theksoi se deklaratat e konsullit grek janë personale. Ai ka theksuar gjithashtu se gjatë takimit të ambasadorit grek në Tiranë Nikos Pazios në ministrinë e jashtme u diskutua në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë ditë më parë konsulli grek Theodhoros Ikonomu ka deklaruar në Korçë se në këtë qytet ka grekë ndërsa ka bërë thirrje edhe për bashkim në emër të Vorioepirit.