E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Në FRD, deputetë e të zgjedhur vendorë të PD

TIRANE-Fryma e Re Demokratike kërkon të tërheqë rreth vetes edhe drejtues të pushtetit lokal të Partisë Demokratike për t’i bërë pjesë të saj.

Një lëvizje të tillë paralajmëroi dje kreu i grupit nismëtar të FRD-së, Gazmend Oketa i cili bëri të qartë se së shpejti do të ketë të tjera prurje në parti. Madje sipas tij ka edhe deputetë të cilët ndajnë parimin se forca politike që ai përfaqëson do sjellë mënyrën ndryshe të të bërit politikë. Por në një prononcim të dhënë dje për “Vizion Plus” ai tha se emrat e tyre janë surprizë.
“Ka shumë përfaqësues të pushtetit vendor, ka kolegë deputetë të cilët ndajnë të njëjtat qëndrime, të njëjtat parime por tek e fundit është zgjedhja personale e cilitdo për të vendosur se në cilën forcë politike ai kërkon të shpalosë idetë e tij, të gjejë hapësirat e nevojshme për të zbatuar ato ide apo ato projekte që gjithsecili mund të ketë në mendjen e tij”, - deklaroi z. Oketa.

Ish-deputeti i PD-së, aktualisht kryetar i grupit nismëtar i FRD-së shton se, FRD nuk përjashton mundësinë e koalicioneve në garimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kuvendi zgjedhor i kësaj partie pritet të mbahet në vjeshtë, atëherë kur mund të drejtohet edhe nga kryetari i ardhshëm Bamir Topi, i cili pas mbarimit të mandatit në krye të shtetit pritet t’i përkushtohet partisë. “Çdo opsion është i hapur dhe kur të vijë momenti organet drejtuese të FRD-së në mënyrë transparente sigurisht do të marrin vendimet e duhura”, - deklaroi Oketa. Më 30 prill u krijua partia me e re në politikën shqiptare, forcë që duket se pas korrikut do të drejtohet nga presidenti Bamir Topi.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›