Oketa: Nisma e Berishës për referendum, një tallje
Gazmend Oketa, një nga nismëtarët e Partisë më të re, Fryma e Re Demokratike ka reaguar lidhur me zhvillimet e një dite më parë në Kuvend për kufizimin e imunitetit.
Përmes një deklaratë për mediat, Oketa ka hedhur një paralelizëm mes reformës zgjedhore dhe imunitetit, ku ka vlerësuar konsensusin politik për kodin, ndërsa e ka konsideruar seancën e djeshme parlamentare lojë të pamoralshme mes dy forcave kryesore politike, PD-PS, raporton Ora News.
Fryma e Re Demokratike është pro kufizimit të imunitetit. PD dhe PS gjetën konsensusin dy javë më parë për Reformë Zgjedhore, kurse dje këto dy forca politike dëshmuan një tjetër lojë të pamoralshme, u shpreh ai.
Oketa ka komentuar dhe nismën e Kryeministrit Berisha për heqjen e imunitetit me referendum popullor, deklaratë të cilën e vlerësoi më tepër një tallje të Berishës, sesa diçka konkrete. Por, ka shtuar ai, nëse do të mbahet referendum në vend, atëherë duhet të jenë dy, për imunitetin dhe plehrat.
Një ditë më parë Parlamenti e mbylli seancën pa votim për projektligjin për heqjen e imunitetit, pasi mazhoranca nuk preferoi të votonte ligjin pas kundërshtimit këmbëngulës të opozitës. Seanca maratonë, e cila zgjati për rreth 8 orë me radhë, u mbyll me fjalinë e kryeministrit ku paralajmëroi referendum popullor për heqjen e imunitetit.