E Diel, 1 Nëntor 2026

Strazimiri: Avokati i Popullit të hapë sytë, romët janë të mbrojtur

Nëndrejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Leonard Strazimiri, ka reaguar pas deklaratës që Avokati i Popullit, Igli Totozani bëri dy ditë më parë me anëtarë të komunitetit rom.

Totozani u shpreh se romët janë jashtë sistemit, nuk përfitojnë, shumica janë të paregjistruar, nuk kanë banesa dhe nuk kanë mundësi punësimi. Sipas tij, ata nuk përfitojnë as nga të mirat sado modeste të sistemit social.

Krejt ndryshe ka qenë reagimi i nëndrejtorit të Shërbimit Social Shtetëror, Leonard Strazimiri për GSH.

Strazimiri i ka bërë apel Totozanit të hapë sytë, sepse romët trajtohen me asistencë.

Avokati i Popullit të lexojë ligjin për ndihmën ekonomike, të qartësohet dhe pastaj të prononcohet, thotë ai.

Sipas Srazimirit ky komunitet është i përfshirë në sistem dhe përfiton prej tij. Nëse plotësojnë kriteret e nevojshme, ata sigurisht përfitojnë shumën e caktuar, shprehet Strazimiri. Gjithashtu nëndrejtori sqaron se meqenëse ky komunitet në të shumtën e rasteve është analfabet, asistohet nga punonjësit e Gjendjes Civile për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për të marrë lekët.

Në bazë të ligjit Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore përfituesit janë familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët e papunë mbi 25 vjeç, jetimët e moshës 18- 25 vjeç, të cilët nuk janë vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose në kujdestari, prindërit e fëmijëve që lindin trinjakë ose më shumë dhe viktimat e trafikimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›