E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Qeveria me duar të pastra, ndryshime ose të ndërrojë emrin

Mendoni se PD-ja i fitoi apo humbi këto zgjedhje, duke pasur parasysh se ajo humbi në qytetet e mëdha, por fitoi në Tiranë pas një procedure të gjatë e të vështirë ligjore, ku nuk munguan edhe përplasjet juridike?

Më duhet t’ju bëj një saktësim. PD-ja nuk garoi e vetme në këto zgjedhje, por garoi në koalicionin Aleanca për Qytetarin, koalicion i përbërë nga shumë forca politike. Nëse do analizonim vetëm rezultatin e PD-së, nisur nga votat për këshilltarë bashkiak apo komunash, atëherë ky rezultat lë shumë për të dëshiruar. Nëse do ta analizojmë si koalicion, atëherë rezultati është rreth njëqind mijë vota më shumë në të gjithë Shqipërinë për Aleancën për Qytetarin. Personalisht do të preferoja disa vota më pak si koalicion, por ne duhej të kishim fituar disa qytete të mëdha, duke përjashtuar këtu Tiranën, e cila ishte vërtet një fitore e madhe. Fakti që në Tiranë u bë një garë e fortë deri në votën e fundit duhet të na detyrojë që të përgëzojmë të dy kandidatët kryesorë, si z. Basha ashtu dhe z. Rama për fushatën që zhvilluan. Z. Basha, në gjykimin tim, ishte dhe e veçanta e të gjitha zgjedhjeve lokale, pasi arriti të bënte një fushatë krejt ndryshe. Krejt ndryshe jo vetëm krahasuar me rivalin e tij direkt, por dhe krahasuar me kandidatët e tjerë të Aleancës për Qytetarin. Do të ishte vërtet një gjë tejet pozitive nëse dhe situata pas përfundimit të numërimit të kutisë të fundit të ishte e qetë dhe e ngjashme me situatën që dominoi gjatë fushatës. Një betejë ligjore, e cila parashikohet në Kodin Zgjedhor të miratuar nga të dyja palët, e zhvilluar pa presione politike, jo vetëm do ishte një mbyllje dinjitoze e një gare të bukur, por do të ishte dhe një vlerë e shtuar në vlerësimet pozitive për këto zgjedhje.

Si vijim i kësaj, Edi Rama ka kërkuar një debat publik me kryeministrin Berisha, ndonëse vetë kish refuzuar më parë një gjë të tillë. Kësaj here ai që e refuzoi është z. Berisha. E shihni si një lojë mes të dyve, apo realisht populli shqiptar ka nevojë t’i dëgjojë në një përballje mes tyre?

Unë nuk marr përsipër të flas në emër të popullit shqiptar, por besoj se më tepër sesa për debate apo batuta politike, të cilat janë me shumicë në ekranet tona çdo mbrëmje, qytetarët shqiptarë kanë nevojë për ekonomi më të fortë, shëndetësi më dinjitoze, edukim apo arsim më të mirë për fëmijët e tyre. Dhe këto nuk arrihen me debate për debat, por arrihen me bashkëpunim, aty ku duhet bashkëpunim; dhe me opozitë të fortë, aty ku duhet opozitë. Arrihen kur qeveria bën punën e saj dhe përgjigjet për mënyrën si e bën këtë punë, por edhe kur opozita bën siç duhet rolin e opozitës. Unë nuk e kuptoj se ç’të re do sillte ky debat dhe sa do të ndikonte në normalizimin e situatës politike. Nëse duam vërtet të kemi një debat të tillë, atëherë duhet të rifillojë dialogu politik, të rifillojë bashkëpunimi për ato reforma që kërkojnë dhe votat e opozitës, të rivendoset etika e komunikimit, respekti dhe besimi reciprok. Të gjitha këto do të bënin që në fushatën e ardhshme zgjedhore të kishim vërtet një debat të mirëpritur dhe nga qytetarët, debat në qendër të të cilit të jenë alternativat qeverisëse dhe jo batutat apo etiketimet e radhës për kundërshtarin politik. Z. Rama para pak kohe kërkoi ndjesë publike për ndryshimet kushtetuese të realizuara në vitin 2008. Gjykoj se do ishte e plotë kjo pendesë nëse do të pranonte dhe gabimin që z. Rama nuk e përfshiu emrin e tij në listat për deputet. Nëse z. Rama sot do të ishte deputet, atëherë ai do kishte mundësi ta bënte këtë debat çdo javë në sallën e Kuvendit, pa pasur nevojë t’i bënte ftesë publike Kryeministrit.

Ka zëra nga selia blu që mendojnë se me hyrjen e vitit të tretë që qeverisjes së mandatit të dytë, është e nevojshme një rifreskim i qeverisë Berisha. Ju si mendoni? A ka ndonjë dikaster që duhet rifreskuar dhe cilët mund të jenë?

Unë nuk e di cilëve zëra i referoheni dhe argumenteve që ata hedhin kur shprehen për ndryshime në qeveri. Unë do ta shtroja çështjen në parim, pa iu referuar asnjë ministrie dhe në këtë pyetje do më lejoni të jap saktësisht të njëjtën përgjigje që kam dhënë pak ditë më parë në një të përditshme të shtypit tonë. Nëse nisemi nga arsyetimi se me këtë koalicion dhe këtë qeveri morëm mbi 100 mijë vota më shumë në zgjedhjet lokale, atëherë kjo qeveri duhet të mbetet e pandryshuar deri në vitin 2013. Për mua ministrat që i përkushtohen punës, janë seriozë me pozicionin që mbajnë, punojnë për programin e qeverisë dhe jo për programin ekonomik personal, mund të qëndrojnë në pozicion, pavarësisht kohëzgjatjes. Ata që bëjnë të kundërtën, duhet të largohen menjëherë. Nëse nisemi nga çfarë publikohet në media, jo thjesht e zezë mbi të bardhë, por edhe me ngjyra, lidhur me afera të ndryshme, unë mendoj se morali politik i qeverisjes me duar të pastra e kërkon që të ketë ndryshime, dhe nëse nuk ka ndryshime, atëherë duhet të gjejmë ndonjë mbiemër tjetër për duart e qeverisjes sonë.

Ndërkaq, në zgjedhjet e fundit në PD për kryesinë e partisë, ju ishit ndër ato figura që mbetët jashtë saj, së bashku me ish-ministrin Mustafaj. Çfarë shije ju ka lënë kjo dhe pse mendoni se ka ndodhur, kur ju jeni ndër figurat më të nderuara në PD?

Së pari, do të shprehja respektin dhe vlerësimin tim për të gjithë kolegët të cilët u zgjodhën në kryesinë e re. Personalisht, votimi i fundit për në kryesinë e PD-së më ka lënë një shije krejt normale. Nuk është se në këto zgjedhje ndodhi ndonjë gjë e ndryshme nga herët e tjera. Gjithmonë kur janë zhvilluar zgjedhje për në kryesinë e PD-së, ka pasur emra që kanë dalë prej saj, ka pasur emra të rinj që kanë hyrë, siç ka dhe emra të cilët nuk mbahet mend që kur kanë hyrë dhe vazhdojnë të jenë aty. Më i rëndësishëm se diskutimi mbi emra konkretë të cilët mbetën jashtë kryesie është fakti se më në fund pas dy vitesh vonesë të pa shpjegueshme kemi një kryesi të re, por akoma nuk kemi sekretarë apo nënkryetarë të rinj. Kur them të rinj, i referohem statutit të partisë, pasi funksionarëve aktual u ka mbaruar mandati këtu e dy vite më parë.

Zëra të ndryshëm flasin për grupe të ndara në PD, të cilët shumë shpejt do të dalin në dritë duke u larguar nga PD-ja. Këtë e ka konfirmuar së fundi edhe ish-deputeti demokrat z. Ngjela. A mendoni se ekzistojnë këto grupe?

Zërat që ju përmendni, besoj se më tepër janë spekulime qoftë mediatike qoftë politike. Unë personalisht nuk merrem me zëra, por merrem me fakte apo ngjarje. Nuk di të ketë një tendencë të tillë, por ajo që mund të them është se ka njëfarë pakënaqësie të shprehur nga kolegë deputetë të cilët nuk e shohin veten të përfshirë pothuaj në asnjë vendimmarrje. Mosfunksionimi i strukturave të PD-së sipas statutit të saj ka krijuar një deformim në mënyrën e perceptimit të funksionimit të saj si forcë politike. Aktualisht pak a shumë në çdo qark ka nga një grup fare të vogël njerëzish të cilët, pa as më të voglën transparencë apo informim të strukturave dhe të zgjedhurve lokalë, emërojnë apo çemërojnë drejtorë sipas interesave personale, bëjnë “marrëveshje” me aleatët lokalë në funksion të objektivave të tyre dhe jo në funksion të interesave të PD-së. Nga ana tjetër, nuk ndodh që strukturat të mblidhen, dhe në ato raste kur ato mblidhen as që bëhet fjalë të ketë diskutime mbi ide apo platforma politike. Pavarësisht këtyre, nuk gjykoj se bëhet fjalë për shkëputje deputetësh nga grupi ynë parlamentar.

Marrë nga revista Klan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›