E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH i propozon ERE: Çmimi i energjisë ndaj CEZ të rritet 239%

SHKRUAN: Blerina Hoxha 12-10-2011 11:41

KESH i ka propozuar Entit Rregullator të Energjisë që tarifa e energjisë për vitin që vjen të rritet në 5.03 lekë për kw/h nga 1.48 lekë kw/h që është aktualisht. Nëse ERE merr në konsideratë këtë propozim, rritja do të transmetohet te konsumatorët familjarë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) i ka propozuar Entit Rregullator të Energjisë, që për vitin 2012 të miratojë rritjen e tarifës për energjinë që i shitet CEZ në masën 239 për qind. Kështu, nga 1.48 lekë për kw/h që është tarifa aktuale, propozohet që gjatë vitit të ardhshëm të arrijë në 5.03 lekë për kw/h. Gjithashtu, KESH ka propozuar edhe rritje të çmimeve të prodhimit të energjisë nga 0.63 lekë që është aktualisht, në 0.90 lekë. Në relacionin drejtuar Entit Rregullator, KESH argumenton se, në tarifën e kërkuar për furnizimin e CEZ rreth 90 për qind e zënë kostot për blerjen e energjisë, 6 për qind është kompensimi që ERE duhet t’i bëjë KESH për uljen e çmimit gjatë këtij viti dhe 4 për qind e zënë kostot e personelit. Nëse ERE miraton rritjen e çmimeve në masën e kërkuar nga KESH, atëherë rritja e çmimit do të transmetohet direkt në konsumatorët familjarë, për shkak se ERE do të jetë e detyruar të aplikojë një rritje të çmimit edhe për tregtimin e energjisë me pakicë. KESH e ka prezantuar tashmë zyrtarisht kërkesën për rritjen e çmimeve në Entin Rregullator të Energjisë, ndërsa ky i fundit është duke shqyrtuar kërkesat që tri kompanitë e energjisë kanë bërë për rritjen e çmimit, si CEZ, KESH dhe OST. Vitin që shkoi, Enti Rregullator jo vetëm që nuk mori në konsideratë kërkesën për rritje të çmimeve që kishte bërë KESH për vitin aktual, por e uli edhe më tej çmimin me të cilin KESH furnizonte CEZ. ERE vendosi që çmimi me të cilin CEZ bleu energjinë nga KESH gjatë vitit 2011, të jetë 1.48 lekë, nga 2.03 lekë që ishte deri më 31 dhjetor 2010. Me këtë veprim, shteti mori vetë përsipër kostot e mosrritjes së tarifave për CEZ-in, duke kompensuar atë me uljen e çmimit të energjisë që KESH i shiste CEZ-it. Nga kjo lëvizje, KESH–it iu krijuan automatikisht 50 milionë euro humbje për këtë vit financiar, shumë e cila pritet të kompensohet këtë vit nga çmimet e reja që do të miratojë ERE. E gjithë kjo vlerë, në fakt ka shkuar në arkën e CEZ-it, e cila e bleu energjinë më lirë ndaj KESH-it, duke e shitur me të njëjtat çmime ndaj konsumatorëve të pakicës. Për shkak të situatës surprizë në të cilën KESH u gjend vitin e shkuar, riformatoi edhe njëherë të gjithë planin e investimeve për vitin 2011. Fitimi i munguar nga ulja e çmimit ndikoi ndër të tjera në shlyerjen e disa detyrimeve të vjetra të marra nga bankat në kohën e krizës së thellë energjetike. Vitin që shkoi, ERE nuk miratoi rritje të çmimeve për konsumatorët fundorë. Ky vendim u favorizua nga situata e favorshme hidrike dhe nga ulja e çmimit të energjisë që KESH i shet CEZ-it. Për të mbuluar kostot e vitit që vjen, KESH-it i duhen 84 miliardë lekë të ardhura, nga mbi 34 miliardë lekë duhen për blerjen e energjisë në tregun e huaj, 25 miliardë lekë për blerjen e energjisë në TEC-in e Vlorës, 9 miliardë lekë kushton energjia e blerë nga HEC-et e mëdha dhe mbi 6 miliardë lekë kushton energjia e blerë nga HEC-et e vogla. Ndërsa mbi 5 miliardë janë humbjet që janë krijuar nga ulja e çmimit të energjisë që KESH i shiste CEZ-it dhe mbi 3 miliardë lekë janë kostot operative. Vitin që shkoi, kompania shtetërore e prodhimit të energjisë, KESH, në kërkesën drejtuar Entit Rregullator të Energjisë, i ka paraqitur dy skenarë për rritjen e çmimit të energjisë. Duke marrë në konsideratë kostot e blerjes së energjisë të KESH-it nga HEC-et private dhe tarifat që ata shesin energjinë, kostot fikse të TEC Vlorë dhe kosto të tjera operative, tarifa për furnizuesit me pakicë, sipas skenarit të parë për vitin 2011, duhet të ishte 3.97 lekë për kwh dhe sipas skenarit të dytë, 5.31 lekë për kwh. Ndërsa ERE, përkundrazi, jo vetëm që nuk mori në konsideratë asnjë nga skenarët, por uli çmimin e energjisë që i shitej CEZ-it nga 2.03 lekë për kwh në 1.48 lekë që është aktualisht.

Në relacionin drejtuar Entit Rregullator KESH argumenton se, në tarifën e kërkuar për furnizimin e CEZ, rreth 90% e zënë kostot për blerjen e energjisë, 6% është kompensimi që ERE duhet t’i bëjë KESH për uljen e çmimit gjatë këtij viti dhe 4% e zënë kostot e personelit

Kostot e KESH-it, që argumentojnë rritjen e çmimit

Blerja Energjisë nga KESH Gen 9,745,043,000

Blerje e Energjisë iPP 6,362,846,000

Blerja Energjisë nga TEC Vlora 25, 709,780,000

Blerje Energjie në treg 34,007,862,000

Kompensimi i vitit 2011 5,431,867,000

Kosto Operative, interesa 3.062,541,000

Të ardhurat e kërkuara 84,319,940,000

Tarifa mesatare e kërkuar 5.03 lekë

KESH: Ja tarifat e propozuara për 2012

Klientët çmimi aktual çmimi i propozuar Ndryshimi

Tarifa e prodhimit 0.63 lekë 0.90 lekë 42.86 %

Tarifa ndaj CEZ 1.48 lekë 5.03 lekë 239.86 %

CEZ: Rritja e çmimit për familjarët, më e ulët se 4.5%

CEZ ka kërkuar një rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët e energjisë, më të ulët se mesatarja e përgjithshme 4.5 për qind. Burimet pranë CEZ-it nuk kanë dhënë shifrën e saktë të rritjes së çmimit për kategorinë e familjarëve, por kanë garantuar se rritja e propozuar është më pak se 4.5%. Duhet theksuar se CEZ ka ulur pretendimet për rritjen e çmimit këtë vit, në krahasim me vitin që shkoi. Kërkesa që ngeli e pamiratuar nga Enti Rregullator i Energjisë vitin që shkoi, parashikonte një rritje mesatare 12 për qind, ndërsa këtë vit kërkohet vetëm 4.5 për qind. Shifra në lidhje me rritjen e pritshme të çmimit, është bërë e ditur dje nga Erideta Bashi, drejtore e Administrimit të Përgjithshëm në CEZ Shpërndarje, gjatë një takimi të zhvilluar nga Enti Rregullator i Energjisë në Shkodër, në kuadër të procesit të hartimit të kontratës së re të energjisë me konsumatorin. Gjithashtu, arsyet se pse CEZ ka kërkuar rritje çmimi janë paksa të ndryshme nga ato të propozuara nga kompania vitet e shkuara. “Kompania CEZ Shpërndarje ka depozituar më 1 shtator, sipas rregullave të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, një kërkesë për ndryshim të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorin fundor”, - tha zyrtarja e CEZ-it. Ajo sqaroi për mediat se, aplikimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike është shumë kompleks, pasi përbëhet nga një numër kategorish të ndryshme tarifash. “Për këtë arsye është e vështirë të flasim vetëm për një shifër, por le të themi që mesatarja e kërkesës sonë është 4.5% rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorin fundor”, - tha Bashi. Ajo shtoi gjithashtu se CEZ ka kërkuar rritjen e çmimit duke u bazuar në tre faktorë. Pikë së pari, arsye kryesore është inflacioni.

CEZ shpall planin e veprimit në Europë për 2012-ën

Kompania çeke CEZ, e cila është e shtrirë gati në gjithë Europën Juglindore me veprimtarinë e saj në fushën e energjisë, shpall planin e veprimit të punës për vitin 2012. Menaxheri ekzekutiv i kompanisë CEZ, Daniel Benes, duke folur për agjencinë prestigjioze “Bloomberg”, është shprehur se do të fokusohet vitin e ardhshëm në ndërtimin e dy centralëve elektrikë bërthamorë në Temelin, me qëllim modernizimin e stacioneve elektrike për familjarët dhe njëkohësisht do të ndërtojë centrale për të prodhuar energji me anë të erës në Poloni, Rumani dhe Gjermani. “Zgjerimi me 2000 megavat i qendrës Temelin do të jetë prioriteti absolut i kësaj dekade për CEZ”, - u shpreh Daniel Benes. Synimi i CEZ për këtë vit ishte të përqendrohej nga tregtia e jashtme në tregtinë familjare. CEZ për këtë vit pretendon të fokusohet në “konsolidimin e kompanisë në Bullgari, Shqipëri, Rumani dhe në vende të tjera të Evropës Juglindore, ndërsa do të investojë vetëm në burime të energjisë së rinovueshme, si energji me anë të erës etj”, - tha Benes.

Sipas Benes, CEZ parashikon që deri në 2016-ën të instalojë centrale 3000 megavatëshe për energjinë e erës jashtë Republikës Çeke. “Të ardhurat nga burimet e energjisë së rinovueshme jashtë kufijve do të shërbejnë për të investuar në ndërtimin e reaktorëve të rinj në Temelin”, - tha ai. Të ardhurat nga jashtë pritet të jenë 10 bilion koruna ($549 milionë) çdo vit. Dividentët e vitit 2010 nga veprimet me jashtë të CEZ-it janë rreth 10 milionë koruna. Ndërsa kompania po mendon të lërë investimin në Turqi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›