Përçarja, Milo nuk ftohet në tryezën e opozitës
Kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur sërish dje në një drekë pune aleatët e tij, por si zakonisht mungesat e aleatëve kanë qenë të pranishme. E ndërsa është kthyer në këtë tryezë kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, ka munguar për të dytën herë radhazi kryetari i PDS, Paskal Milo, ashtu siç nuk kanë qenë të pranishëm as kreu i PLD, Spartak Ngjela, apo edhe ai i G99, Ervin Mete. Por ndërsa mungesa e këtyre dy të fundit ka pasur të bëjë me angazhime të tjera, mungesa e Milos duket se ka bazë politike, pasi siç mësohet ai sërish nuk ka qenë i ftuar. Dhe kjo sipas burimeve nga kampi i majtë ka lidhje me një sërë divergjencash që janë krijuar mes tij dhe kreut Rama, ku natyrisht bazë për to janë bërë thashethemet për nisjen e bisedimeve për një bashkëpunim të mundshëm mes PDS-së dhe LSI-së. Vetë Milo një javë më parë deklaroi se nuk kishte marrë një ftesë për një takim të tillë nga Rama. Megjithatë, unifikimi i kampit opozitar do të testohet javën e ardhshme, në datën 18, kur opozita ka programuar që të mbajë një tryezë zyrtare të koalicionit, ku pritet të diskutohet më konkretisht për reformën zgjedhore si dhe marrëdhëniet e tjera politike mes opozitës dhe mazhorancës, përfshi këtu dhe vlerësimin e situatës pas publikimit të raportit të BE-së, ashtu edhe për pikat e paktit të paraqitur nga PS. Bëhet e ditur se në javën e ardhshme, pavarësisht ngecjes së negociatave, ekspertët e mandatuar nga PS për t’u marrë me reformën zgjedhore do të nxjerrin dhe një produkt propozimesh konkrete të hartuara edhe pas konsultimit me aleatët. Ndërkohë që gjatë drekës së djeshme mësohet se Rama ka informuar të pranishmit mbi ecurinë e negociatave me PD-në, si dhe punën e kryer nga ekspertët socialistë dhe Skënder Gjinushi për reformën zgjedhore.