E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Lidershipi i PS-së, celulë anti-BE, Topi do marrë vota nga e majta

Kryeparlamentarja akuzon Ramën se ka krijuar celulë antieuropiane. Ajo shprehet kundër propozimit të socialistëve për të rikthyer votimin e fshehtë në Kuvend.

E gjendur në Pragë, në kuadër të një vizite zyrtare disaditore, kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë një interviste për radion “Europa e lirë” ka akuzuar kryesocialistin Edi Rama se me politikën e ndjekur është shndërruar në një celulë antieuropiane. Ndërkohë që ajo s’ka lënë pa sulmuar as kreun e shtetit dhe nismën për krijimin e një partie të re politike, duke e cilësuar atë si një fyerje të karriges së personit që simbolizon unifikimin e kombit, ndërsa vetë Topin si një politikan që prej kohësh po luan në kampin e majtë.

Zonja Topalli, aktualisht jemi në pritje të Raportit të Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Çka mund të pritet nga ky raport, duke pasur parasysh, veçanërisht, kërkesën e Shqipërisë për status të vendit kandidat për pranim në Bashkimin Europian?

Unë do ta ndaja në dy pjesë: e para - në tërësi, raporti besoj se është realist dhe do të jetë pozitiv, ashtu siç është klima në tërësi në Shqipëri. Sa i takon aspektit të statusit të vendit kandidat, unë besoj se shqiptarët do ta paguajnë edhe një herë bojkotin dhe bllokadën që opozita i ka bërë Parlamentit, gjatë këtyre dy vjetëve. Është një çmim, që shqiptarët e pafajshëm duhet ta paguajnë për një politikë ose për lidershipin e një partie, që, me sa duket, është edhe një lloj celule antieuropiane. Natyrisht, unë ndihem keq kur e them një gjë të tillë, por ne duhet të jemi të ndershëm me njëri-tjetrin, duhet ta themi të vërtetën ashtu siç është. Si kryetare e Kuvendit, mua më është dashur të përballem me frymën e antiparlamentarizmit dhe në tërësi të antishtetit. Në këtë kuptim, shqiptarët duhet të paguajnë për diçka që nuk e meritojnë, për diçka që nuk e kanë bërë, por mendoj se është edhe momenti që secili prej shqiptarëve duhet ta pyesë veten nëse ia vlen më që t’i përgjigjesh një lidershipi të një partie që është kthyer edhe në një celulë antieuropiane.

E përmendët bojkotin politik të opozitës. Por, edhe pas kthimit të saj, prapëseprapë, duket se gjërat nuk po lëvizin. Këtu kam parasysh veçanërisht kërkesën e opozitës për ndryshim të rregullores së punës së Kuvendit, përfshirë votimin e fshehtë...

Kjo është një justifikim ose përpjekje e dështuar për të gjetur një mburojë nga sytë e shqiptarëve dhe gjithë botës, pasi ata, në fakt, vazhdojnë ta bojkotojnë votimin e ligjeve me 3/5. Ajo që ata përpiqen ta përdorin si mburojë, në fakt nuk mbulon, sepse është vetëm gjethja e fikut. Pavarësisht nga kjo, ne jemi të hapur për të përmirësuar çdo gjë që mund të përmirësohet edhe në raport me rregulloren e Kuvendit, edhe në raport me ligjet e tjera. Nëse ka ndonjë nen që bie në kundërshtim me rregulloren e Parlamentit Europian, padyshim që jemi të hapur për ta përmirësuar, megjithëqë kam bindjen e thellë, dhe këtë e them me një ndërgjegje të plotë, se rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë është ndër rregulloret më moderne dhe më demokratike që ekziston sot në Europë.

Po përse atëherë e kundërshtoni votimin e fshehtë në Parlament, që personalisht e keni sugjeruar?

Jo. Ndoshta nuk jemi kuptuar mirë. Dekretet e Presidentit nuk mund të votohen kurrë në mënyrë të fshehtë, sepse nuk votohen në mënyrë të fshehtë në asnjë vend. Sa u takon emrave të tjerë, që do të zgjidhen në institucione të ndryshme, le t’u qëndrojmë atyre modeleve, siç i përdor edhe Europa. Natyrisht mund ta adaptojmë - po të kemi kurajë për t’i mos fshehur vetvetes dhe ndërgjegjes sonë - ta përdorim edhe votën që përdor Kongresi dhe Senati Amerikan. Unë personalisht mendoj se përpara shqiptarëve duhet të themi se nuk kemi përse të fshihemi pas asgjëje, as pas kutive të votimit, as pas perdeve, për të thënë që vullneti im politik është ky.

Por, zoti Rama thotë se do të ketë rezultate më të mira në të ardhmen...

Në fakt, zgjedhjet e 8 Majit treguan se koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha mori dyfishin e votave që e kishte marrë më 2009-ën, ose përkthyer në mandate, ka marrë së paku 17 mandate më tepër se më 2009-ën. Nëse zoti Rama mendon se kështu do t’u hedhë hi syve të shqiptarëve, ju garantoj se pas dy vjetëve kjo diferencë do të rritet edhe më shumë në favor të koalicionit.

Këto ditë, presidenti Bamir Topi ka sugjeruar se do të mund të formonte një parti të re. Nëse kjo ndodh, a keni shqetësime se do të dobësohej Partia Demokratike?

E para, nuk ka asnjë shqetësim. E dyta, kjo nuk është diçka e papritur, as e panjohur. Besoj se do të merrte nga e majta, sepse zoti Topi ka luajtur në fushën e majtë gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo nuk më intereson aq, sa më dhemb fakti që kjo është një fyerje ndaj karriges së Presidentit.

Pse mendoni se është fyerje?

Në bazë të Kushtetutës, ai duhet të jetë figura që bashkon popullin dhe jo që punon për një parti të caktuar. Ai ishte i sinqertë pasi që doli vota e tij në sytë e të gjithë shqiptarëve - ‘live’, me të parë dhe me të dëgjuar.

Ka zëra që thonë se ju jeni ndër personalitetet më me ndikim në Partinë Demokratike, pas zotit Berisha. Në këtë perspektivë, a e shihni veten në ndonjë post edhe më të lartë në Shqipëri?

Nuk e kam lidhur kurrë punën time me postet e caktuara. Ajo që unë mendoj deri më 2013-ën është të drejtoj Kuvendin e Shqipërisë, duke menduar për reformat e tjera në fushat fiskale, në fushat e zhvillimit të bujqësisë, të teknologjisë, të ekonomisë në tërësi. Kjo është ambicia ime, ky është vullneti im dhe këtu jam e fokusuar.

Pas vitit 2013, mendoni eventualisht për postin e Presidentes?

Unë mendoj t’i fitojmë zgjedhjet e 2013-ës, sepse vendi ka nevojë për një lidership, i cili është dëshmuar ose është i suksesshëm për të lëvizur vendin nga një vend i pazhvilluar drejt një Shqipërie të zhvilluar më 2017-ën. Kjo është ambicia ime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›