Identifikohet Vjollca e fabrikës së vdekjes

TIRANË - Identifikohet gruaja misterioze, emri i së cilës është gjetur në librin e shënimeve të kompanisë “Albademil”, e cila demontonte predha në Gërdec. Gruaja e quajtur Vjollca, emri i së cilës është hasur disa herë nga grupi hetimor në dokumentet e sekuestruara në fabrikën e Gërdecit, rezulton të jetë bashkëshortja e Mihal Delijorgjit. Kështu, grupi hetimor përjashton nga çdo dyshim bashkëshorten e të ndjerit Muhamet Hoxha, i cili humbi jetën nga shpërthimi i 15 marsit. Ky ishte konkluzioni në të cilin arriti grupi hetimor, pas një sërë verifikimesh mbi bazën e dokumentacionit dhe dëshmive që punëtorët e mbijetuar dhanë në ndihmë të hetimit. Dilema e prokurorëve për identitetin e saktë të gruas me emrin Vjollca u zgjidh pas marrjes së informacioneve, se bashkëshortja e Mihal Delijorgjit jepte kontributin e saj kryesisht në menaxhimin e skrapit që dilte nga demontimi i predhave. Sipas burimeve të prokurorisë, vërtetohet nga libri i shënimeve, se emri Vjollca gjendet i shkruar disa herë dhe përkrah tij janë shuma të vogla parash që nisin nga 700 e 20 mijë lekë për blerje karburanti e deri të 300 mijë lekë, apo dollarë për dreka dhe darka. Në fakt, këto para janë marrë nga Vjollca Delijorgji, e cila sipas prokurorisë nuk kishte asnjë pozicion të caktuar në fabrikën e Gërdecit, por ajo kujdesej dhe administronte produktet që dilnin nga demontimi i predhave. Burime të prokurorisë, që ashtu si dhe banorët pohojnë faktin se Vjollca Delijorgji qëndronte në zyrat e firmës së ndërtimit “Park Construction Albania” me qendër në rrugën e “Kavajës” pranë ish-Parkut të Autobusëve në kryeqytet. Por prokuroria nga dokumentet e sekuestruara mundi të zbulojë se Vjollca Delijorgji, krahas administrimit dhe shitjes së apartamenteve të banimit në pallatet që janë pronë e bashkëshortit të saj, merrej dhe me produktet e që dilnin nga fabrika e Gërdecit. Është vërtetuar nga organi i akuzës, se Vjollca menaxhonte kryesisht magazinimin apo dhe transportin e skrapit që dilte nga demontimi i predhave. Kjo gjë përforcohet edhe më shumë nga deklarimet e Mihal Delijorgjit, i cili pak ditë më parë, në një intervistë dhënë për “Korrierin”, deklaroi se puna e kompanisë “Albademil” ishte demontimi i predhave dhe përftimi i skrapit, i cili më pas shitej jashtë apo brenda vendit. Duke pasur parasysh faktin se Delijorgji duhej të kujdesej për të gjithë bizneset e tij, atëherë në punë të caktuara duket se atij i vinte në ndihmë edhe bashkëshortja, Vjollca.