I mistershmi Henri Tomei

Kush është tregtari zviceran i armëve, i lakuar për afera të dyshimta në raporte ndërkombëtare dhe në parlamentin e vendit të tij
Quhet Henri Tomei (Heinrich Thomet) dhe nëse në Shqipëri flitet vetëm prej pak ditësh për të, qëkur artikulohen akuza e dyshime për trafik armësh, në të vërtetë ai vetë është një personazh ndërkombëtar në shitblerjen e armëve, mbi “kurrizin” e të cilit kanë rënë herë pas here dyshime për përfshirje në afera aspak të qarta. Henri Tomei ndërkohë, është “i njohur” në raporte ndërkombëtare, por edhe në raporte të vetë parlamentit zviceran, si dhe në disa hetime për lidhje “të çuditshme” që shtrihen deri në Izrael. Emri i zviceranit që në ditët e fundit u artikulua disa herë, në fillim nga media e më pas nga politika, është paraqitur si personazh i firmës “Evdin LTD”. Kjo e fundit ishte firma qipriote që duhej të funksiononte si nënkontraktore mes “Meico”-s dhe kompanisë amerikane “AEY” me pronar Efraim Diverolin, i cili kishte fituar një tender të Pentagonit prej 300 milionë dollarësh për të furnizuar me armë Afganistanin. Në fakt, Henri Tomei përmendet në raporte ndërkombëtare, si ai i “Amnisti International” të vitit 2006, si një personazh i dyshimtë, i përfshirë në tregtinë e armëve. Në raportin e “Amnisti International” thuhet se autoritetet e Bosnjës dhe të Hercegovinës, si dhe të SFOR-it paraprakisht kishin aprovuan eksportimin e sasive shumë të mëdha të armëve të vogla dhe të municioneve nga fundi i vitit 2001 deri në mesin e vitit 2003 në Uganda, duke përdorur një firmë qipriote, në një moment që forcat e armatosura të Ugandës ndihmonin trupat e armatosura që po abuzonin me të drejtat e njeriut në lindje të Republikës Demokratike të Kongos. Ndërsa në po të njëjtin raport të “Amnisty International”, Henri Tomei përmendet me emrin e tij, e jo më si ndërmjetës me biznes në Qipro. Në këtë raport, Tomei përmendet së bashku me ish-atasheun ushtarak të izraelit në Zvicër, i cili po hetohet për këtë aktivitet në vendin e tij. Kësaj radhe përveç nga Bosnja-Hercegovina, armët vinin edhe nga Maqedonia e Serbia. “Fantazmë” në Qipro? Henri Tomei është përfaqësues i firmës zvicerane “Brugger & Thomet”, si dhe i firmës “AG BG International”. Kompania “Evdin LTD” në Qipro duket më shumë si një fantazmë, e cila ka dyshime se mund të ketë funksionuar vetëm përkohësisht. (Evdin LTD” dyshohet se përdoret si ndërmjetëse, duke rritur me 18 milionë dollarë më shumë çmimin e artikujve ushtarakë të kërkuar nga amerikanët. Në dëshminë e tij publike, dje Kosta Trebicka pranoi në fakt, se Efraim Diverolit i ishte kërkuar nga Mihal Delijorgji të bënin një kontratë të re, por me një çmim prej 18 milionë dollarësh më shumë, çka në fakt hedh hije dyshimi se firma qipriote ishte thjesht një “mbulesë” dhe se duhej për të justifikuar çmimin e dyfishuar dhe përfitimet e paligjshme të personave të tretë jo palë në kontratë. E “njeh” dhe Parlamenti Emri i Tomeit nuk ka kaluar pa u “lakuar” dhe në Parlamentin zviceran. Ky i fundit ka zhvilluar një seancë hetimore, në të cilën është diskutuar se cili ka qenë roli i Henri Tomeit në çështjen ku ishte i përfshirë dhe atasheu ushtarak izraelit. Në faqen e internetit të parlamentit zviceran gjen të shkruar se “këshilli federal mund të konfirmojë se “BT International” e Bernës, duke bashkëpunuar ngushtë me firmën izraelite “Talon” dhe i ngarkuar nga Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-ve, ka çuar armë në Irak dhe Afganistan, me prejardhje nga Serbia e Mali i Zi? Çfarë roli ka pasur në këtë histori biznesmeni zviceran Henri Tomei dhe ish-atasheu ushtarak izraelit në Zvicër, majori Shmuel Avivi? Po në të njëjtën faqe interneti thuhet se Henri Tomei ka informuar SECO-n se ka krijuar në vitin 2004 me një tjetër zviceran ndërmarrjen izraelite “Talon LTD”, aktive në tregtinë e armëve dhe impianteve të sigurisë. Rreth 70 për qind e aksioneve janë në duart e Tomeit. Ai shpreson që falë kësaj ndërmarrjeje izraelite, të ketë më shumë akses në tregun e SHBA-ve. Në tetor të vitit 2005, “Talon LTD” ka si drejtor ish-atasheun ushtarak izraelit në Zvicër, Shmuel Avivi. Sipas shtypit izraelit, ka mundësi që një gjykatë ushtarake të hapë një proces për sa i përket aktiviteti të tij ushtarak në Bernë. Autoritetet zvicerane nuk e dinë nëse shoqëria “Talon LTD” ka çuar armë në Irak dhe Izrael me origjinë nga Serbia dhe Mali i Zi. Lidhje të tjera të Henri Tomeit Joray Marius Waffen listohet si distributor i “Bruger dhe Thomet AG”, blerësi zviceran më i madh i armëve, menaxheri i të cilit, Henri Tomei, është i përfshirë në një tjetër marrëveshje të Taosit me Pentagonin, për Komandat Speciale të SHBA-ve. Pronari i “Talon” është majori Shmuel Avivi, duke iu referuar kështu websitit të Dhomës së Tregtisë së Izraelit. Një burim izraelit e përshkroi Shmuel Avivin si “ushtarakun e atashuar në Zvicër”. Nga ana e tij, Avivi ka thënë se ishte anëtar i forcave mbrojtëse të Izraelit, ndërsa ai duket të ketë shërbyer si një ushtarak i Izraelit, i atashuar në Danimarkë apo Suedi. Po kështu, burimet izraelite pohuan se “Avivi operonte në Zvicër me një ortak zviceran, emri i të cilit ishte Henri, e që njihej në Zvicër si Heinrich Thomet, i lidhur me të paktën dy kompani të përfshira në tregtinë e armëve, “Brugger & Thomet AG” dhe “BT International LTD”. Henri Tomei deklaroi se punonte me Avivin “rastësisht” dhe se kompania e tij furnizon industrinë e Taosit në biznese të SOCOM-it të SHBA-ve. Por, sipas tij, kompania e tij nuk kryen shërbime për Irakun apo Afganistanin, pasi operon kryesisht sipas kontratës SOCOM me qeverinë amerikane.