Oketa telefonon paqeruajtësit në Afganistan
TIRANE- Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa ka patur ditën e sotme një lidhje telefonike me Trupat tona Paqeruajtëse në Herat dhe Kabul, të Afganistanit. Ministri Oketa është interesuar për situatën atje, ndërkohë që vendi po voton për presidentin e ri.
Gjatë bisedës telefonike, komandantët e kontingjenteve tona, e njohën Ministrin me ecurinë e misionit, të cilin e kanë konsideruar të suksesshëm dhe pa incidente. Ndërkohë, ministri Oketa i ka inkurajuar që të përmbushin me sukses të plotë detyrën e ngarkuar, duke theksuar se ndryshe nga paraardhësit e tyre, ata asistojnë në një proces të madh për Afganistanin, siç janë zgjedhjet presidenciale.
Më datën 12 gusht, me vendim të Qeverisë, u nisë në Herat një mision shtesë me 110 trupa paqeruajtësish, mision i cili e çoi në 251 numrin e forcave tona në Afganistan.
Ky kontingjent u nis pikërisht për të mbështetur përmbushjen e një procesi zgjedhor të qetë e demokratik, në këtë vend. (a.r/news24/balkanweb)