E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi përgënjeshtron PDI: Çështjen Çame e mbroj në PS

Shpëtim Idrizi, deputeti i PS, ka përgënjeshtruar deklaratat e kreut të PDI se po negocionte me të për t’iu bashkuar kësaj force për mbrojtjen e çështjes Çame. Reagimi i deputetit socialist erdhi pas deklaratave të Muhedinit për “News24” 

TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste Shpëtim Idrizi, ka përgënjeshtruar sot kryetarin e Partisë Drejtësi dhe Integrim Tahir Muhedini për një bashkim të mundshëm të tij me partinë që mbron interesat e komunitetit Çam.

I pyetur nga televizioni “News24” deputeti Idrizi ka mohuar aludimet për bashkim me PDI-në në parlament. “Nuk kam nevojë të bashkohem me PDI-në për të mbrojtur çështjen Çame”- ka theksuar Idrizi, duke shtuar se këtë çështje do ta mbrojë vetë në parlamentin e ri.

Reagimi i deputetit socialist erdhi pas deklaratave të kryetarit të PDI-së Tahir Muhedini dhënë për “News24”, sipas të cilave ai po negocionte me deputetin Idrizi për të rritur numrin e përfaqësuesve të partisë së tij në parlament. Sipas Muhedini, çdo deputet që do ti bashkohej partisë së tij do të kishte si objektiv kryesor çështjen Çame. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›