E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olimpiada nis punen laboratori antidoping

Kontrollet anti doping për Lojërat Olimpike “Londër 2012” kanë nisur nga e hëna, ndërsa mendohet se do të kontrollohen më tepër se gjysma e atletëve pjesëmarrës në evenimentin më të rëndësishëm sportiv.
Laboratori antidoping i cili ndodhet në Harlou do të punojë 24 orë në 24 deri në fund të olimpiadës. Një ekip mjekësh të specializuar do të shqyrtojnë mbi 6 mijë teste, duke përfshirë këtu edhe kontrollet për Lojërat Paralimpike që përfundojnë më 9 shtator, për të garantuar që aktiviteti të mos ndikohet nga skandalet apo skualifikimet e sportistëve.
Organizatorët e “Londër 2012” i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë laboratorit anti-doping, ku kontrollet do të jenë më të sakta, gjithëpërfshirëse dhe procedura do të jetë shumë e shpejt, për të kapur në kohë mashtruesit dhe ata atletë që do të provojnë të rrisin performancën sportive nëpërmjet substancave të ndaluara.
Gjithashtu, të gjitha testet antidoping do të ruhen, për t’u shfrytëzuar edhe pas disa vitesh, nëse dikush nga sportistët do të tentojë të përdorë substanca të reja të palejuara.
Kjo është konfirmuar nga Terri O’ Kalagan, shefja e zyrës së shtypit të kompanisë GlaksoSmithKline, që do të drejtojë punën në laboratorin anti-doping.
Ajo theksoi se përveç faktit që në “Londër 2012” do të kryhen më shumë kontrolle antidoping se në çdo olimpiadë të mëparshme, ku puna e një viti do të zhvillohet vetëm në harkun e 6 javëve, të gjitha testet dhe rezultatet e tyre do të ruhen për një afat 8-vjeçar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›