Olimpiada ushtria do te testoje sigurine
Shefat e ushtrisë britanike kanë mbrojtur planin për të vendosur raketa në çatinë e një blloku apartamentesh në Londër, gjatë Lojërave Olimpike të verës, për t’u mbrojtur nga sulme të ngjashme si ato të 11 shtatorit në Amerikë.
Kur kanë mbetur vetëm 88 ditë nga starti i Olimpiadës, gjatë kësaj jave ushtria do të nisë testimin e raketave mbrojtëse në gjashtë pika kyçe rreth Parkut Olimpik, si pjesë e stërvitjes për të garantuar sigurinë maksimale gjatë evenimentit madhor. Kjo është hera e parë pas 60 vjetësh, më saktësisht prej Luftës së Dytë Botërore, që në kryeqytetin anglez vendosen raketa.
Banorët e lagjes ku do të vendosen raketat tokë-ajër i tremben sulmeve terroriste në bllokun e apartamenteve për të nxjerrë jashtë funksionit raketat, por panik ka shkaktuar edhe ideja se mund të goditet ndonjë aeroplan, I cili do të binte pikërisht në zonën e banuar.
Gjithsesi, vendimin final për këtë çështje do ta marrë kryeministri Devid Kameron, vetëm pas përfundimit të stërvitjes më 10 maj. Aktualisht, kërcënimi për sulme terroriste në Britani cilësohet si “i konsiderueshëm”, dhe ky është niveli I tretë më i lart që tregon se sulmet janë të mjaft të mundshme.
Gjatë “Londër 2012”, 13 mijë e 500 ushtarë do të ndihmojnë forcat e policisë, ndërsa afro 10 mijë prej tyre kanë shërbyer në Afganistan në të kaluarën. Ndërkohë, gjatë Lojërave Olimpike, në detyrë do të jenë 12 mijë e 500 forca policore në të gjithë vendin.
Lejet dhe trajnimet e policëve janë reduktuar gjatë periudhës 27 korrik-12 gusht kur do të zhvillohet olimpiada, për të garantuar që do të ketë forca të mjaftueshme për të përballur rreziqet që nuk lidhen me evenimentin më të rëndësishëm sportive në botë.