E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oliver Shmit: “E vërteta e keqkuptuar për Skënderbeun”

Intervistë me historianin më të replikuar në mediet shqiptare. Prof. dr. Oliver Jens Shmit tregon ç’ndodhi me librin e tij mbi Skënderbeun

Erald Dushku
Selver Islamaj
Në vrullin e debateve që solli botimi në gjuhën shqipe i librit “Skënderbeu” nga Oliver Jens Shmit, u zhvillua para pak ditësh në Institutin e Historisë për Europën Juglindore të Vjenës prezantimi i kësaj vepre. Shumë shpejt pas botimit të këtij libri u ndezën debate të zjarrta, që falë mundësive teknike të kohës kaluan çdo kufi. Nga një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, këto debate u shndërruan në protesta. Një reagim fare normal ky, duke marrë parasysh që bëhet fjalë për figurën më të rëndësishme të kombit tonë. Skënderbeu ishte simboli i ndjenjës kombëtare dhe deri sot figura e tij ishte e paprekshme. Ndaj autorit u ngritën akuza nga më të ndryshmet dhe për fat të keq u nis një fushatë kundërshtuese, që nuk zhvillohet në nivel shkencor. Shumë komente ndaj këtij libri kanë sjellë në lëndimin e ndjenjave kombëtare. Me këtë prezantim studiuesit e këtij instituti i mundësuan autorit që të prononcohej për përmbajtjen dhe metodikën shkencore të kësaj vepre, si dhe të diskutohej mbi kundërshtimet e saj. Paraprakisht, i gjithë stafi i këtij instituti sqaronte në mënyrë të vendosur që me këtë prezantim ata tregonin detyrimin shkencor për një pasqyrim serioz dhe korrekt të fakteve historike, si dhe kundërshtohej drejtimi nga shkaqe politike dhe financiare. Reagimet janë aq të nxehta, sa edhe kjo gjë u vërtetua në kontrollin e çantave që iu bë të pranishmëve në hyrje, gjë që i befasoi të gjithë. Ka shkuar puna deri aty sa nga ne shqiptarët të priten akte dhune në një prezantim shkencor? Është ky opinioni që duhet t’i tregojmë botës? Përkundrazi, ne kemi ndërtuar një shoqëri demokratike e përparimtare dhe patjetër jemi në gjendje që një vepwr shkencore ta diskutojmë tërësisht mbi baza shkencore. Është shumë e rëndësishme që institucionet përkatëse, ekspertët dhe intelektualët shqiptarë ta zhvillojnë këtë diskutim në atë nivel, dhe për hir të imazhit tonë duhet të zbusin tensionet, të cilat u treguan edhe gjatë prezantimit në Vjenë, ku diskutimi u zhvillua me një frymë shumë të tendosur. Disa nga bashkatdhetarët tanë të pranishëm nuk e kishin lexuar fare librin, por vetëm kritikat e shumta të tij, ose ato pjesë që sulmoheshin në këto kritika. Kështu ndodhi që shumë diskutime nuk u kryen në një nivel shkencor, por shkuan deri aty sa disa prej tyre përfunduan në akuza e provokime të pahijshme.
Duhet theksuar që nw këtë libër kemi të bëjmë me një vepwr shkencore, rezultat i një pune 10-vjeçare, e cila përmbledh në mënyrë po shkencore arkiva të ndryshme në Europë, si dhe nw pjesën dërrmuese (kryesore) të literaturës. Metodologjia shkencore ndërkombëtare kërkon një konfrontim objektiv me këto materiale, pra jovlerësore. Kjo merr parasysh krejt zhvillimet shkencore mbi këtë temë dhe mundohet të zbardhë pikat e paprekura e të rrëzojë teoritë e ndjekura deri tani, të cilat nuk kanë bazë shkencore. Argumentet duhet të jenë në një bazë ndërkombëtare dhe të vërtetohen me dokumente që nuk janë marrë parasysh deri tani. Po të lexohet libri në mënyrë të kujdesshme dhe pa u ndikuar nga mediatizmi i ashpër, vërehet që nuk trondit asnjë nga shtyllat themelore të figurës së Skënderbeut. Pra as faktin që ai ishte arbër, dhe as faktin që ai luftoi për 25 vite me një kosto shumë të lartë në emër të lirisë dhe të mbijetesës. Roli i Skënderbeut përpunohet në një mwnyrë shkencore dhe transformohet nga një aktor i vetëm, në një aktor të aftë të kohës dhe politikës europiane në Mesjetë. Personazhi i tij pasqyrohet me shumë veti të veçanta në politikë, strategji dhe në diplomacinë e asaj kohe. Libri nxjerr qartë se Skënderbeu ishte një nga figurat më të rëndësishme në Europën e asaj kohe, i cili ndikoi në historinë e saj. Ky fakt duhet të na bëjë krenarë që ne, pasardhësit e tij, jemi pjesë e rëndësishme e historisë së kësaj Europe dhe kemi vendin tonë po aq të rëndësishëm në të. Pra ky libër nuk na sjell asgjë negative. Ne jemi një shoqëri demokratike dhe pragmatike, që nuk jeton me dogma të vjetra, por pranojmë çdo opinion të ndryshëm dhe jemi në gjendje të diskutojmë atë në nivel shkencor. Duhet të distancohemi nga reagimet ekstremiste dhe të jemi krenarë për historinë tonë.

Cila qe arsyeja që ju nxiti të shkruani një vepër shkencore mbi figurën e Skënderbeut?
Historia shqiptare e Mesjetës më ka mahnitur që gjatë kohës së gjimnazit. Një projekt i tillë më ka përcjellë për shumë vite dhe pa dyshim kemi të bëjmë me një nga figurat më të rëndësishme të historisë europiane. Një nga shkaqet është dhe fakti që në sferën perëndimore, gjatë viteve të fundit nuk kemi një pasqyrim të figurës së Skënderbeut (d.m.th. që nga botimi i biografisë së Alesandro Kutolos, 1940). Një nga të paktat vepra është ajo e Heri Hodgkinson, e botuar nga Bejtullah Destani. Pra, në radhë të parë më ka mahnitur personaliteti i Skwnderbeut dhe në radhë të dytë më ka tërhequr interesi për punën arkivore. Gjatë kërkimeve të mia isha i interesuar për të parë se çfarë materialesh të reja mund të dilnin.

Ju flisni shumë mirë shqip. Si ju lindi dëshira për të mësuar gjuhën shqipe dhe të merreni me historinë e Shqipërisë?
Në fillimin e viteve ‘90 bëra një udhëtim në të gjithë Epirin, deri pranë kufijve të Shqipwrisë, në zonën e Konicës. Te këta kufij për ne mbaronte bota. Shqipëria ishte në ndryshim, dhe në Europë, për shkak të izolimit komunist, dihej shumë pak për të. Afrimi im i dytë ishte deri në Otranto. Pra Shqipëria (Vlora) dukej shumë afër dhe përsëri ishte shumë larg. Në atë kohë gjuha shqipe ishte ende disi ekzotike për mua dhe përsëri ishte faktori i mahnitjes që më bëri të filloja mësimin e saj. Gjatë seminareve të para si student në Vjenë njoha disa kolegë shqiptarë, me të cilët, nëpërmjet bisedave të gjata në kafene, mundohesha të praktikoja gjuhën.

Si u zhvilluan punimet shkencore mbi Skënderbeun pas komunizmit në Shqipëri?
Është shumë interesante kur vihet re që gjatë regjimit të Enver Hoxhës nuk është publikuar asnjë biografi e madhe shkencore për Skënderbeun. Në vitin 1968 u bë një kongres i madh shkencor dhe filluan përpjekjet që kulti i Skënderbeut të futet si një religjion zëvendësues. Pra feja ndalohet dhe fillon ateizmi, por njerëzve u duhej dhënë diçka zëvendësuese. Kjo ishte pika kulmore e figurës së Skënderbeut. Ai u pa si paraardhësi i Enver Hoxhës dhe u përdor një pamje shumë ideologjike e figurës së tij. Nëse shihen burimet historike, lind problemi se figura e tij historike me Skënderbeun e ideologjisë komuniste janë shumë në ndryshim. Pra, ishte e rrezikshme që të punohej mbi figurën historike të Skënderbeut, i cili nuk udhëhiqte një vend të izoluar, por kishte marrëdhënie shumë të ngushta me të gjithë fqinjët: Një kundërshtim ky me politikën e Enver Hoxhës. Kështu u ndërtua një kult i Skënderbeut, i cili ishte pa përmbajtje. Ky kult u përdor edhe në kohët e fundit të regjimit komunist si stabilizator i një regjimi që ndodhej para rënies. Më pas u bënë dy biografi të mëdha nga dy historianë, njëra nga Kristo Frashëri dhe tjetra nga Kasem Biçoku. Vepra më interesante është ajo e Biçokut, sepse përmbledh edhe gjeografi historike, futet thellë në teren dhe e zmadhon metodikën e të punuarit. Problemi që unë shoh kwtu është se kërkohet shumë pak kontakt me shkencat ndërkombëtare të Mesjetës. Ndikimi i Skënderbeut nuk mbaron në kufijtë e Shqipërisë, por duhet zgjeruar në një kontekst europian. Pra si figurë historike, Skënderbeu del shumë i izoluar, ashtu siç ishte Shqipëria në gjysmën e dytë të shek. XX. Historiani punon nën ndikimin e kohës. Pra, kur punohet në një vend totalisht të izoluar, kjo ndikon në mënyrën e interpretimit dhe të punimit shkencor. Një problem tjetër në Shqipëri është vijimësia e elitave: Para dhe pas komunizmit, të njëjtët persona punojnë në fushën e historisë. Kjo gjë vihet re dhe në veprën “Historia e popullit shqiptar”, ku janë botuar tekste të kohës së Enver Hoxhës, që interpretohen si të reja.

Keni bërë dy prezantime të librit, në Tiranë e në Vjenë. Cilat janë përshtypjet tuaja nga këto prezantime dhe si u zhvilluan ato?
Në prezantimin e librit në Tiranë u diskutua qetë dhe nuk lindën problemet të cilat dolën më pas, dhe fryma ishte shumë pozitive. Distanca kohore mes prezantimit në Tiranë dhe në Vjenë ishte prej dy muajsh. Gjatë kësaj kohe pati shumë komente nëpër media dhe për fat të keq u komentuan gjwra që nuk janë në përmbajtjen e librit, si p.sh. akuza se është një libër i porositur. Dua të them që unë publikoj mbi këtë temë që prej vitit 1998, kur ende isha student, që do të thotë se libri duhet të ishte porositur shumë kohë më parë, që do thotë: ishte shumë herët. Pra kjo formë e të punuarit shkencor ka zgjatur 11 vjet. Kjo hipotezë është absurde dhe tregon mosnjohjen e punës sime shkencore, por sidomos të standardeve ndërkombëtare në shkencat historike. Diskutimi në Vjenë ishte shumë interesant dhe natyrisht u zhvillua në një formë mjaft emocionale, ku dalloheshin dy gjëra: një pjesë e emocioneve vinin si rrjedhojë e artikujve nëpër media dhe pjesa tjetër ishin ata që e kishin lexuar librin me paragjykime dhe nuk kishin kuptuar ose pranuar mesazhin kryesor të tij. Duhen marrë parasysh burimet historike dhe duke mos u ndikuar nga pasqyrimi komunist i kësaj figure, mesazhi kryesor është që kemi të bëjmë me një burrë të madh. Gjithë diskutimi lindi duke besuar se libri ka në radhë të parë një tendencë negative. Një gjë kjo që më befasoi shumë!

Cili është mendimi juaj si historian mbi figurën e Skënderbeut?
Dua të theksoj që shumë dokumente të reja pasqyrojnë pikërisht figurën njerëzore të Skënderbeut dhe kjo figurë del shumë më madhështore se sa në paraqitjet klasike të komunizmit. Këtu dua të bazohem në disa shembuj tipikë. Njëri nga këta është një dokument, i cili tregon mbi pritjen që i bëhet Skënderbeut në Romë, në vitin 1466. Pritja ishte shumë mbretërore. Të gjithë kardinalët i dalin përpara për ta pritur dhe gjithë Roma është në rrugë për ta përshëndetur. Sigurisht është tragjike që atij nuk i jepet ndihmë nga Roma, por këtu theksohet rëndësia europiane e figurës së Skënderbeut. Shembulli i dytë buron nga një tekst i një diplomati milanez dhe është një nga pjesët e mia më të pëlqyera. Skënderbeu ndodhet në vitin 1461 në Itali dhe këtu ai zë rob një aristokrat italian. Kjo është një skenë e mrekullueshme. Në këto kohë Skënderbeu është në moshën 55-vjeçare (në Mesjetë një burrë i vjetër). Ata takohen në fushë të hapur për të biseduar dhe Skënderbeu mundohet ta bindë këtë aristokrat që të ndalë tradhtinë ndaj mbretit të tij, Ferrantes së Napolit. Ky aristokrat nuk pranon dhe Skënderbeu vë re që diskutimet janë të kota. Ai e kap aristokratin, e rrëmben atë në kalin e tij dhe e kthen në kampin e mbretit. Dua të them këtu që nuk i kuptoj reagimet negative, sepse pikërisht nga këto dokumente pasqyrohet etosi i Skënderbeut si një person që e urren tradhtinë. Pse nuk diskutohet rreth këtyre fakteve? Shumë herë është komentuar se ky libër hedh baltë mbi figurën e Skënderbeut! Unë jam munduar që në bazë të burimeve të nxjerr Skënderbeun si një personalitet shumë karizmatik dhe që kishte mundësinë që njerzëve të tij t’u dhuronte një ndienjë të lartë besueshmërie. Kjo tregohet edhe në rastin e Betejës së Beratit, ku për Skënderbeun ndodh një disfatë e madhe dhe shumica e luftëtarëve të tij marrin arratinë. Ai nuk bën të njëjtën gjë, por në moshën 50-vjeçare lufton deri në fund dhe u mundëson njerëzve të tij terheqjen e sigurt, pra largohet nga beteja vetëm kur njerëzit e tij ishin në siguri. Dua të theksoj që ky është një burim deri tani i pazbuluar dhe një tregim nga të mbijetuarit e asaj beteje, i shkruar një ditë pas saj. Dëshiroj që në këto diskutime të lindë pyetja: Kështu hidhet baltë mbi heroin, kur duke u bazuar në burime deri tani pak të njohura dhe duke nxjerrë në pah këto veti pozitive të tij? Pra Skënderbeu nuk është më një produkt i fantazisë komuniste, por heroi real që del nga këto burime dhe jo vetëm nga këto, por edhe nga shumica e burimeve që përdoren për librin.

A mund të thoni diçka për pretendimin se në libër prejardhja e Skënderbeut del jo shqiptare?
Nuk jam absolutisht i këtij mendimi. Askush nuk do të fliste për Jani Vreton që ai nuk ishte shqiptar, edhe pse nuk u quajt Gjon Vreto. Emri në kohën e mesjetës nuk tregon në asnjë mënyrë prejardhjen etnike, por vetëm influencën kulturore të kohës. Nëse ballafaqohemi sot me shoqërinë shqiptare sipas kriterit të emrave, atëherë këtë intervistë po e bëj me një arab dhe me një person tjetër, i cili në kontekstin europian nuk mund të identifikohet aq lehtë kombëtarisht, kurse ju e bëni këtë intervistë me një anglez, pasi emri Oliver, prejardhjen e ka nga Anglia. Njohja e gjuhëve të ndryshme në mesjetë nuk do të thotë asgjë për origjinën etnike. Një shembull: Një princ i Arianitëve u paraqit në vitin 1469 në moshën 14-vjeçare te Papa Pali II në Romë. Kardinalët i kërkuan që të fliste tërë gjuhët që i njihte. Ai fliste shqip, greqisht, italisht, sllavisht dhe njihte disa poema latinisht. Kjo ishte kultura e aristokracisë shqiptare në mesjetë.

Mund të prononcoheni edhe për akuzat e tjera që u bënë ndaj jush në forume dhe media të ndryshme?
Një nga keqkuptimet ishte për faktin se botimi i parë i librit u bë në gjuhën shqipe dhe jo në atë gjermane. Kjo për shkak se për të realizuar botimin e tij, ishim të varur prej subvencioneve shtetërore. Për botimin në gjuhën shqipe, subvencionet u morën nga shteti zviceran dhe kjo u realizua shumë shpejt. Për sa i përket botimit në gjermanisht, procedura nga Fondi i Mbështetjes së Kërkimeve Shkencore në Vjenë zgjati më gjatë. Aprovimi erdhi në dhjetor të 2008-s, kështu që libri do të botohet në shtator 2009 në gjermanisht. E rëndësishme është edhe pyetja se, pse në shoqërinë shqiptare besohet që është kaq e lehtë të blihet një shkencëtar dhe të shtyhet për të shkruar një vepër anti-shkencore? Një person, të cilit i vërtetohet një gjë e tillë rrezikon emrin dhe karrierën e tij shkencore. Unë merrem prej një kohe shumë të gjatë me historinë dhe gjuhën shqipe dhe kjo nuk është rrjedhojë e një ndienje antipatike, por përkundrazi. Ndoshta do të ishte mirë që këtë diskutim ta kthejmë në anën pozitive dhe këtu dua të bëj të ditur se në Vjenë kemi shumë projekte për studentët shqiptarë, si bursa, transferime nga Mynihu në bibliotekën e “Albanien Institut”, që u ndërtua nga Georg Stadtmüller dhe Peter Bartl. Akademia e Shkencave së Austrisë ka firmosur një marrëveshje për ndihmë dhe bashkëpunim me Akademinë e Kosovës. Pra, këtu nuk mund të flitet për një tendencë anti-shqiptare, pasi një gjë e tillë nuk ekziston.

A e keni pritur një reagim të tillë kur punonit për këtë libër?
Jo, nuk kam pritur reagime të tilla! Përkundrazi, u befasova shumë nga to. Disa personalitete që kanë peshë në shoqërinë shqiptare dhanë disa komente negative që sollën si rrjedhojë reagimin negativ të opinionit shqiptar ndaj librit. Në shumë njerëz që nuk e kishin lexuar librin lindi besimi që këtu po ndërmerret një sulm i organizuar diplomatik dhe kur lind një frymë e tillë është e vështirë të argumentosh apo të vërtetosh të kundërtën.

A është e vërtetë që jeni kërcënuar dhe a solli kjo gjë, deri në kontrollimin e çantave të pjesëmarrësve në prezantimin e Vjenës?
Po, por këtë gjë nuk dëshiroj ta komentoj më gjatë. Ky qe dhe shkaku i kontrollit…

Do të vazhdoni të punoni në të ardhmen me historinë e Shqipërisë?
Po. Biles sivjet kemi disa projekte të ndryshme, si botimin e përmbajtjes së simpoziumit për historiografinë shqiptare. Do të vazhdojmë me aktivitete të ndryshme për historinë shqiptare dhe natyrisht që do të punoj edhe në të ardhmen për këtë temë.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›