Bomba e merkatos C1, Padova kërkon Bogdanin
Mund të jetë “bomba e vërtetë” e merkatos së Serisë C1. Kështu e konsideron gazeta italiane “Leggo” blerjen e mundshme të Erjon Bogdanit nga Padova.
Drejtori Sportiv i Padovas, Doriano Tosi, deklaroi për gazetën italiane se sulmuesi shqiptar i Kievos është në shënjestrën e tij dhe ai dëshiron të bëjë të pamundurën për t’ia bërë dhuratë trajnerit Atelio Teser. Tosi shpreson në marrëdhëniet e shkëlqyera personale me drejtorin Sportiv të Kievos, Sartori, i cili mund të mbyllë me sukses një tratativë në dukje thuajse të pamundur.
Gjithsesi, gjithnjë sipas gazetës italiane, do të jetë shumë e vështirë të bindet “Princi i Epirit” të zbresë dy kategori më poshtë. Dy ish-shokë skuadra te Salernitana, Sezar e Petrasku, mund ta bindin Bogdanin të bashkohet me Padovan.
Për Bogdanin ditët e fundit u interesuan edhe Lacio, Roma (në Itali) e Grenoble në Francë, por tratativat me sa duket nuk kanë pasur ofertë konkrete.
Pas 19 ndeshjeve në Serisë C1 (apo Lega Pro), Padova ndodhet në vendin e shtatë, me 27 pikë, po aq sa Verona, një ish-skuadër e Erjon Bogdanit.
Në repartin e sulmit, Padova ka tetë lojtarë, por vetëm Rabito Andrea ka shkëlqyer, duke realizuar shtatë gola në 12 ndeshje të aktivizuara, ndërsa Varikio Masimiliano tre gola.
Po në Serinë C1 luan si i huazuar nga Palermo te Ravena edhe Brian Filipi, talenti më i ri shqiptar në Itali.
Pango: “‘Qemal Stafa’, projekti i madh i vitit 2009”
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pango, rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për rikonstruksionin e impiantit ndërkombëtar shqiptar. “Stadiumi kombëtar ‘Qemal Stafa’ do të rikonstruktohet në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit e UEFA-n”, - tha ministri për mediat. “Ky do të jetë edhe projekti më i madh për vitin 2009”, - theksoi Pango gjatë përurimit të një fushe minifutbolli, e cila do të jetë në shërbim të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, por edhe të komunitetit. Në stadium do të ndërhyhet në disa faza. Punimet kryesore do të jenë për mbulimin e tribunës karshi, asaj kryesore si dhe shtimin e vendeve për tifozët. Pango pohoi se do të takohet për këtë problem me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli.
Sipas deklarimeve të disa ditëve më parë të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, shuma e investimeve për rikonstruksionin e stadiumit është rreth 10 milionë euro (5 milionë euro UEFA-FSHF, 5 milionë euro MTKRS-ja), për ta shndërruar atë në një impiant modern ku mund të luhen edhe ndeshjet e fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve. I pyetur për shpërblimin e peshëngritëses së njohur Romela Begaj, Pango tha se ai do të jepet shumë shpejt, duke e konsideruar problemin çështje procedurash.
Hyka “shijon” humbjen me Bajernin
Jahmir Hyka ka shijuar 20 minuta kundër gjigantëve të Gjermanisë, Bajernit të Munihut, në një ndeshje miqësore të fituar thellësisht 5-0 nga skuadra e Jurgen Klinsmanit.
Mainc 05, - skuadra e Hykës, – udhëheq Bundesligën 2 në Gjermani, por e ka pasur të pamundur të përballojë furinë e Bajernit të Munihut. Golat kanë mbajtur firmën e Kloses (4'), Toni (55'), Donovan(70'), Shvajnsteiger (72'), Donovan (90').
“Maradona i Mesdheut”, shtatshkurtri Hyka, ka hyrë në fushën e lojës në minutën e 70-të kur rezultati ishte 3-0. Jahmir Hyka në minutat fundit ka tentuar të përdorë freskinë dhe shpejtësinë e tij kundër lojtarëve bavarezë, por pa lënë gjurmë. Një lojë jo shumë e kënaqshme për mesfushorin shqiptar, nga i cili trajneri i Maincit, Jorg Andersen, pret më shumë.
Partizani barazon 1-1 me Skraparin
Partizani barazoi 1-1 me Skraparin e Kategorisë së Parë, në takimin e zhvilluar në Kompleksin e Skuadrave Kombëtare në Kamzë. Për të kuqtë golin e shënoi sulmuesi Marius Ngjela. Kjo ishte miqësorja e pestë e Partizanit, pas atyre me Adën (humbi 1-3), Dajtin (barazoi 3-3) dhe Shkëndinë (fitoi 8-2) dhe Olimpikun (fitoi 1-0).
Besa fitoi 3-2 me seleksionin brazilian, skuadër me të cilën Tirana humbi po 3-1 disa ditë më parë. Grizha (10’), Krasinqi (55’) dhe Fortunat (61’) shënuan për kavajasit. Skuadra braziliane shkurtoi diferencën në minutat 40 (1-1) dhe 78 (3-2).
Kjo ishte miqësorja e katërt e formacioni të Ilir Dajës gjatë përgatitores në Turqi, të gjitha të fituara. Në tri të parat Besa fitoi me skuadrën modeste gjermane, Boner SC (1-0) dhe kundër Flamurtarit (2-0). Besa fitoi 1-0 edhe me Karabak të Azerbajxhanit (skuadër ku luajnë tre shqiptarë: Admir Teli, Artim Shaqiri e Zekeria Ramadani). Golin e vetëm të takimit e shënoi Fitim Haliti.
MIQËSORET E PARTIZANIT
14.01.2009: Partizani-Ada (Kat.1) 1-3, (Kamzë
16.01.2009: Partizani-Dajti (Kat.1) 3-3, (Kamzë)
19.01.2009: Partizani-Shkëndia (të rinjtë) 8-2, (Kamzë)
21.01.2009: Partizani-Olimpik (Kat.2) 1-0, (Kamzë)
23.01.2009: Partizani-Skrapari (Kat.1) 1-1, (Kamzë)
24 Janar 2009