Turistët e rastësishëm të konsullatës shqiptare
“Ti Shqipëri më jep nder” N. Frashëri... “Le ta marri vesh bota mbarë se unë nuk jam ma shqiptar”
F. Konica
Ndodh, ja që ndodh, që një herë të vetme në jetë të mos duash të jesh shqiptare. Ehhhh sikur të kisha lindur nën një nënshtetësi tjetër, perëndimore më mirë, vetëm një ditë të vetme në 365 ditë. “ëndrra në diell”, do të thoshte dikush, “s’të vjen turp” do të me përgjigjeshin fanatikët patriotë. Por ja që një herë të vetme do të doja të isha çdokush, tjetërkush dhe aspak shqiptare. Kjo dëshirë të lind kur duhet të përballesh me konsullatën e vendit tënd të vendosur në një nga sheshet më të bukura të Milanos, në një nga sheshet që vizitohet nga miliona njerëz në botë. Ehhhhhhhh, për ne ka menduar shteti shqiptar, përse të harxhosh një ditë nga jeta jote, për të planifikuar një vizitë në Duomo, kur ti e shijon atë, ndërsa pret në radhë për të kryer punët e tua pranë përfaqësisë diplomatike të vendit tënd. Sa shkel në këtë shesh i mrekullohesh pamjes së kishave të Duomos, sheh turistët e shumtë me aparate fotografikë ndër duar dhe harron që qëllimi i vizitës nuk janë ato kisha e gurët mijëravjeçarë të mbledhur në art. Sa i kthen kurrizin kësaj mrekullie, të shfaqet përballë një copëz realiteti shqiptar. Qindra bashkatdhetarë të ulur në rrethinat e konsullatës. Sipër teje, në ndërtesë, valëvitet flamuri kuq e zi, i lodhur e i rreckosur. Antagonizëm perfekt. Ndër mijëra turistë janë edhe “turistët” e konsullatës shqiptare, fëmijë, burra, gra... ulërima, qaravitje, ngërdheshje. I afrohesh një bashkatdhetari dhe e pyet: si i bëhet për të hyrë në zyrat e konsullatës për të marrë një copë dokument? Me një shtëllungë tymi që ta përplas në fytyrë, të përgjigjet: Motra, e sheh atë letrën e bardhë, poshtë atij gurit, tek ai muri, ik e shkruaj emrin… Merr në dorë atë letër, merr edhe gurin dhe mendon: Uau një gur mijëravjeçar i shkulur nga ndonjë mur mijëravjeçar, i cili mban letrën që të mos ta marrë era, çfarë nderi për emrat e radhës së listës shqiptare… dhe fillon e pret, e pret që dikush ta marrë atë listë… si një tablo abstrakte pa fund e krye (të kuptohemi drejt, asnjëherë si kam kuptuar abstraksionet, di vetëm që i quajnë pikturë) ti sheh fëmijë nga 0 deri 4 vjeç me nënat që i mbajnë ndër duar... Diku në ca shkallë një nënë ka nxjerrë gjoksin e i jep për të pirë fëmijës së vet… Në një cep tjetër një nënë ndërron pelenat e fëmijës… e unë, e hutuar, mendoj: Ehhhh sa me fat që je fëmija e bashkatdhetarit tim, e ke vendosur byçën në gurët e lashtë, për të cilët paguhet për t’u bërë vizitë… Ndërkohë shoh turmën e shqiptarëve që turret t'i afrohet një zotërie të gjatë të veshur me rroba firmë. Pyes dikë dhe më thanë se qenkësh punonjësi i konsullatës. Nënqesha, pasi m’u kujtua një artikull i lexuar dikur, kur një diplomat shqiptar i veshur me tuta sporti, ngatërroi avionin, sepse nuk dinte të dallonte Belgjikën nga Brukseli. Dëgjoj një pasthirrmë shoqëruar me një ulërimë, zotëria firmato foli, a thua po thërriste ‘Ukën’ në malin përballë. Pyeta një tjetër bashkatdhetar të më sqaronte çfarë po thoshte zotëria në fjalë. Filluan të parët e radhës të hynin në konsullatë… pritje, pritje, dhe turmat e bashkatdhetarëve të mi që filmoheshin nga turistët e rastit të sheshit Duomo. Radha nuk ecte, por para syve të t’u filluan të ecnin zonjusha të profesionit më të vjetër në botë, me disa zotërinj padronë, të cilët përfunduan në bar, për kafe, me zotërinë firmato. Radha nuk ecte… Pritje pa fund… Si mund të ecte një radhë kur pa radhë hynin ‘kunetërit e shokut Xhemal’ apo shoku miku i mikut më të madh (ne këtej e quajmë këtë mik “euro”)... vrojton, kupton, pret, fillojnë edhe tëmthat të rrahin me shpejtësi, rebelohesh kur pritja i kalon 7 orët dhe mendja të rri te treni i fundit që duhet kapur në kthim. Shfrytëzon mundësitë e teknologjisë dhe telefonon ambasadën tonë në Romë. Heshtje… Merr në telefon numrin e konsullatës… Një zonjushë fillon e të mëson matematikë: shtyp numrin një, shtyp numrin dy e shtyp numrin tre… Heshtje… Kërkon numrin e Ministrisë së Jashtme… Të përgjigjen, po ku pyet zotëria firmato, sa të ketë shoku mikun në Tiranë. Nuk ngelet veçse të marrësh vetë ministrin në telefon. Sepse numrat e telefonave në shërbim të popullit janë numra pa përgjigje. Më në fund arrin të futesh në konsullatën 2 dhoma e një kuzhinë, por pritja e gjatë nuk do të kishte kuptim pa një rrufe në qiell të hapur, kur punonjësja me taka të holla (marshallah të bukura i kishin gjetur punonjëset, mendon shteti të na çlodhë sytë) të pyet çfarë është kjo copë letër. Bëhej fjalë për letrën e pagesës së shërbimit konsullor të kryer në bankë dhe "bukuroshja" të propozon ta mbash atë letër dhe t'i japësh 30 euro kesh në dorë. Rebelimi kalon në një stad superior. A thua letra që kisha bërë pagesën në bankë, për llogari të konsullatës kundrejt shërbimit që kërkoja, të ishte një çek që duhej ta mbaja unë, e zonja donte letra me ngjyra. Euro siç i thonë europianët… Zot na ruajt nga injorantët se nga i zgjuari ruhem vetë. Rebelohesh, ankohesh, shkruan një fletë ankese të gjatë, minutat ikin e të lajmërojnë trenin e fundit që duhet të kapësh. A thua ajo fletë ankese do të ndryshojë diçka nga ky realitet i mallkuar i shërbimeve konsullore shqiptare? Të paktën e di që nuk do të përdoret për letër higjienike, e di me siguri këtë, pasi fleta A4 ku shkrova ankesën, ta çjerr në vend që të ta fshijë… Dhe unë nuk dua të jem shqiptare vetëm një herë dhe ajo herë ishte data 26.07.2010.
P.S. Turistja e rastësishme e sheshit Duomo. Unë, turistja e rebeluar, që me vete përsërita shprehjen e urryer prej meje: ky vend, kjo Shqipëri nuk bëhet.
#