Parlamenti bën gati bilancin për sesionin e dytë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të prezantojë në ditët në vijim bilancin e punës së Parlamentit. Në rreth 42 seanca parlamentare janë miratuar afërsisht 190 projektligje, por ka munguar unifikimi i votës për ligje që kërkojnë 3/5 e deputetëve, janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese ligjet më të rëndësishme që kanë bërë bujë nga mazhoranca dhe opozita ka munguar në më shumë se gjysmën e seancave plenare, në 28 prej tyre. Në bilancin njëvjeçar, Kuvendi është përballur për këtë legjislacion me bojkot, dështime, projektligje të miratuara vetëm me votat e mazhorancës. Seanca e fundit plenare ka qenë në datën 22 korrik, ndërsa seanca e 26 korrikut ka qenë e jashtëzakonshme për shkak të miratimit të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2010. Pavarësisht se në 36 seancat e Kuvendit janë miratuar rreth 190 projektligje, Parlamenti mban mbi supe një bilanc të vështirë, i cili ka ardhur si rezultat i bojkotit dhe mungesës së konsensusit mes dy forcave më të mëdha politike. Projektligjet që kërkojnë 84 vota, si ndryshimet në Kodin Penal, Kodin Civil, Kodin Rrugor, Kodin Detar, Kodin Ajror dhe një seri kodesh të tjera, që janë kusht i Bashkimit Europian, kanë ngelur të pa miratuara gjatë këtij sesioni. Edhe projektligjet që mazhoranca i ka kaluar me votim të thjeshtë, kanë hasur probleme kushtetutshmërie dhe janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Kriza politike ka sjellë në vend një ‘luftë’ të vërtetë dhe një përplasje të ashpër edhe midis institucioneve siç është ekzekutivi dhe Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë i ka dhënë shuplakë jo vetëm qeverisë, por edhe punës së Kuvendit të Shqipërisë, duke rrëzuar disa nga ligjet e rëndësishme që Parlamenti u ka dhënë votën. Institucioni që interpreton ligjin themeltar të shtetit ka hedhur poshtë ligjin e lustracionit dhe marrëveshjen e Shqipërisë me Greqinë për kufijtë detarë. Po kështu, Gjykata Kushtetuese ka shpallur si antikushtetues edhe ligje të tjera, ku një prej tyre është edhe ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” dhe ligji për heqjen e makinave për gjyqtarët.
#