Ollbrajt: NATO ti përshtatet realitetit të ri

Është koha që NATO-ja ti ribëjë premtimet dhe
të ofrojë siguri për anëtarët e vet, në një botë që gjithmonë e më shumë po
bëhet e rrezikshme, tha ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madlen Ollbrajt
Nga Brian Whitmore
Ollbrajt i bëri komentet në hapje të një konference ndërkombëtare, që po mbahet
në Pragë, konferencë që synon të ripërkufizojë misionin e Aleancës në shekullin
XXI.
Propozim-dokumenti që do të hartohet në konferencën e Pragës, do të paraqitet
për miratim në takimin e NATO-s, që do të mbahet në Lisbonë, në prill të këtij
viti.
Ky dokument, nëse miratohet, do të përbëjë thelbin e NATO-s.
Koncepti i fundit strategjik është hartuar në vitin 1999, kohë përpara se
vendet e reja anëtare të Aleancës të ishin aktive, dhe disa vite përpara
sulmeve terroriste të 11 Shtatorit. Në një kohë që Aleanca ka mbushur 60 vjet,
kërkohet një lloj përkushtimi i ri, apo ribërja e premtimeve, tha
Ollbrajt.
Hartimi i konceptit strategjik të NATO-s vjen në kohën kur shumë nga vendet e
ish-bllokut lindor janë gjithnjë e më të shqetësuara për qasjen e re ruse në
Evropë dhe aftësinë e aleancës transatlantike për ti mbrojtur ato.
Në veçanti, Polonia dhe vendet baltike janë të shqetësuara se kufijtë lindorë
të NATO-s janë në një shkallë të madhe të pambrojtur.
Vendet e Evropës lindore kanë dyshime nëse do të respektohet Artikulli 5 i
Kartës së Aleancës, nëse Rusia sulmon ndonjë nga vendet lindore. Artikulli 5
parasheh detyrimin e vendeve të NATO-s që të veprojnë, nëse një nga shtetet
anëtare sulmohet.
Ollbrajt tha se për ti adresuar të gjitha këto shqetësime, duhet të
ritheksohet rëndësia e Artikullit 5, si dhe duhet të përmirësohen marrëdhëniet
me Moskën.
Nuk ka dyshim se koncepti i sigurisë është i rëndësishëm dhe Artikulli 5 është
elementi qendror i Aleancës në këtë drejtim. Nga ana tjetër, është shumë e
rëndësishme ti rinisim marrëdhëniet tona me Rusinë, theksoi Ollbrajt.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga vendet evropiano-lindore, anëtare të
Aleancës, ka të bëjë me fokusimin në misionet jashtë hapësirës së Aleancës.
Ish-kryediplomatja amerikane, duke adresuar këtë shqetësim, theksoi se misionet
jashtë vendeve anëtare të NATO-s, janë të rëndësishme.
Mendoj se misionet e NATO-s jashtë vendeve anëtare janë pjesë e krijimit të
një stabiliteti më të gjerë, të nevojshëm në shekullin XXI, jo vetëm për vendet
anëtare të NATO-s, por edhe për shtetet e tjera, tha Madlen Ollbrajt.
Ajo shtoi se, megjithatë, NATO-ja duhet të përshtatet në një botë që po
ndryshon me shpejtësi.
Ne duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me aleancën më të fuqishme ushtarake në
historinë e botës, aleancë që ka shërbyer për qëllime jashtëzakonisht të mëdha.
E derisa bota evoluon në shekullin XXI, do të vazhdojë të ketë nevojë për
NATO-n dhe NATO-ja duhet të përshtatet me situatën e re, tha
Ollbrajt.