Obama i jep shtytje të reja marrëdhënieve me Rusinë
Gjatë vitit të parë në detyrë të presidentit Barak Obama, administrata e tij u përpoq t'u jepte një shtytje të re marrëdhënieve Amerikë-Rusi, të cilat u acaruan gjatë administratës së ish-presidentit George W. Bush.
"Ndryshimi kryesor i administratës Obama është se ajo e kuptoi se qëndrimi i administratës së mëparshme, thjesht matematik ishte e gabuar. Rëndësia e Rusisë në botë është shumë e madhe. Amerika ka nevojë për Rusinë po aq sa Rusia ka nevojë për Shtetet e Bashkuara", ka thënë analisti i pavarur i politikës ruse, Aleksandër Konolanov.
Konovalov tha se të dy vendet mund të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit, trafikut të drogës, Afganistanin, programin bërthamor të Iranit dhe mos përhapjen e armëve bërthamore në përgjithësi.
Në korrik, presidenti Obama vizitoi Moskën dhe nënshkroi një marrëveshje paraprake për pakësimin e dy arsenaleve bërthamore më të mëdha të botës me një të tretën.
Të dy vendet po punojnë për zëvendësimin e Traktatit për Pakësimin e Armëve Strategjike, i cili skadoi muajin e kaluar. Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini thonë se marrëveshja mund të arrihet së shpejti. Rusia ka mirëpritur vendimin e Presidentit Obama për anulimin e planeve për ndërtimin në Evropën Qendrore të një sistemi të debatueshëm për mbrojtjen nga raketat. Dhe duke u bërë një lëshim Shteteve të Bashkuara, Moska lejoi përdorimin e territorit të saj për të furnizuar trupat e NATO-s në Afganistan.