E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Kjo është një garë reale mes vlerash

olldashKandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, deklaroi se gara për këtë post është reale dhe dinjitoze.

Kjo është një garë reale, po është një garë që zhvillohet brenda nesh, një garë brenda shtëpie. Është një garë vlerash mes dy njerëzve që janë pjesë e qenësishme e Partisë Demokratike. Secili me kontributin, profilin dhe me eksperiencën e tij. Ju ftoj të gjithëve të merrni pjesë, t’i jepni seriozitet dhe dinjitet këtij procesi. Është një garë që në mënyrën sesi po zhvillohet, është e para në Partinë Demokratike dhe do të konsolidojë edhe një shtrat për proceset zgjedhore që do të zhvillohen në të ardhmen, tha Olldashi në takim me strukturat e Tiranës.

Ne kemi nevojë të modifikojmë atë që është lidhja bazë e nivelit politik të partisë me qelizën e vet dhe qeliza e një strukture gjigante, siç është Partia Demokratike, është anëtari i thjeshtë. Ristrukturimi dhe rivitalizimi i PD-se nuk nis me Kryetarin e Ri, cilido që të zgjidhet. Rivitalizimi i Partisë Demokratike nis me rivendosjen e marrëdhënies mes nivelit politik të partisë dhe anëtarit të saj, këtu fillon ringritja!

Në mbrëmje, Olldashi ishte me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në një nga lokalet e Tiranës./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›