Kutitë e para në Lezhë pa probleme, e majta në avantazh. Kodheli: PD do gjejë qenin e ngordhur
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur rinumërimin e të gjitha kutive të qarkut të Lezhës, sipas një vendimi të marrë një ditë më parë.
Por edhe pse shpresat e demokratëve janë të mëdha për të gjetur parregullsi, kutitë e para që kanë nisur të numërohen tregojnë se rezultatet janë në rregull, ndërkohë që e majta është në avantazh ndaj të djathtës, duke ruajtur deri më tani rezultatin e 23 qershorit.
Kryesuesja e listës së Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, Mimi Kodheli është shprehur për Shqiptarja.com, se demokratët le të gërmojnë, por do gjejnë vetëm qenin e ngordhur.
Kjo është vetëm një përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e mëdha që kanë me zgjedhjet brenda tyre, tha Kodheli.
Për numërimin e votave janë ngritur 8 grupe numërimi, secili grup me nga 2 anëtarë për ta bërë këtë procedurë edhe më të shpejtë.
Nuk është hera e parë që hapim kutitë, procedura është e njohur. Ashtu si hapëm kutitë e para, numëruesit do të lexojnë kodet dhe administrata do të bëjë verifikimin, tha kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi./ep