Olldashi: Më sulmojnë për shkak të një ndërtimi të parregullt
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka dalë në një konferencë për shtyp sot në lidhje me akuzat që po i bëhen prej dy ditësh nga e përditshmja Panorama për një aferë me një tender monopol për linjat e internetit. Olldashi paraqiti në konferencë dy foto të një godine disakatëshe, e cila sipas tij është ndërtuar në shkelje të ligjit në tokë bujqësore. Ai tha se objekti ndodhet në zonën e Dajtit, por nuk i përket as komunës e as Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, ndaj objektit ka nisur masa e prishjes nga Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit. Ai deklaroi se pas objektit është pronari i gazetës Panorama, që ka nisur sulmet ndaj tij. Olldashi tha se kërkon nga prokuroria që të nisë hetimet, nga ai vetë i pari për këto dy çështje.