Olldashi-Montobbio, inaugurojnë investimin 20 milionë lekë në Vorë
Financimi i mundësuar nga qeveria spanjolle prej 20 milionë lekësh ka ndryshuar ndjeshëm ambientet e qytetit të Vorës. Për të bërë inaugurimin e këtij investimi ka qenë dje i pranishëm ministri Olldashi, Ambasadori i Spanjës, z. Montobbio dhe kryetari i Bashkisë Vorë. Investimi prej 20 milionë lekësh përfshinte rehabilitimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytetin e Vorës, ripyllëzimin e kodrave me 2700 ullinj në zonës e Gërdecit, si dhe pajisjen laboratorike të 5-së shkollave të kësaj zone. Ky është një tjetër hap përpara në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Vorës dhe për këtë doja të falënderoja qeverinë spanjolle për vëmendjen që ka treguar në këtë rast. Shndërrimi që ka pësuar qyteti i Vorës gjatë këtyre viteve është më se i dukshëm për të gjithë ne, - tha ministri Olldashi. Nga ana tjetër ai garantoi se investimet në këtë qytet do të vazhdojnë edhe me financime nga qeveria. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë me financime të buxhetit të shtetit dhe do të kërkojmë dhe vëmendjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë ndaj kësaj zone, e cila është në rritje dhe zhvillim të vazhdueshme dhe përbën një qendër urbane të rëndësishme për vendin, - tha Olldashi. Ambasadori spanjoll, z. Montobbio, u shpreh se ky investim synon përmasimin e infrastrukturës së qytetit të Vorës pas ngjarjes së 18 marsit. Ky është një ndërtim material dhe kjo është diçka që mund të bëhet së jashtmi, pjesën tjetër ja lëmë institucioneve të shtetit shqiptar. Ne e kemi thënë dhe vazhdojmë ta theksojmë, që jemi me ju dhe të ardhmen tuaj. E ardhmja për ju do të jetë një qytet më i bukur, më në kontakt me mjedisin dhe më ekologjik, - tha ambasadori spanjoll. Ai nënvizoi se në çdo krizë ka një moment, një fazë fillestare për të rikuperuar dhe për të filluar lulëzimi. 2700 rrënjë ullinj që u mbollën në zonën e Marqinetit, duke qenë se konsiderohen dhe si simbol i paqes, le të konsiderohen si 2700 shpresa për një të ardhme më të mirë për ju, - tha Montobbio. Në fund të fjalës së tij, ambasadori spanjoll, z. Montobbio, falënderoi ministrin Olldashi për këtë bashkëpunim ndërmjet dy qeverive, asaj spanjolle dhe shqiptare, si dhe kryetarin e Bashkisë së Vorës për mbështetjen në realizimin e këtij projekti.