Beqja: Guvernatori të thotë cila është e vërteta e ekonomisë
29/04/2010 Situata ekonomike në vend vijoi të ishte dhe dje një çështje për të cilën socialistët shprehin mjaft pakënaqësi. Kjo sidomos për deklarimet që vijnë nga mazhoranca qeverise, të cilat sipas kampit rozë fshehin krizën ekonomike. Ndërkohë që së fundmi deputetët socialistë shigjetuan dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Konkretisht, duke krahasuar deklaratën e djeshme të kreut të këtij institucioni, me të dhënat e deklaruara dy javë më parë prej tij, lidhur me rritjen ekonomike në vend, socialistët konstatojnë se dhe Banka e Shqipërisë nuk ka një qëndrim të qartë mbi një çështje të tillë. “Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, përsëriti deklarimin e INSTAT se rritja ekonomike për vitin 2009 është 3.3%. Këtë shifër nuk e beson më askush. Edhe FMN-ja ka deklaruar se rritja është më pak se 3%. Guvernatori duhet të shpjegojë a qëndron deklarata e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 14 prill 2010. Kushdo mund të llogarisë se, sipas asaj deklarate, rritja ekonomike para dy javësh ishte 0%”, vlerësoi deputeti Ilir Beqja, sa i takon kësaj çështje. Njëkohësisht, në emër të PS-së Beqja i kërkoi guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të shpjegojë dhe transfertat në buxhetin e shtetit. “Guvernatori duhet të japë shpjegime pse në tremujorin e parë ka transferuar si fitim në buxhetin e shtetit dy herë më shumë se 1 vit më parë, vetëm për të mbuluar mosrealizimin e të ardhurave”, nënvizoi Beqja, gjatë deklaratës së tij për shtyp.