E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italianët, bashkëpunim me sindikalistët shqiptarë

Forcimi i lëvizjes sindikale është në qendër të bashkëpunimit që ka nisur me sindikalistëve italianë dhe atyre shqiptarë. Dje u zhvillua konferenca sindikaliste, me pjesëmarrjen e dy sindikatave kryesore shqiptare, BSPSH e KSSH dhe drejtuesve të njërës prej sindikatave më të mëdha të Italisë, CISL, nga rajonet e Markës (Marche) dhe Puljas (Puglia). Aktualisht, instituti i bashkëpunimit ndërkombëtar të kësaj sindikate, ISCOS, po realizon një projekt me qëllim forcimin e kapaciteteve të gjithë lëvizjes sindikale shqiptare, nëpërmjet një financimi nga Bashkimi Evropian (Programi CARDS 2005). Ky institut, nëpërmjet përfaqësuesve të tij në Shqipëri, ka bashkëpunuar prej vitit 2002 me konfederatat sindikaliste në vendin tonë, për të mundësuar mbështetjen e sindikatave dhe organizatave të shoqërisë civile në veprimtarinë e tyre të afirmimit të drejtësisë sociale, për zhvillimin e drejtë e të qëndrueshëm të shoqërisë shqiptare drejt standardeve evropiane. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe krerët e dy organizmave sindikale shqiptare, Gëzim Kalaja dhe Kol Nikollaj. Konferenca iu kushtua me nisjes së fushatës për sigurinë në kantieret e ndërtimit. Në këtë konferencë foli Stefano Mastrovincenzo, sekretar i përgjithshëm i CISL për rajonin Marke edhe sekretar i ISCOS Marke. Kjo është një nga tri fushatat, ku do të përqendrohet aktiviteti i bashkëpunimit ndërsindikal, ndërkohë që e para kishte të bënte me punën dinjitoze, ndërsa e treta parashikohet të përqendrohet në anëtarësimin e punonjësve të tjerë të rinj në sindikata, kryesisht gra që punojnë në sektorin e fasonit, në zonat industriale të Tiranës dhe Durrësit. Folësit theksuan faktin se puna përbën rrugën bazë për t'i dhënë mundësi zhvillimi jetës së njerëzve. Por, ajo duhet të përfshijë stabilitetin në punësim, mbrojtjen e të punësuarve nga pushimet arbitrare prej pune, ajo duhet të jetë e tille, që të sigurojë mbrojtjen e shëndetit nga rreziqet. Sindikatat shqiptare dhe italiane mendojnë se përpjekjet e mëtejshme të bashkërenduara duhet të konkretizohen në mbrojtjen reale të punonjësve nga aksidentet, si dhe për pakësimin e orareve të tejzgjatura të punës, që shkaktojnë strese. Tjetër element, në dukje dytësor, është krijimi nëpërmjet punës i një pagesë të përshtatshme, në gjendje t'u krijojë punonjësve dhe familjeve të tyre mbulimin e "shpenzimeve njerëzore", me një nivel të krahasimit social. Puna duhet të krijoje edhe sigurimet shoqërore e shëndetësore, për të pasur një jetë të krahasueshme edhe pas daljes në pension. Në fakt, BE, ku Shqipëria aspiron të aderojë, ka miratuar një direktivë 391/89, që ka sjellë ndryshimin rrënjësor të legjislacionit të shteteve të veçanta në fushën e shëndetit e të sigurisë. Parimi bazë i saj është përshtatja e punës ndaj individit. Shëndeti i të punësuarve konsiderohet si një e mirë parësore, jo në kontrast me prodhimin. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›