E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e re e financimit, ngrihet grup pune në ministri



Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka ngritur një grup pune, që do të përcaktojë propozimet në lidhje me reformën e re në universitete, që ka të bëjë me financimin e tyre. Për herë të parë pas kësaj reforme, universitetet private do të kenë akses në fondet publike, në bazë të skemës që do të përcaktohet në një ligj të posaçëm që do të miratohet gjatë vitit të ardhshëm.

Grupi i punës

Burime nga Ministria e Arsimit konfirmuan për gazetën se grupi i punës është aktualisht duke parë cilat do të jenë mundësitë e reformimit. Ky grup do të hartojë një propozim të detajuar për mënyrën e re të financimit në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, i cili më pas do të shndërrohet në projektligj për të kaluar në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvend për miratimin përfundimtar.

Sipas MASH, modeli i sistemit të financimit nuk është përcaktuar ende dhe do të shihet modeli i atyre shteteve që kanë situatë të ngjashme me Shqipërinë në mënyrën e zhvillimit të arsimit të lartë, duke lënë të hapur të gjitha mundësitë, që nga financimi në bazë studentësh dhe jo më me fonde buxhetore për universitetet publike, e deri në metoda si grante konkurruese e të tjera.

Vetëfinancimi

Duke folur në muajin tetor përpara studentëve, ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, kishte paralajmëruar këtë reformë. “Ka ardhur koha për këtë sfidë! Sistemi i arsimit të lartë ka ndryshuar tërësisht me realizimin e reformës së Kartës së Bolonjës dhe sistemi i financimit nuk i përgjigjet më realitetit. Arsimi i lartë duhet të thithë të gjitha investimet e buxhetit të shtetit”, - tha ministri Tafaj, duke shtuar: “Për modelin e ri të financimit kam marrë mbështetjen e Kryeministrit Berisha. Në bashkëpunim edhe me Kuvendin shqiptar, kjo reformë do të jetë gati për zbatim”.

Reforma përmban edhe një element të rëndësishëm, sipas ministrit, që ka të bëjë me partneritetin ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat.

Pas liberalizimit të universiteteve dhe çeljeve të dhjetëra institucioneve private të arsimit të lartë, tashmë është koha e cilësisë e për këtë arsye, sipas Ministrisë së Arsimit nevojitet konkurrenca mes universiteteve, çka do të realizohet nëpërmjet kësaj reforme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›