Olldashi: PD me një platformë për rrëzimin e Edi Ramës
Kandidati për kreun e PD takime në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë
Kandidati për kreun e ri të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi vijoi me prezantimin e platformës së tij në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë. Në takimet me anëtarësinë e PD-së, Olldashi vlerësoi faktin se kjo parti duhet të ndërtojë një platformë për tu rikthyer shpejt në shumicë qeverisëse, duke përdorur si potencial opozitar të gjithë kontingjentin e qytetarëve që preken nga mashtrimet e kundërshtarit politik, i cili ende pa marrë pushtetin rrëzoi boshtin e premtimeve elektorale. “Ne, këtë duhet ta kthejmë në potencial opozitar, duhet të trokasim në çdo derë biznesmeni të vogël dhe t’i themi zotëri të gënjeu, hajde me ne në opozitë. Rrëzoi premtimin për shëndetësinë falas, duhet t’i drejtohemi të gjithë atyre që e besuan këtë premtim dhe t’i themi zotëri ju gënjeu, hajdeni me ne në opozitë. Duhet t’u drejtohemi të gjithë atyre që i mashtroi për legalizimet dhe t’u themi, zotërinj ju gënjeu. Pa ardhur akoma në pushtet, nuk nisi me legalizimet, por nisi me shkatërrimet, ejani me ne në opozitë”, u shpreh ai. Ndërkohë, Olldashi ritheksoi përcaktimin e qartë të terrenit politik në Shqipëri, për të mos lejuar asnjë “lojtar mesi” që luan në fashën e elektoratit të pavendosur. Sipas tij, demokratët nuk kanë kohë për të pritur, misioni I tyre është i qartë, rrëzimi i Edi Ramës, në përballjen më të parë elektorale, në zgjedhjet e 2015-ës. “Partia Demokratike ka të gjithë potencialin profesional, politik, intelektual për t’u përballur me kundërshtarin dhe për ta shkërmoqur. Ne duhet të kuptojmë që detyra jonë, nuk është që të presim që Edi Rama të bjerë, detyra jonë është që ta rrëzojmë Edi Ramën, një ditë e më pare”, vlerësoi ai. Në takimet me anëtarët dhe drejtuesit politikë të PD-së në Delvinë dhe Sarandë, Olldashi foli edhe për riformatimin e strukturave politike duke kërkuar rikthimin e përfaqësimit politik tek anëtarësia. “Përqendrimi i vendim-marrjes vetëm në duart e grupeve të punës, nuk është funksional, sepse mbyll rrethin më shumë. Ne kemi nevojë të kalojmë në një mekanizëm të ri, që do të bazohet tek kuotat elektorale të secilës degë dhe përzgjedhja nominale për administrimin e kësaj kuote duhet të bëhet nga dega dhe jo nga grupi i punës”, tha Olldashi. Kandidati për kreun e ri të PD-së përforcoi deklaratat se rikthimi i vendim-marrjes politike dhe administrative, nga grupet e punës tek strukturat bazike, korrigjon një proces me peshë në jetën e brendshme politike të PD-së, pasi iu kthen pushtetin, degëve të partisë në rrethe.