E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria merr vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve

17-07-2013 / Gazeta 55

Rritja e pagave dhe pensioneve përballohet nga të ardhurat e buxhetit të shtetit, asnjë qindarkë e marrë borxh

Berisha: Akuzat e PS, produkt injorance - qeveri në detyrë është ajo e një kryeministri të dorëhequr

Qeveria zhvilloi sot mbledhjen e saj të radhës duke jetësuar vendimin e paralajmëruar që në qershor atë të rritjes së pagave dhe pensioneve. Kryeministri Berisha në fjalën e tij në këtë takim të ekzekutivit sqaroi në detaje rritjen për çdo kategori, si dhe saktësoi se rritja e cila qenë e përvitshme është përballuar nga të ardhurat në buxhetin e shtetit, duke mos marrë asnjë qindarkë borxh. Njëkohësisht kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet se nuk ka para për rrogat. Sipas tij, ka para për çdo rrogë dhe fondi i tyre është 100 % i garantuar. Berisha i është përgjigjur edhe akuzave të socialistëve për vendimet që po merr qeveria para përfundimit të mandatit të saj. Kryeministri i cilësoi si injorancë deklaratat e mazhorancës së re se qeveria është një qeveri kujdestare dhe nuk duhet të marrë vendime.

Vendimi për rritjen e pensioneve
Në vlerësimin e kreut të ekzekutivit rritja e pagave dhe pensioneve ka qenë një politikë konstante e qeverisë së drejtuar prej tij. “Ky vendim do të merrej në muajin qershor, por nuk u mor për të shmangur çdo lloj keqkuptimi të përdorimit të tij elektoral. Ne e shmangëm dhe kemi vepruar shumë drejt. PD dhe qeveria e saj i përmbahen disa parimeve shumë solide të ndershme në raport me votuesin. Vendimi është shpallur qershor, u shty pas zgjedhjeve për të shtyrë efektin e presupozuar elektoral. Çdo vit rrogat dhe pensionet nga qeveria që unë kryesoj janë ngritur dy deri në katër herë më shumë se inflacioni. Në të vërtetë çdo qeveri, përveç rasteve të jashtëzakonshme, duhet të indeksojë rrogat dhe pensionet që do të thotë duhet të rrisë ato aq sa rritet inflacioni me qëllim që të mos ketë përkeqësim të nivelit të jetesës. Rritja është një rritje më e madhe që mund të jetë bërë gjatë këtyre viteve. Unë mund t’iu them se ky vendim parashikon rritjen në masën 4 % të pensioneve për një numër prej 590 mijë personash.  Ndërsa inflacioni ka qenë 2 %. Rritja më e madhe ndodh në fshat do të jetë 5 %. Nuk do të ketë pension ndër 12024 lekë, ashtu siç nuk do të ketë më të madh se dyfishi i tij. Pensioni minimal në fshat do të shkojë në 80230 lekë”, vuri në dukje Berisha. Në gjykimin e tij, për mbi gjysmë milionë shqiptarë në pension është lajm i mirë, pasi po shkohet drejt respektimit të kritereve më të shëndosha në raport me rrogat e pensionet dhe kjo për të lehtësuar jetën.

Rritja e pagave në administratë
Sipas vendimit të qeverisë paga mesatare rritet me 5.4 % pra rritet 2.7 % herë më shumë se inflacioni. Në këtë vendim përfshihet rritje page për sektorin mbështetës në administratën, e cila shkon nga 35 mijë lekë në mbi 37 mijë lekë. Paga për arsimtarët shkon në mbi 54 mijë lekë, pagat e policisë në 57 344 mijë e lekë. Është parashikuar gjithashtu rritje page për forcat të armatosura, por jo për pagat e zyrtarëve të lartë të shtetit. Sipas, kryeministrit, rritja e pagave dhe pensioneve përballohet nga të ardhurat e buxhetit të shtetit, asnjë qindarkë e marrë borxh. “Pikëpamjet se nuk do të ketë para për rroga janë keqdashëse. Ka para për çdo rrogë, fondi i tyre është 100 % i garantuar. Çdo vit qeveria në këtë periudhë ka marrë masat për shkurtimin e shpenzimeve të tjera në maksimum, kjo sepse shpenzimet e fundvitit janë shpenzime që u bie eficenca, kemi bërë rirregullim të buxheti. Nëse qeveria e re do mund t’ia paraqesë parlamentit këtë praktikë”, u shpreh Berisha. 

Përcaktimet kushtetuese për ekzekutivin
Kryeministri Berisha i kujtoi mazhorancës së zgjedhur në 23 qershor detyrat dhe pozicionin e qeverisë së drejtuar prej tij në Kushtetutë. Gjithashtu, Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e sotme të qeverisë u ndal dhe në çështjen e vlerësimit të financave duke i dhënë përgjigje dhe pretendimit të kampit kundërshtar i cili ka paralajmëruar për një auditim ndërkombëtar të tyre. “Kemi deklarata që ka në bazë injorancë dhe revanshin lidhur me vendimet e kësaj qeverie. Kushtetuta ka vendosur në mënyrën më precize se kur mbaron mandati i një qeverie dhe kur fillon ai i një mazhorance të re. Kushtetutat evropiane dhe botërore nuk njohin asnjë kufizim të qeverisë nga dita e parë deri në ditën e fundit. Kushtetuta i jep qeverisë shqiptare katër vjet ditë më ditë për të ushtruar mandatin. Nuk ekziston koncepti “qeveri kujdestare”, është vetëm në Bangladesh ku me Kushtetutë ata kanë vendosur që qeveria kujdestare të jetë ajo e paszgjedhjeve gjer në dorëzimin e mandatit. Të gjitha të tjerat nuk kanë përcaktuar në Kushtetutë përfshirë këtu edhe vendimet më të mëdha që mund të marrë një vend apo komb. Ata që bëjnë fjalë për qeverinë në detyrë tregojnë injorancën në detyrë. Ajo është qeveria e një Kryeministri të dorëhequr, qeveria e të cilit qëndron aty deri në zgjedhjen e tij. Kjo është injorancë, por injoranca nuk është argument”- u shpreh Berisha. Ndërkohë që ndalur tek financat e vendit, kryeministri sqaroi se si tregu ashtu dhe institucionet ndërkombëtare të ngarkuara me ligj për vlerësimin e tyre bëjnë të mundur funksionimin me transparent të ekonomisë. Sipas tij, që nga viti 2008 e deri më sot financat e vendit kanë qenë në vlerësim të përvitshëm nga këto institucione. Por, gjithashtu në plotësim të të gjitha detyrimeve që përcakton ligji, Kryeministri kërkoi nga ministrat që të vazhdojë me intensitet hartimin i buxhetit. “Ne duhet tu lemë atyre që vijnë në pushtet, një skemë, të cilën mund ta përmbysin nëse dëshirojnë, por duhet t’u lemë një skemë serioze mbi tavolinë, pasi hartimi i buxhetit nga e para natyrisht që kërkon një kohë shumë të gjatë”, deklaroi kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›