E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Padi penale ndaj kryebashkiakut të Durrësit, lejoi shtesën e pallatit me nëntë kate pa leje

Me bombën me sahat që Vangjush Dako ka lejuar në Durrës, aksioni shtetëror për ndëshkimin e shkelësve të ligjit në industrinë e ndërtimit futet në një fazë të re, e cila s’do mund të ndalet as nga kamikazët e kryebashkiakut të Tiranës

Apeli shtetëror se nuk do të tolerohet në asnjë rast dhe asnjë rrethanë ndaj shkelësve të ligjit në vend, duket se po shkon drejt kahut të duhur. Super aksioni i Ministrisë së Punëve Publike, për të penalizuar çdo ndërtues dhe drejtues të pushtetit lokal apo qendror që shkel ligjin nëpërmjet ndërtimeve pa leje në prona publike, është zhvendosur në Durrës, ku është ngritur një padi penale për kryebashkiakun Vangjush Dako.
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se është dorëzuar në Prokurori një kallëzim penal për Dakon, i cili ka lejuar në mënyrë antiligjore ndërtimin e 9 kateve, mbi lejen e ndërtimit, duke vënë në rrezik jetën e banorëve.
“Doja t”ju njoftoja që Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit, ka depozituar në prokurorinë e rrethit Durrës, një kallëzim penal në ngarkim të kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Objekti i kallëzimit është ky pallat që ka 9 kate mbi lejen e ndërtimit. Pallati sot ka mbërritur në 21-kate, ndërkohë që leja fillestare e dhënë në vitin 2001, nga ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Miri Hoti, ka qenë fillimisht për 12-kate, më pas me një shtesë mbi lejen në vitin 2003 janë akorduar dhe 2-kate të tjerë, pra nga 12-kate ka vajtur 14-kate. Ndërkohë ndërtuesi ka shtuar mbi 12-katet tashmë të shitura dhe ku banojnë qytetarë me familje, 7 kate”, u shpreh Olldashi.
Ministri i Punëve Publike, theksoi dhe faktin se për këtë pallat, bashkia e Durrësit ka marrë një vendim prishje dhe e keqja është se ky vendim prishje nuk po ekzekutohet e ndërkohë që nga ana tjetër, jeta e banorëve në atë pallat shumë katesh bëhet gjithnjë e më e rrezikshme.
Duke informuar më tej, Olldashi bëri me dije se, “kemi paraqitur kallëzimin penal për kryetarin e bashkisë së Durrësit, për lejimin e një ndërtimit 7-kate mbi një pallat, gjë që e bën këtë pallat të rrezikshëm për banorët që jetojnë aty”.
Olldashi nënvizoi se në bazë të një analize të bërë nga ekspertë të Inspektoriatit Kombëtar Urbanistik, jeta e banorëve që jetojnë aty është në një rrezikshmëri të larta.
“Në analizën e ekspertëve të Inspektoriatit Kombëtar Urbanistik ky pallat është më një rrezikshmëri shumë të lartë për jetën e banorëve që janë brenda tij. Prandaj do t’i kërkoja kryetarit të bashkisë së Durrësit që të ndërhyjë menjëherë, duke qenë autoriteti i vetëm kompetent për të prishur këtë shtesë mbi këtë pallat, për realizimin e prishjes dhe për më tepër të ndërhyje urgjentisht për evakuimin e banorëve që janë ditë, natë në mënyrë të pandërprerë në rrezik permanent. E ritheksoj se situata në këtë ndërtesë është përtej çdo rreziku të imagjinueshëm. Ai nuk është më një pallat, por është një bombë me sahat e aktivizuar, që mund të pëlcasë nga momenti në moment dhe të shkaktojë viktima në banorët që janë në atë pallat. Ka muaj që duhet të ishte prishur, ka muaj që nuk po prishet dhe jo vetëm që nuk po prishet por sikurse mund ta shihni nga fotografitë këtu vazhdon ndërtimi për shtat palë qejfe, dhe ky nuk është një ndërtim që është diku në periferi dhe nuk bie në sy. Është ndërtim më i lartë në qytetin e Durrësit dhe është në kryqëzimin e dy rrugëve kryesore të këtij qyteti ,atë të Bulevardit kryesor ose rrugës Tregtare dhe rrugës Skëndërbej që është aksi kryesor i qytetit të Durrësit. Ky ka qenë shkaku që sot kemi paraqitur pranë prokurorisë së Durrësit kallëzim penal për Kryetarin e bashkisë, Vangjush Dako”, deklaroi më tej, ministri Olldashi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›