Brukseli, thirrje finale Edvinit: Kthehu në parlament, po tregohesh krejt i papjekur
Në një intervistë mediatike, komisioneri i BE për Zgjerimin, Olli Rehn ka përsëritur apelin drejtuar opozitës shqiptare , që të rikthehet “sa më parë në parlament, pasi bojkoti është papjekuri e theksuar politike”
Bashkimi Evropian i bën thirrje opozitës së Edi Ramës të lerë mënjanë bojkotimin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, duke theksuar se veprimi i deri tanishëm ka treguar një papjekuri demokratike të theksuar të kësaj force politike. Në emër të BE, komisioneri për zgjerim Olli Rehn, bëri këtë deklaratë dhe njëherazi shtoi se Shqipëria po bën një progres të mirë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se qëndrimi i opozitës nuk është i argumentuar. Duke u përgjigjur për situatën politike në Shqipëri, kryesisht lidhur me bojkotin e opozitës, Olli Rehn ka thënë për tv Klan, se qëndrimi i opozitës shqiptare është një shenjë e papjekurisë politike dhe është kundër kritereve të Kopenhagenit. “Nuk është një mënyrë europiane e të bërit të politikës. Të gjithë duhet të sigurojnë, që duhet të përmbushen kushtet, që ky bojkot të marrë fund. Mirëpres progresin e mirë të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por një prej kushteve kryesore të kriterit politik të Kopenhagenit, është stabiliteti politik dhe maturia demokratike. Bojkoti parlamentar mund të përkufizohet si në kundërshtim me maturinë demokratike”, u shpreh Rehn.
Komisioneri për zgjerim Olli Rehn, bëri këtë deklaratë gjatë një konference të organizuar me Këshillin e bashkëpunimit rajonal të Presidencës suedeze. Kjo konferencë kishte në fokusin e saj përpjekjet e rajonit për kapërcimin e krizës ekonomike dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit në rrugën e tyre drejt integrimit europian. Në të morën pjesë 200 zyrtarë të lartë të rajonit, vendeve anëtare të Ballkanit, Shteteve të Bashkuara, Zvicrës dhe Norvegjisë.
Pjesëmarrësit e konferencës dhanë mbështetjen e tyre të fuqishme për integrimin europian të Ballkanit në tërësi dhe shtynë qeveritë përkatëse të përparojnë me shpejtësi në rrugën e reformave.