Olldashi: Qeveria është gati për ndërtimin e unazës
TIRANE- “Qeveria është e gatshme të marrë përsipër ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës”- kështu ka deklaruar sot Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, në një konferencë për gazetarët.
Olldashi theksoi se qeveria është e gatshme dhe ka në dispozicion të gjtha burimet, jo vetëm për të financuar shpronësimet, por edhe për realizimin e projektit.
Sipas ministrit, që nga momenti kur janë miratuar shpronësimet dhe janë shpallur publikisht emrate pronarëve që do të shpronësohen si rezultat i ndërtimit të Unazës, procesi nga ana e MPPTT është i kryer dhe mbetet vetëm miratimi i vendimit të Këshillit të Ministrave për të bërë pagesën e këtyre pronarëve.
"Ne kemi patur në buxhetin shtesë shumën prej 2 miliardë lekësh të reja të destinuara kryesisht për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Tiranës, vlera e të cilit shkon 1.2 miliardë lekë dhe këto lekë na është dashur t'i rialokojmë në fund të vitit te kapitulli i investimeve për shkak se nuk u përdorën dot, nuk u përdorën dot për një arsye shumë të thjeshtë që qëndron në themel të bllokimit të këtij projekti", deklaroi Olldashi.
(e.n/atsh/ Balkanweb)